Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Duhet të çfrytëzojmë të gjitha mundësitë, për të qenë pranë njëri tjetrit në këto ditë të qametit. Duke qenë të dënuar për të takuar miqtë, shokët të afërmit, të domosdoshmit e jetës tonë siç janë fëmijët, nipërit dhe mbesat çfrytëzojmë mundësi të tjera, deri tek telefonatat. I dëgjojmë zërin, shikojmë fytyrat tona, që nuk duken si më parë. Jemi të trëmbur disi dhe kjo do të jetë strehuar, diku në një rrënjë të disa qelizave tona.

Nisa të marr në telefon mjeshtrin e këngës Qemal Kërtushën. Kalova tek mjeshtri tjetër, por i portës Sul Maliqati. Nxita komunikimin me intelektualin e njohur, njeriun aktiv Eqerem Shehu, ndërkohë që më marrin në telefon miqtë e çmuar Selami Dakoli, Gani Krasniqi, Bardhyl Agasi, Muhamed Laknori, Bardhyl Berberi nga Pogradeci dhe shkëmbej mesazhe të pafund me të njohur nga e gjithë bota, ku jeta dhe koha i sistemoi prej shumë vitesh.

Unë nuk e dija dhe kërkova tek adresa e zonjës së nderuar, nga dera e fisme e Velajve, e motra e profesorit, i palëkundur në mos harresën tonë Petrit Velaj- Shpresës, për të marrë një informacion.

Në lidhje me kë? I shkruajta se veç të tjerash, jam i interesuar për shëndetin e idhullit tonë, mikut të vjetër, më parë i babait tim Xhafer Qesja dhe më pas edhe i imi, asetit dhe bazës së rrënjshme të qytetarisë durrsake Gjergj Vlashi. Kisha dëshirë ta takoja në të shtunën e 18 prillit 2020, pasi ishte dhënë një porosi që pensionistët mund të dilnin deri në orën 11.00. Dhe këto ia transmetova Shpresës, si lajmin më të mirë, në këto kohë të vështira dhe delikate që po kalojmë.

Shpresa e mirë, gjithnjë e qetë, me një buzëqeshje që është “salduar” në fytyrën e saj, me shumë mall edhe ajo, pa tjetër me një dashamirësi të pashoqe më shkruajti në inbox:

-Bujar! Nga 26 nëntori 2019, e në vazhdim ne ndodhemi në Spanjë, tek Flori. Po kalojmë mirë, ku gjatë ditës ndjejmë përkëdhelitë e erërave të freskëta të oqeanit, që lag qytetin ku po jetojmë A Corunja. Flori dhe familja e tij kujdesen për ne, në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju përqafojmë prej këndej. Të fala edhe zonjës.

Kisha nxjerrë ndërkohë, si nga thellësia pa dritë në fund të tunelit, një foto. Për mua të gjitha fotot janë të bukura, pavarësisht se në to kemi prezantime të ndryshme. Ajo foto mban datën 25 prill 2004. I bie të jetë 16 vite përpara. Jemi duke pirë një kafe me idhullin tim, me atë që çdo minutë të qëndrosh është privilegj. Jam me Gjergj Vlashin.

Ndodhemi në Tiranë të ftuar në ndonjë promovim filmi, në kinema Milenium 2. E në këtë kohë, e në këto ditë, një mik vërtet të duket me shumë se një çiflig. Shpresa ndërkohë, e përmalluar sa s’ka edhe ajo, më dërgoi edhe disa foto ku shikoj Gjergj Vlashin. Vështroja pamjen e vitit 2004, ku unë isha 53 vjeç dhe Gjergj Vlashi 76 vjeç. Kaloja shikimin në desktop, për të parë fotot e zmadhuara tashmë të familjes së fisme Vlashi.

Ula shpejt në një vend të gjërë të mëndjes time, një emër. Florian Vlashi. I biri i Gjergjit, i cili pas 57 viteve, ka kaluar edhe 5 muaj e 17 ditë. A e dinë në A Corunja, që në një familje shqiptarësh, m’u në derën e një muzikanti, që është në historinë e tij tërheqëse të muzikës klasike në Spanjë, jeton nga 26 nëntori i vitit 2019, një nga kolosët e kulturës së Durrësit dhe asaj shqiptare? Një aset i papërsëritshëm i kësaj treve të Adriatikut, ku brenda minierës së arit të kulturës së tij, qendron një gjerdan i shndritëshëm me perla dhe margaritarë, që të gjitha të pakonvertueshme.

Dhe këto perla, që kanë hedhur rrënjë në jetën 92 vjeçare të Gjergj Vlashit, janë 50 vepra në letërsi, përkthime, prozë e komedi, 110 premiera në estradë, 15 çmime kombëtare, përkthime nga rusishtja, gjermanishtja, spanjishtja, anglishtja, italishtja, portugalishtja, e duket se lista nuk mbaron. Gjergj Vlashi që 15 vjeç nisi të përkthejë e diçka më përpara edhe të shkruajë, falë meritave të jetës së tij kundrejt dhjetra e dhjetra trofeve dhe vlerësimeve, katër prej tyre veçohen:

“Nderi i Kombit”, “Mjeshtri i Madh”, “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi i Durrësit”.

