Nga institucionet e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri do të ofrohen 122 kualifikime profesionale.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, miratoi katalogun Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale. Në dokumentin e botuar në Fletoren Zyrtare, përfshihen kualifikimet profesionale që nga teknologjia ushqimore, tekstile-konfesione, përpunim druri, stilim, shërbime në hotel dhe restorante, elektronikë etj.

Kohëzgjatja e programeve të kualifikimit është nga 1 deri në 4 vjet. Katalogu kombëtar i kualifikimeve u miratua në bazë të ligjit “Për arsimin dhe formimin profesional” të 2017-s.

Referuar ligjit të arsimit profesional, kualifikimet profesionale përmbajnë nivelet 2, 3, 4 dhe 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK). Kualifikimet e plota ose të pjesshme profesionale mund të përftohen nëpërmjet këtyre formave: ndjekjes së arsimit profesional me bazë shkollën; ndjekjes së kurseve profesionale, ku përfshihen edhe praktikat profesionale në ndërmarrje apo forma të tjera të mësimnxënies praktike; regjistrimit si nxënës, duke u punësuar në një ndërmarrje (forma e dyfishtë); njohjes të të nxënit të mëparshëm informal dhe joformal; njohjes të të nxënit të përftuar jashtë vendit; formave të tjera të përcaktuara me ligj.

Sistemi i arsimit profesional ofron përfundimin e arsimit profesional bazë, i orientuar sipas drejtimeve të gjera profesionale, me kohëzgjatje 2 vite shkollore pas përfundimit të arsimit bazë, mund të përftohet niveli 2 i KSHK-së.

Ky nivel arsimor përfundon me certifikatë të përgatitjes bazë profesionale dhe lejon kalimin në nivel më të lartë të arsimit profesional ose në tregun e punës. e përfundimin e arsimit profesional, i orientuar sipas profileve profesionale për çdo drejtim profesional, me kohëzgjatje 2 vite shkollore, mund të përftohet niveli 3 dhe 4 i KSHK-së, pas përfundimit të arsimit profesional bazë.

Ky nivel arsimor përfundon me certifikatën e punëtorit të kualifikuar, teknikut/menaxherit në profesionin përkatës dhe/ose me diplomën e maturës shtetërore profesionale, si dhe lejon kalimin në tregun e punës e në arsimin e lartë. /Monitor