Skemat e pensioneve përveç plakjes së popullsisë po vuan keqmenaxhimin e institucioneve publike, të cilat nuk i paguajnë sigurimet shoqërore të punonjësve në kohë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportoi se borxhi i krijuar nga sigurimet shoqërore të papaguara ka arritur në vitin 2019 në 15,1 miliardë lekë. Ky borxh është zgjeruar me 9 për qind ose 10 milionë euro në raport me vitin 2018. Këto detyrimeve do të rriten edhe me tej këtë vit për shkak të vështirësive që ka krijuar pandemia Covid-19.

Burimet në tatime bëjnë me dije se borxhlinjtë më të mëdhenj janë ndërmarrje dhe ente publike. Lista e borxhlinjve dominohet nga ndërmarrjet e ujësjellësit, ish-komunat, klubet e futbollit, sh.a.-të shtetërore, qendrat shëndetësore, zyrat arsimore, repartet ushtarake, madje edhe institucione të larta të administratës publike.

Detyrimet janë krijuar në katër vitet e fundit, pasi në vitin 2015, qeveria “Rama”, e cila sapo erdhi në pushtet i shleu të gjitha detyrimet e gjetura nëpërmjet një pakete të re borxhi mbi 500 milionë euro.

Në vitin 2015, qeveria i forcoi masat dhe penalitetet ndaj biznesmenëve që shmangin pagesat e sigurimeve shoqërore. Sipas ligjit të procedurave tatimore, nëse nga kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë prej 500 000 (pesëqind mijë) lekësh.

Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta, raporton “Monitor”.

Buxheti i shtetit i subvencionon të ardhurat e munguara nga taksa e sigurimeve prej të ardhurave të tjera të përbashkëta nga buxheti. Në këtë mënyrë, shqiptarët i kanë paguar me taksa të tjera abuzimet që administrata e shtetit dhe entet publike kanë bërë me fondet e sigurimeve. Këto fonde janë të planifikuara, por drejtuesit e enteve buxhetore devijojnë përdorimin e tyre në destinacione të tjera. Ndërsa efektet afatgjata lidhen me dëmet që këto borxhe do të krijojnë në pensionet e pleqërisë ndaj personave që po punojnë aktualisht në entet borxhlie.