Me këtë njeri kisha dalë me 25 prill 2004 dhe prandaj e kremtoj këtë pamje ilustruar me këtë material. Kam shkruar shumë për Gjergj Vlashin. Kam publikuar edhe shumë foto, e përsëri të rejat që çfaq vazhdojnë të mos jenë të fundit. Rri e vështroj sërish pamjet. Emocionohem.

Më duket se Gjergj Vlashi më ka ardhë në shtëpi dhe bisedojmë si babë e bir. Më inkurajon me atë humorin e tij, me atë optimizmin, aq cilësi e fuqishme e tij dhe unë dëgjoj të më thotë:
-Kurajo dhe qendresë miku im, djali i Xhafës! Do ta kalojmë këtë mënxyrë që na ka trokitur. Ktheje pak kokën pas. Më duket se kemi kaluar shumë, apo jo?!

E qeshura e tij, mbulon paksa tronditjen time të çastit dhe i jep udhë të mirës, pikërisht të asaj qendrese që kemi nevojë të gjithë. Nga shkrimet që kam bërë, kujtoj jetën e Gjergj Vlashit, se si e nisi, me sa kurajo dhe vëmëndje, duke bërë aktorin, regjisorin, përkthyesin, pedagogun, shkrimtarin e lista nuk mbaron.

Por ndër titujt që është merituar Xhoxhi im i dashur, është një që nuk dobëson të tjerat, përkundrazi i përforcon. Ai ka atë titull, që të gjithë do ta dëshironim:

“Aseti i çmuar i qytetarisë durrsake”. Është mburrja e jonë. Është optimizmi ynë. Është ajo pikë referimi që na tregon: se si duhet të punojë njeriu në jetë, përkushtimin dhe sakrificat e tij dhe mbi gjithçka si të ndërtojë raportet, marrdhëniet me njerëzit.

Shpesh thuhet se, nuk ka njeri pa të meta. Unë vendos duart mbi thëngjinjt e zjarrit, se tek Gjergj Vlashi nuk ka asnjë gjë, ku mund të kapësh e të tentosh ti kalosh ndonjë vërejtje. Ai është shumë i saktë në çdo gjë. Nuk të çfaqet për tu dukur. Por është fat të duket për ta parë.

E ndjej, sidomos në këto ditë, në këto javë, mungesën e Gjergj Vlashit. Shpirti im e nuhat se na mungon frymëmarrja e Gjergj Vlashit. E sytë e mi,nuk janë mësuar të mos i ulet në prehërin e tij portreti aq i gjallë, aq i hijshëm, i asetit tonë Gjergj Vlashi. Dhe favori sigurisht Florani im, ëshë në anën tënde, të familjes tënde të ngritur me nderin tënd së pari dhe të dy prindërve të tu të rrallë, miqve tanë të përjetshëm Shpresa dhe Gjergj Vlashi.

U preka shumë kur pashë, që orkestra e famshme e familjes tënde, po jepte premierën më të rëndësishme të jetëformimit të saj. Në dhomën e shtëpisë tënde, që kishte marrë përmasat e një sallë të pamatë nga hapsira, mua m’u duk se ishin të pranishëm qindra shikues, apo spektatorë, apo publik.

Por në fakt ishin dy: nëna dhe babai yt, gjyshi dhe gjyshja i dy djemve të tu. Por në vëmëndjen time, ata të dy janë plotësisht të barabartë, me ato qindra shikues që mua m’u çfaqën.

Florian! Ti e ka baba Gjergj Vlashin. Dhe durrsakët e tu, baba e kanë gjithashtu Gjergj Vlashin. Ti e ke nga gjaku dhe ne nga pesha e burrërisë dhe mënçurisë që ka Gjergj Vlashi në Durrësin tënd, në Durrësin e tij, në Durrësin tim, në Durrësin tonë. Gjergj Vlashi është në derë të djalit të tij dhe sigurisht mirë ndjehet. Por ajo derë e jotja, këto muaj është edhe dera e jonë.

Është dera e jonë e hapur përjetësisht, ndaj njeriut të madh por të thjeshtë, ndaj intelektualit nga më të mëdhenjtë e Durrësit, por që ai kurrë nuk e çfaq, ndaj atij të mënçuri që kurrë nuk i shkon ndërmënd, se kulturën e ka shkallë epërsie ndaj të tjerëve.

Dhe ky njeri i madh është, aseti ynë më i çmuar. Emri i tij është vlera e jonë e përjetshme, me emrin historik Gjergj Vlashi.
Jam i lumtur që Gjergj Vlashi Florian, është në shtëpinë tënde dhe ndjehet mirë.

Dhe kjo më gëzon pa masë.

Durrës: 24 prill 2020