Me rastin e 70 vjetorit të lindjes

Lufti Zino mjeshtri historik i pedalimit

Emër i madh ndërtuar mbi vetflijimin

Titulli “Mjeshtër i Madh” më e pakta ndaj klasit të tij

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Kam gati një libër për Lutfi Zinon. Por në këto kushte, po vendos vetëm skedën bazë të aktivitetetit të tij itensiv. Po e shoqëroj vetëm me një kapitull, nga më delikatët e jetës së tij, ku baba Aliu për pak sa hapi dyert e mortit. Vdekja e kurseu mjeshtrin, pasi sakrificat e tij meriton besimin e Zotit. Skeda e tij është shumë e ngarkuar, pasi edhe formati i tij formues çiklistik është i pazakontë.

Lindi në Durrës më 20 prill 1950. Në vitin 1967 debuton me ekipin e “Lokomotivës”, pasi meriton vendin e parë në garën më cilësore lokale me itinerarin Durrës-Golem e kthim. Në garat e forcave të kufirit 1968, kalon i pari Qaf Thanën duke sfiduar mjeshtrat e njohur të kohës si Xhavit Gazheli, Eqerem Dervishi, Sali Hima, Zak Katragjoni, Muharrem Ahmeti etj. dhe në fund të kësaj veprimtarie meriton kupën si çiklisti më i ri.
Në Kupën “Skëndërbeu” me 11 janar 1968, me itinerar Durrës-Krujë-Durrës, preu shiritin në Krujë dhe renditet i treti në Durrës pas Berishës dhe Himës. Në Spartakiadën e Dytë Kombëtare, realizon një finish spektakolar duke hyrë i pari në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” Tiranë, si dhe duke ndikuar që Durrësi të renditet në vendin e dytë në klasifikimin final.

Në Rrethin Çiklistik të vitit 1969, fiton garën me kronometër Shkodër-Lezhë, duke e përshkuar distancën me kohën 56 minuta, si dhe duke rritur për herë të parë në historinë e çiklizmit, shpejtësinë e pedalimit 43 km/orë. Kryesoi këtë rreth deri në Gjirokastër, por si pasojë i një dëmtimi, nuk mundi të bëhet fitues i merituar i këtij rrethi. Në vitin 1970, inkuadrohet në klubin “Partizani”. Bëhet anëtar i padiskutuar i ekipit kombëtar me trajner Bilal Agalliun. Spikat angazhimi i tij në Xhiron e detit Marmara (Turqi), ku në një etapë ishte kryesues dhe kapet nga grupi i çiklistëve në 10 kilometrat e fundit, duke u renditur në vendin e 15-të.

Në këtë vit pëson një aksident të rëndë, duke u shkëputur nga çiklizmi 10 muaj dhe duke bërë çudinë me rikthimin, pasi dëmtimi mund ti merrte edhe jetën. Falë pasionit dhe këmbënguljes, duke treguar grintë dhe karakter i rikthehet çiklizmit, duke korrur admirimin dhe respektin e të gjithë komunitetit çiklistik. Në kampionatin e rrugëve malore shpejtësi – rezistencë në vitin 1970, fiton garën në kronometrin individual dhe meriton tri medalje të vëndeve të para. Fiton Rrethin Çiklistik në vitin 1971 dhe garën me kronometër në distancën 42 kilometra.

Në vitin 1972 kthehet në vendlindje – Durrës dhe ndikon që” Lokomotiva” e tij të fitojë Rrethin e 28-të Çiklistik të Shqipërisë. Është nga çiklistët kryesorë që grumbullohet në periudhën 1972-73 në ekipin kombëtar, i angazhuar në gara dhe stërvitje të përbashkëta me çiklistët kinezë në Kinë dhe Shqipëri. Martohet me Andonetën në vitin 1973, duke e shtuar familjen me tre fëmijë: Ilirin, Fluturën dhe Altin.

Kryen në vitin 1974 nga novacionet më brilante të çiklizmit, duke zvogëluar telajon (trupin) e biçikletës në përshtatje me gjatësinë e tij trupore, duke zmadhuar njëkohësisht edhe koronën nga 51 me 54 dhëmbë. Ky novacion ndikoi dukshëm, që “Lokomotiva”, të rikthehet tek fitimi i Rrethit Çiklistik. Në takimin me ekipin Cibo të Brashovës (Rumani), në përbërje të ekipit përfaqësues, çiklisti durrsak është i pari.

Mjeshtër sporti vlerësohet në vitin 1974 dhe Mjeshtri i Merituar në vitin 1994.
Gara Tiranë-Elbasan-Tiranë e vitit 1976, fitohet nga Lutfi Zino. Fiton Rrethin e 33-të Çiklistik në vitin 1977 dhe një vit më pas diploma është për të, si çiklisti më i mirë i Rrethit të 34-të. Sërish Lutfi Zino në kampionatin botëror të çiklizmit, zhvilluar në Valkenburg të Hollandës, ku e prezantoi çiklizmin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Fiton Anketën tradicionale 8 sportistët më të mirë të vitit 1978 dhe në vitin 1980 meriton Fletë Nderi dhënë nga autoritetet vendore të kohës, si mburrja i çiklizmit durrsak. Edhe në Rrethin e fundit çiklistik, ku mori pjesë në vitin 1981, sërish vlerësime me stimuj moralë si ndër më të dalluarit e këtij rrethi.

