Air Albania ka publikuar në faqen e saj të internetit çmimet për fluturimet e reja që do të nisë drejt tre destinacioneve të Italisë, Romës, Milanos dhe Bolonjës, të cilat janë aktive nga fundi i shtatorit.

Kompania, me flamur shqiptar, që ka nisur aktivitetin pak muaj më parë, ndryshe me destinacionin e parë, që ishte tepër i shtrenjtë, me bileta që kushtonin deri në 300 euro për një drejtim, është më konkurruese me çmime për Italinë. Ekzistenca e disa operatorëve në linjat drejt Italisë ka bërë që Air Albania të ofrojë çmime të ngjashme me ta, me një luhatje fare të vogël, si një apo dy euro më të lira, teksa mesatarisht nëse prenoton dy muaj më parë, mund të udhëtosh vajtje-ardhje me Air Albania me 100-110 euro në tre destinacionet e reja.

Këtë vit, biletat vajtje-ardhje drejt Italisë kanë shënuar një rënie të ndjeshme, ku përveçse në periudhat e pikut në verë e Vit të Ri, ato janë luhatur në 100-130 euro.

Monitor bëri në faqet përkatëse për një udhëtim vajtje- ardhje në datat 4 dhe 7 tetor.

Roma

Nëse marrim udhëtimin vajtje-ardhje nga Tirana në Romë, në datat 4 dhe 7 tetor, me Air Albania, çmimi është 109.2 euro.

Me Blue Panorama, bileta kushton 110.2 euro.

Me Alitalia, për të njëjtat data, bileta kushton 116.1 euro.

Milano

Po për të njëjtat data (vajtje 4 tetor dhe kthim 7 tetor) për në Milano, me Air Albania, bileta kushton 109.4 euro.

Me Blu Panorama, bileta është e disponueshme për 110.4 euro.

Me Fly Ernest, mund të shkosh e të vish me 111.8 euro.

Bolonja

Bolonja është më e lirë. Me Air Albania, po në datat 4 dhe 7 tetor, udhëtimi kushton 98.59 euro.

Me Blue panorama kushton 101.68 euro.

Çmime të ngjashme ka dhe Fly Ernest, me 101.8 euro.