Nga Edmond Tupja

E dashur Klodiana, së pari, lejomë t’ju drejtohem kështu, thjesht fare, drejtpërdrejt, duke u përpjekur të arsyetoj edhe racionalisht, pra, me logjikë të ftohtë, edhe – përse jo? – emocionalisht, pra, me zemër, sepse, siç pohonte filozofi Paskal në Francën e shekullit XVII, “Zemra ka arsyet e veta që arsyeja nuk i njeh”. I neveritshëm e njëherazi i përbindshëm ai atentat që ata, të paemërtit e të pranishmit e nëndheshëm nën urdhrat e një kupole të kudondodhur në Shqipërinë tonë të çoroditur, tashmë të transformuar në një demokrature të frikshme, – kryen para tri ditësh kundër një pjese të së ardhmes shqiptare, pra, kundër fëmijëve tuaj, si edhe kundër prindërve tuaj pjesë e së tashmes shqiptare, që ju kanë edukuar, ndër të tjera, me frymën e ndershmërisë, e drejtësisë, e guximit dhe të dashurisë për profesionin.

Mirëpo, njëkohësisht, bëhej e bëhet fjalë për një atentat kundër gazetarëve në përgjithësi e kundër gazetarëve investigues në veçanti, që dinë të shmangin kurthet e ëmbla të gënjeshtrave për të zhbiruar të vërtetat e hidhura të dramës ngjethëse që po përjeton këto vitet e fundit Shqipëria jonë e mjerë. Nga ana tjetër, ky është një atentat kundër gruas shqiptare, që vazhdon të jetë në shënjestër të një dhune të paparë e të pafalshme, vetëm e vetëm se ajo – qoftë gazetare, qoftë gjykatëse, qoftë punëtore apo fermere – kërkon të jetë e barabartë me burrat e të marrë pjesë gjallërisht, duke thënë fjalën e saj në të gjitha fushat e jetës.

Sigurisht, është e qartë se atentati kundër të afërmve tuaj më të shtrenjtë shpalos paturpë sisht tiparet e një atentati të tipit tejet mafioz ngaqë ishte i pabesë: I pabesë, sepse u krye ndaj të gdhirë, i pabesë sepse futi në rrezen e tij vdekjeprurëse fëmijë të pambrojtur (si vajzat e tuaja të mitura) dhe njerëz të moshuar (si prindërit tuaj të tronditur) po aq të pambrojtur, dy kategori këto që kanë veçanërisht nevojë për siguri, dhembshuri e përkujdesje të pareshtur.

Gjithashtu, e dashur Klodiana, kini parasysh një gjë: mos pandehni se atentatorët kanë hequr ose do të heqin dorë nga qëllimet e tyre vrastare: Pa dashur të luaj rolin e Kasandrës së Homerit, dua t’ju them se, me shumë gjasë, ju do të bëheni sërish objekt sulmesh përherë e më të frikshme! Qëndroni, pra, vigjilente, ndërkohë që – dhe për këtë jam i bindur – do të vazhdoni deri në fund e pa u tutur punën tuaj si gazetare investiguese, sepse e tillë jeni gatuar: me brumin e ndershmërisë dhe të kurajës së patundur. Të panumërt janë ato dhe ata që ju admirojnë për punën tuaj në shërbim të së vërtetës, por mjaft gazetarë e publicistë ju vlerësojnë edhe profesionalisht për mënyrën se si niseni nga fakti, se si i zgjidhni e i renditni argumentet për ta çuar bindshëm lexuesin ose teleshikuesin drejt përfundimesh të mençura, por të paraqitura me një modesti të sinqertë ku natyrshëm gjejnë vend edhe hamendësimet e nevojshme, të cilat jo rrallëherë janë aq të domosdoshme për t’u futur në labirintin e errët të krimit e për të rindërtuar puzzle-in e nxjerrjes në dritë të autorëve të tij. Së fundi, lejomëni t’ju kujtoj batutën e famshme të filozofit Volter, i cili në Francën e më shumë se dy shekujve më parë, thoshte: “O Zot, mbromëni nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”. Përse po jua kujtoj? Thjesht sepse jetojmë në një kohë kur është rritur numri i atyre që pasi vrasin dikë natën, shkojnë dhe e qajnë ditën! Kriminelët e tipit narkoligarkomafioz janë aktorë të përkryer sidomos kur, njëkohësisht, kanë kapur disa hallka të rëndësishme të pushtetit qendror e vendor. Ruhuni, pra, prej atyre që shtiren sikur ju duan të mirën, ju jeni aq psikologe sa ta zbërtheni, qoftë edhe nëpërmjet vështrimit, se ç’bluan dikush që ju premton në mënyrë bombastike ose patetike mbrojtje e siguri juve, familjes dhe prindërve tuaj.

E dashur Klodiana,

Nuk do t’ju marr më nga koha juaj që është shumë më e çmuar se e imja. Besomëni, ju lutem, në solidaritetin tim intelektual dhe mos e reshtni kurrë e kurrsesi luftën tuaj, luftën e të gjithë gazetarëve, luftën tonë të përbashkët për ngadhënjimin e së vërtetës.