Durrësi, në vend të dytë në tregun e sigurimeve në Shqipëri

09/10/2013 - 19:35

TIRANË, 9 tetor 2013 – Qarku i Durrësit vjen pas Tiranës në tregun e sigurimeve në vend me vëllimin e primeve të shkruara bruto sipas shpërndarjes gjeografike. Më 7 tetor 20913, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) publikoi Gjeografinë e Sigurimeve 2012, që jep në mënyrë të detajuar tregun e sigurimeve në vend duke pasqyruar shpërndarjen e primeve të shkruara bruto, dëmeve të paguara si edhe primit për frymë, sipas qarqeve. Sipas njoftimit për shtyp të AMF-së, duke analizuar vëllimin e primeve të shkruara bruto sipas shpërndarjes gjeografike, bie në sy përqendrimi i tregut të sigurimeve në qarqet e mëdha, si Tirana me 63.42 për qind të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2012, Durrësi me 7.84 për qind, Fieri 5.20 për qind, Shkodra 4.12 për qind. Kjo tendencë përqendrimi ka vazhduar të jetë e njëjtë gjatë gjithë viteve të publikimit të raporteve Gjeografia e Sigurimeve. Një tregues tjetër i rëndësishëm i këtij tregu është dendësia e sigurimeve. Për vitin 2012, ky tregues është rreth 3,200.41 lekë për frymë, me një rritje prej 263.23 lekë krahasuar me një vit më parë. Për sa i përket primit për frymë sipas qarqeve, qarku Tiranë me 7,388.64 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga qarku Gjirokastër me 3,648.67 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,622.72 lekë për frymë dhe 1,927.90 lekë për frymë. Ky publikim përfshin gjithashtu edhe informacion të hollësishëm për dëmet e paguara gjatë vitit 2012 sipas qarqeve, duke krijuar edhe mundësinë e krahasimit të këtyre treguesve me ato të një viti më parë. Përsëri, pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka qarku i Tiranës me 64.30 për qind, i pasuar nga qarku Durrës me 6.56 për qind.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: