Rruga e Kombit dhe trau i Edi Ramës

01/04/2018 - 08:51

Pagesa për rrugët nga përdoruesit e saj është një formë e njohur dhe e pranuar si një kosto që qytetari është i gatshëm ta paguajë për të përfituar në këmbim shpejtësi, komunikim dhe siguri, lëvizje më të lartë sesa në një rrugë tjetër pa pagesë. Por Rruga e Kombit, për të cilën tani duhet të paguhet minimalisht 5 euro për çdo kalim, nuk mund të futet e të matet vetëm me këto kallëpe.

Anomalia e këtij trau të vendosur me pagesë nga qeveria Rama fillon që në koncept. Koncesionet e pastra në rrugë funksionojnë, së pari kur e gjithë rruga ndërtohet nga privati dhe më pas, tarifa e paguar nga publiku shkon si shpërblim për investimin e kryer prej tij. Kurse Rruga e Kombit u ndërtua nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk ka se si më tej tarifa të mos kthehet mbrapsht në emër të tij, po t’i shkojë koncesionarit.

Për të dhënë një rrugë me pagesë, duhet të paktën të plotësohen edhe kushte të tjera: qytetarët të kenë një alternativë tjetër rruge pa pagesë dhe sikundër në vendet e zhvilluara që aplikojnë koncesione të tilla, kërkohen edhe më shumë alternativa transporti (transport publik, hekurudha etj.).

Koncepti i tarifës së Rrugës së Kombit që paguhet nga ai që e përdor nuk qëndron dot në këmbë, edhe për një fakt tjetër. Të gjithë shqiptarët që kanë sot një automjet, e paguajnë taksën vjetore të qarkullimit si një detyrim për rrugët që përdorin, por pse në Rrugën e Kombit duhet të paguajnë dy herë.

Vende të vogla si Shqipëria, që të shmangin shpenzimet operative, aplikojnë taksën vjetore, nuk vendosin tarifa të tjera për rrugët, ose dhe aty ku rrugën e ka ndërtuar privati, ekzistojnë rrugët paralele dhe ndërlidhëse pa pagesë mes çdo qendre të banuar. Ndërkohë që Rruga e Kombit është i vetmi aks që lidh verilindjen me Tiranën dhe e vetmja që lidh shqiptarët nga të dyja anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga vendosja e traut në Kalimash e pësojnë më shumë shqiptarët e Kosovës. Ka shumë autostrada në Shqipëri të cilat janë mbarur dhe për to mund të aplikoheshin tarifa, pasi ekzistojnë edhe rrugët paralele me to. Por përse qeveria e zotit Rama zgjodhi pikërisht Rrugën e Kombit???

Ata që dëmtohen më shumë në këtë histori janë shqiptarët e Kosovës, të cilët sot duhet të paguajnë për katër vajtje-ardhje në këtë rrugë sa gjithë taksa vjetore e rrugës në Zvicër. Do të rëndohet biznesi i Kosovës, i cili qarkullon më shumë përgjatë rrugës, do të dëmtohen financiarisht familjet kosovare që po përdorin masivisht edhe fundjavat e zakonshme për të pushuar në Shqipëri.

Qeveria e Tiranës gabon kur e shikon këtë rrugë thjesht një investim që duhet të kthejë mbrapsht në kohë paratë e paguara për të, pasi pasurinë më të madhe dhe përfitimin më të madh, duke bashkuar shqiptarët, ajo po e kthen teksa 7 mijë automjete lëvizin për ditë përgjatë saj.

Rruga e Kombit nuk është thjesht një aks infrastrukture, por është filli që lidh shqiptarët të ndarë forcërisht nga njëri-tjetri. Por trau i vendosur në rrugë tani u bën karshillëk shqiptarëve të Kosovës duke i diferencuar si qytetarë të një shteti tjetër dhe jo si shqiptarë të një kombi. Ndaj me traun e tij, zoti Rama i ka bërë ndërkohë një karshillëk të madh edhe aspiratës së shqiptarëve për të punuar e për të jetuar së bashku, duke rrezikuar që këtë rrugë të mos e quajmë me Rrugën e Kombit, por si rrugën e traut që po rindan shqiptarët. /Monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: