TIRANË, 26 shkurt 2013- Pas vendimit të Autoritetit të Ushqimit në Kosovë për të hequr nga tregu disa lloje qumështi të prodhuara në Shqipëri, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit realizoi analizat e nevojshme që përcaktojnë normën e aflatoksinës. 

Sipas rezultateve të publikuara nga AKU, qumështi i bllokuar në Kosovë rezulton pozitiv në aflatoksinë.

Për këtë arsye Autoriteti Kombëtar i Ushqimit urdhëroi heqjen e produkteve nga tregu, deri në shqyrtimin e analizave përfundimtare të qumështit. 

Pak ditë më parë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUV) ka hequr nga tregu disa lloje të qumështit shqiptar.

Kjo agjenci u ka kërkuar qytetarëve që të mos i blejnë këto produkte qumështi. Dy prej llojeve të qumështit që janë bllokuar janë "Primalat" dhe "Fast". 

Drejtori i prodhimit në kompaninë 'Primalat', Vigan Dervishi, deklaroi se qumështi që prodhohet në këtë kompani është i garantuar dhe i kontrolluar në laboratorët më të njohur.

Sipas Dervishit, vendimi i Agjencisë kosovarë është i pamenduar dhe tendencioz, pasi analizat e bëra nga kjo agjenci mund të kenë probleme. 

Norma e lartë e Aflatoksinës mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin e njeriut. Ekspozimi i gjatë ndaj aflatoksinës mund të shkaktojë tumor të mëlçisë, hemorragji, enjtje dhe deri gjendje kome.