Ky është edhe viti që Lutfi Zino ndërpret aktivitetitn si çiklistik, për tu marrë me detyrën e trajnerit. Ngarkohet në vitin 1982 të ngrejë çiklizmin në Kavajë në përmasat e traditës, ku është kryer një punë e jashtëzakonshme. Duke bashkëpunuar me forcat kavajase si Aleko Gjoni dhe Jorgji Tirana, krijuan ekipin historik të “Besës” me çiklistë të njohur dhe cilësor si Rrapush e Kadri Popoi, Gëzim Dajsinani, Ilir Babani, Selim Rroqja, Qemal Qela, Qemal Shala dhe Hysen Jaupi. Një pjesë të këtyre çiklistëve i aftësoi deri në veshjen e fanelës së ekipit kombëtar.

Mbaron studimet e larta në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sportiv dhe në vitin 2001 shikohet në Durrës, teksa ringren ekipin e “Teutës”, pas një heshtje të plotë 10 vjeçare. Fiton me këtë ekip në vitin 2003 Rrethin Çiklistik dhe përgatit një kampion të spikatur si Ermir Avdollin. Edhe djalin Altin Zino, e përgatiti si një çiklist nga më të mirët, por dëmtimi e ka kthyer sot në një invalid, ku me të drejtë ky hero i dyrrotakëve ia fali çiklizmit.

Kjo është skeda, e njërit prej çiklistëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, mjeshtrit të merituar të sportit Lutfi Zino. Lutfi Zino prej 10 vitesh jeton në Manhatan të Amerikës. Mbase me 20 prill 2020, po të ishim në kushte të tjera, jam i mendimit se ne presidencë, do të bëhej një festë e madhe, për ti dhënë një titull të lartë, fort të merituar njërit prej titullarëve më të bindur të çiklizmit shqiptar.

Dhe me 20 prill 2020, Lutfi Zino e kishte taksur, për të bërë një dasëm të madhe, që pa dyshim do të sihte dasma e madhe e çiklizmit. Ai kujtoj me mall të gjithë shokët që pedaloi, por edhe trajnerin historik, të paharuarin Met Musta. Nga jetshkrimi i gjatë dhe i plotë i Lutfi Zinos, po bëj publike vetëm një fragment.

Jetë të gjatë mjeshtër! 70 vjetori yt mbetet historik dhe nuk ka Covid që ta zbehë. Pranë teje mjeshtër, duke kujtuar dhe të qënë mirnjohës, për atë që i dhe “Lokomotivës” tënde, “Partizanit” dhe ekipit kombëtar!

Të presim mjeshtër, të presim!

“VDEKJA” E PASHPALLUR

Kur ndodhi ai tmerr ishte fundviti 1969. Zino vinte nga një pedalim historik në garën ndërkombëtare të detit Marmara (xhiro e Turqisë). Ishin marrë për ekipin kombëtar që përbëhej nga Lutfi Zino, Dashamir Rama, Haki Nikoçi, Sali Hima, Adnan Rudi dhe Sami Kotorri, biçikleta kineze që ishin të lehta, krahas markës çeke “Favorit” me trupa të rëndë 13-14-kilogramësh që përdoreshin nga tanët.

Por këto kinezet e “shkreta”, kishin probleme me këputjen e telave thuajse në çdo etapë. Kjo frenoi shprehjen e plotë të aftësive të çiklistëve shqiptarë. Nga ekrani i memories Zino nxjerr në pah këtë fragment: “Shkëputem dukshëm në etapën e fortë malore Çenakala-Bedipërdur. Kryesova i vetëm për 70 kilometra. Por ja që kinezja (biçikleta) më la në baltë. Më këputet pedali. Në 10 kilometrat e fundit kapem nga grupi, duke u renditur në vendin e 14-të. Shtypi turk foli shumë mirë për çiklistët shqiptarë. Kjo më dha krahë. Më shtoi kurajën për të guxuar, pavarësisht se cilët ishin rivalët e mi”.

Sapo kthehet nga ky sukses, në një segment stërvitor në rrugën Durrës-Tiranë, krejt papritur ndalon një makinë e vogël ushtrie. Dhe Zino shikon tmerrin me sy. Teksa po vështronte ndryshimin e marsheve te korona, përplaset fuqishëm te mjeti dhe bie në tokë i gjakosur dhe pa ndjenja. “Nuk mbaj mënd se çfarë ndodhi me mua. Jam dërguar urgjent në spitalin ushtarak. Petrit Dume [shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë popullore] kishte dhënë urdhër t’i shpëtohet pa tjetër jeta çiklistit.

Dhe neurologu Ismail Feta, bëri një operacion të vështirë ku vdekja ishte në përqindje më të madhe nga jeta”. Ali Zino hapi shtëpinë për mort dhe vetëm atëherë e kuptoi që dikur kishte pasur të drejtë, kur e kishte menduar këtë sport me risk të lartë për të birin.

Pas një kome të zgjatur, Lutfi Zino ishte në të drejtën e zotit dhe reagon në mënyrën më të pabesueshme. 9 muaj larg çiklizmit, por me dëshirën e jashtëzakonshme për t’u strehuar përsëri mbi shalën e biçikletës. Mrekullia mban emrin Lutfi Zino.

Pas kësaj “vdekjeje” të gjallë, Zino bëhet pronar i tre medaljeve të arta, duke e kaluar deri në harresë dramën e disa muajve të shkuar. Dhe tani kur e vështron, mbi kokën e Zinos janë vendosur disa qepje të frikshme, si një dëshmi e sakrificave dhe vetëmohimit që ka treguar ky emër i artë i çiklizmit.

Durrës: 20 prill 2020