Përmes një dokumenti, Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka bërë me dije se gjatë muajit shtator-tetor nga bizneset janë depozituar 51 kërkesa, ndër të cilat 30 kanë qenë kërkesë/ankesa. Pas këshillimeve dhe gjetjes së hapësirave ligjore për të trajuar çështjet, ministria njofton se i janë dhënë zgjidhje kërkesave të ardhura nga subjekte të ndryshme.

“Çdo propozim që na mbërrin nga grupet e ndryshme të interesit, sipërmarrësit, apo shoqatat, koordinohet me ministritë përkatëse të parashikuara për zgjidhjen specifike të secilës çështje, ndaj një pjesë e këtyre propozimeve janë në proces përpunimi dhe do të raportohen në vijim”, thuhet në raport.

Në regjistrin e ankesave të trajtuara vihen re 12 kërkesa janë ankesa të trajtuara nga  Ministria e Ekonomisë dhe Financave, si dhe 6 nga Ministria e Energjisë. Të tjera tematika për të cilat bizneset janë ankuar, janë trajtuar nga: Drejtoria e Patentave dhe Pronësisë Intelektuale, Fondi i Sigurimit Shëndetësor, Ministria e Bujqësisë, Drejtoria e Metrologjisë, AMA etj.

Ndër tematikat që bizneset kanë dërguar kërkesën e tyre për shqyrtim për zgjidhje, vihet re një kërkesë e datës 8 tetor, në të cilën subjekti raporton vendosje gjobe për pasaktësi në prerjen e kuponit tatimor. “Gjoba është 330 herë më e lartë se vlera e kuponit”, ankesë kjo e trajtuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Një tjetër Subjekt raporton se është ndëshkuar nga dogana për mospajisje me autorizim për prodhim mallrash akcize. Subjekti raporton se ka një vendim gjykate te formës së prerë i cili duhet zbatuar, duke hequr konfiskimin e makinerive dhe asgjësuar mallin e konfiskuar.

Ndër ankesat e tjera të listuara në dokumentin e mëposhtëm haset: Subjekti raporton problematikë me ERE; mosmbyllje në Q.K.R. Gjobë në tatime që duhej të ishte hequr. Ndërkohë që vërtetimi te tatimet është pa detyrime; Raportim problematike mbi tarifat vendore si biznes i madh etj. /Monitor/