“Bizneset e vogla në bashkinë e Durrësit taksohen më pak se gjysma e taksave që kishin dy vite më parë”,- kështu është shprehur drejtori i këtij sektori, Avdyl Koka i cili tha se heqja e taksës së tatimit mbi fitimin ka lejuar bizneset e vogla të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Përgjatë 5 muajve të parë të vitit 2017 plani i tatim taksave në bashki është realizuar në 97%.

Koka bëri me dije sa me mbylljen e fushatës dhe procesit zgjedhor sektori që ai drejton do të vijojë me kontrollet në të gjitha bizneset e vogla në Durrës.  E nëse do të krahasonim 2016-n me vitin aktual fitimi nga biznesi i vogël është në rritje.

Fokusi i punës së Drejtorisë së Tatim Taksave sipas Kokës do të jenë bizneset përgjatë bregdetit, ku do të ushtrohen kontrolle të herëpashershme. Përsa i përket bizneseve sezonale ai tha se ato do të taksohen për sa kohë zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Ndërsa kategoria e bizneseve debitore do të përballet me ligjin sipas gradës së shkeljes. Masa ndaj tyre fillon me lajmërimin, bllokimin e llogarive bankare e shërbimeve e deri në sekuestro. Deri më tani janë mbledhur 35 milionë lekë të reja nga bizneset debitore përgjatë vitit 2016, si rezultat i bllokimit të llogarive bankare.