Sfida që krimi po i bën çdo vlere të shoqërisë sonë

22/10/2017 - 22:16

Akuza e Prokurorisë së Krimeve të Rënda se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është pjesë e një grupi kriminal që trafikon lëndë narkotike, nuk është as fillimi dhe as fundi i një historie. Fati njerëzor i z. Tahiri, në këtë pikë ku ka arritur ngjarja, do të përcaktohet nga drejtësia, ndërsa fati i shoqërisë shqiptare do të luhet ndryshe, në hapësira më të mëdha se kufijtë e diskutimit rreth një individi.

Për këtë arsye, rasti i z. Tahiri duhet parë në tërësinë e tij, për të na hedhur dritë që të kuptojmë përmasat dhe shtrirjen e “Shqipërisë së krimit” dhe me çfarë duhet të përballet shoqëria prej nesër, që të çlirohet prej saj.

Nga një vlerësim i bërë rreth përmasës së kësaj ekonomie “të zezë”, vetëm nga kultivimi dhe tregtimi i hashashit, gjatë vitit 2016, bota e krimit në Shqipëri qarkulloi rreth 1.2 miliardë euro. Kjo vlerë përfaqëson rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 2014, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin vlerësonte se fitimi nga drogat në vendin tonë kapte 2.6 për qind të PPB.

Nisur nga këta dy tregues, ndonëse me rezervën se krahasojmë dy gjëra që ndoshta kanë metodika të ndryshme llogaritje, është e qartë që kemi një tendencë në rritje të pushtetit financiar të botës së krimit. Por ajo që konfirmohet në të dy shifrat e dhëna më sipër, është se përmasa e ekonomisë së krimit është e tillë në ekonominë kombëtare, që i lejon të diktojë me forcë rregulla apo të bëhet pjesë në vendimmarrje në mënyrë indirekte. (Të paktën këtë mund të themi tani për tani).

Por shoqëria dhe demokracia shqiptare, në veçanti, duhet t’i druhet një tjetër përmase. Asaj të sfidës që krimi po i bën çdo vlere të shoqërisë sonë dhe në kushtet e mungesës së drojës nga ndëshkimi, po kërkon rol gjithmonë e më të madh në vendimmarrje.

Në një pjesë të tabulateve të zbardhuara nga antidroga italiane gjatë bisedës, një prej dy trafikantëve shprehet: “ç’ka ai më shumë nga ne?”. Me sa duket, jemi në një situatë kur “kriminaliteti” i njeh vetes të drejtën për më shumë pushtet. Krimi ka arritur të mendojë se është i pathyeshëm, se mund të sfidojë këdo, se është superior dhe mund të fitojë mbi këdo.

Dhe kjo është pjesa më domethënëse e vlerësimit të këtij rasti, që të bën të mendosh se jemi në një moment thelbësor në udhëtimin e gjatë të tranzicionit shqiptar nga sistemi totalitar drejt një demokracie funksionale. Jemi në një udhëkryq, midis “Republikës” si model Qeverisje që funksionon në bazë të votës së qytetarëve të saj dhe “Anarshisë”, ku vendi përfundon në rastin kur nuk funksionon Ligji e dominon krimi.

“Ai” me të cilin “maten” kriminelët në komunikimin e tyre të lexuar në tabulate, nuk është Saimir Tahiri, është ministri i Brendshëm, është krahu i djathtë i Kryeministrit, është një nga shtyllat e qeverisjes në një vend. Dhe krimi mendon se mund të dalë mbi të! Ky fodullëk, nuk vjen as rastësisht dhe as befasisht.

Prej vitesh, krimit në Shqipëri i është hapur rruga për të sfiduar këdo, sepse njerëzve të ndershëm të këtij vendi, jo vetëm ju është mohuar drejtësia nga një sistem gjyqësor që rezulton në të gjitha gjykimet si i korruptuar dhe i paaftë të shërojë veten, por i ka munguar edhe një klasë politike që distancohet nga krimi në të gjithë pjesët e procesit politik, që nga organizimi e administrimi i zgjedhjeve, që nga përfaqësimi politik e deri tek administrimi i pushtetit e qeverisja në çdo nivel.

Pavarësisht se çfarë ndodh me të, Saimir Tahiri, nuk përfaqëson vetëm veten. Ai është një figurë politike e lartë e një modeli qeverisje si filozofi dhe, nga ana tjetër, duke qenë ministër i Brendshëm, ai përfaqëson majën më të lartë të shtetit që mbron zbatimin e ligjit e duhet të luftojë krimin.

Gjykimi për rastin e tij, duhet të jetë moment reflektimi për gjithë aktorët politikë e grupet e interesit e të përfaqësimit në vend.

Politika shqiptare, por në radhë të parë Opinioni Publik shqiptar do të duhet që me këtë rast të vendosë disa parime etike të qarta për problemin e distancimit të politikës nga krimi.

Këto duhet të tejkalojnë rreshtat apo frazat standarde të ligjeve të aprovuara deri më sot për “dekriminalizimin” e Parlamentit apo të “vettingut” të gjyqtarëve sot (e ndoshta edhe të punonjësve të administratës publike nesër), për të pasur një standard që përjashton, përbuz e refuzon të diskutojë për çdo lloj “ngjyerje” të një personazhi publik të këtij niveli në çfarëdo afere kriminale apo çfarëdo krimineli!

Marrë nga 'Monitor'

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: