Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti në anijet e specializuara të Terminalit të kontejnerëve janë përpunuar 65.419 kontejnerë (njësi kontejnerike TEU), ose 2.368 njësi TEU më shumë se në 7 muajt e parë të vitit 2016.

Nga sektori i Statistikave në APD, mësohet se vetëm gjatë muajit korrik janë përpunuar 11.511 kontejnerë TEU, ose 1.378 më shumë se sa në korrik 2016.

Numri i kontejnerëve TEU për eksport në këto 7 muaj është më i lartë se sa ai i kontejnerëve TEU me mallra importi, përkatësisht 32.887 të eksporteve ndaj 32.532 me mallra importi.

Në Terminalin e kontejnerëve, në kalatën 6, gjatë periudhës janar-korrik janë përpunuar 110 anije gjithsej. Kontejnerët kanë transportuar afro 815 mijë ton mallra në 7 muaj, dhe megjithë numrin e madh të kontejnerëve për eksport, volumi i mallrave të importit ze afro 64 përqind të sasisë së përgjithshme. Anijet e kontejnerëve vijnë ose i drejtohen kryesisht porteve të specializuar në Gioia Tauro (Itali), në Maltë dhe Kastiglione (Spanjë).