METE ka nisur tashmë negociatat me kinezët e “Win Business”, të renditur të dytët në tenderin e privatizimit të Albpetrol – raporton revista ekonomike Monitor.

Sipas të përjavshmes në fjalë, “qeveria shqiptare është duke pranuar në heshtje dhe me hidhërim të plotë faktin se oferta 850 milionë euro nuk është ajo ëndrra që bëhet realitet”.

Ajo çfarë i mbetet tashmë Ministrisë së Ekonomisë është nisja e procedurave për të negociuar me kompaninë e vendit të dytë, e cila ka ofruar një çmim gati tre herë më të ulët se “Vetro”, por siç thonë zyrtarë të ministrisë “janë më seriozë”.

“Win Business” ofroi një çmim prej 297.6 milionë eurosh, me rreth 250 milionë euro të tjera për të investuar, duke u pozicionuar në vendin e dytë, me 44 pikë.

Po sot, e përditshmja DITA ka botuar një portret të pronarit të Win Business. “Sit Kwong Lam (në foto) është pronari i grupit “Brightoil Petroleum” pjesë e të cilit është dhe kompania “Win Bussines”. Forbes e rendit si njeriu i 59 më i pasur i Kinës ndërsa grupi i tij renditet si importuesi i tretë më i madh i naftës dhe gazit në Kinë,” shkruan kjo e përditshme.