Durrësi. Prefekti, mbledhje kundër trafikut të “mishit të bardhë”

17/12/2013 - 17:38

DURRËS, 17 dhjetor 2013 – Durrësi, si qendër e madhe turistike dhe portuale është shënjestër e trafikantëve të “mishit të bardhë”, si për “konsum” në hotele dhe shtëpi publike ilegale, ashtu dhe për transitin nëpërmjet portit. Të paktën 8 raste trafikimi të vajzave nga 16 deri në 22 vjeçe, kryesisht nga zonat rurale, rezultojnë të jenë kthyer nga Italia për vitin 2013. Për këtë arsye, më 17 dhjetor 2013, paradite, institucioni i prefektit organizoi një mbledhje të zgjeruar të komitetit antitrafik, me pjesëmarrjen e policisë, shërbimit social, dhe strukturave të tjera, për luftën antitrafik. Në kuadrin e zhvillimeve të reja kjo veprimtari është sofistikuar, ndërsa komiteti nuk ka qenë funksional, deklaroi prefekti i Durrësit Roland Xhelili. Drejtori i policisë Perlat Çullhaj, u shpreh se policia ka barrën kryesore në këtë komitet, duke theksuar se duhet bashkëpunim me të gjithë faktorët, e shoqërisë civile, për të arritur rezultate konkrete, sepse rezultatet mungojnë. Shërbimi social në Durrës ka trajtuar rastet, duke i ndarë në 5 raste potenciale të trafikimit dhe 3 viktima të trafikimit, duke i adresuar në qendrat rezidenciale, deklaroi Dorian Hatibi, drejtor i shërbimit social Durrës.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: