Banka e Shqipërisë: Rikuperimi do të ndodhë për dy vjet

04/07/2020 - 08:33

Në një analizë të posaçme për “Monitor”, Banka e Shqipërisë pohoi se, në rrethanat që ndodhemi, pasiguria në parashikimet makroekonomike është relativisht e lartë, por megjithatë, në një skenar bazë të ndërtuar mbi premisën e zhdukjes së pandemisë gjatë vitit 2020 dhe supozime të arsyeshme mbi ambientin e brendshëm dhe të huaj, ekonomia shqiptare pritet të rikuperojë humbjet e pësuara gjatë pandemisë brenda dy viteve të ardhshme.

Sa vite i duhet ekonomisë të rimëkëmbet, si në drejtim të treguesve makro dhe mikro, prej pasojave të pandemisë COVID?

Pandemia COVID-19 ka shkaktuar goditjen më të rëndë mbi ekonominë shqiptare në dy dekadat e fundit.

Kjo goditje ka ndikime makroekonomike, në formën e rënies së vëllimit të aktivitetit ekonomik, të rritjes së papunësisë, si dhe të rritjes së borxhit privat e publik. Po ashtu, ajo ka dhe një ndikim të fortë mikro, në formën e problemeve specifike në sektorë të caktuar të ekonomisë si rënies së të ardhurave dhe vështirësive financiare në mjaft familje dhe biznese.

Sikundër e kemi thënë në komunikimet tona publike, Banka e Shqipërisë pret një rënie relativisht të ndjeshme në vitin 2020 dhe një kthim në territor pozitiv të rritjes ekonomike në vitin 2021.

Në rrethanat që ndodhemi, pasiguria në parashikimet makroekonomike është relativisht e lartë, gjë që evidentohet dhe në shpërndarjen e lartë të projeksioneve. Megjithatë, në një skenar bazë të ndërtuar mbi premisën e zhdukjes së pandemisë në vitin 2020 dhe supozime të arsyeshme mbi ambientin e brendshëm dhe të huaj, ekonomia shqiptare pritet të rikuperojë humbjet e pësuara gjatë pandemisë brenda dy viteve të ardhshme.

Cilët sektorë dhe cilët tregues do ta kenë më të vështirë rikuperimin?

Është e vështirë të bëhen projeksione në nivel sektorial dhe treguesish individualë, edhe pse pandemia COVID-19 rrezikon të sjellë ndryshime jo të vogla në sjelljen e individëve dhe modeleve të biznesit.

Megjithatë, ajo që mund të thuhet me siguri është se trashëgimia e krizës do të jetë një nivel më i lartë borxhi publik dhe privat.

Çfarë ndërhyrjesh këshilloni?

Banka e Shqipërisë e ka bërë vazhdimisht të pranishëm vizionin e saj mbi masat që duhen marrë për përballimin me sukses të krizës. Në mënyrë të përmbledhur, objektivi i ndërhyrjes publike dhe i reagimit të sektorit privat, duhet të jetë ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit dhe zbutja e ndikimit të pandemisë në kapacitetet prodhuese të vendit. Kjo e fundit nënkupton si ruajtjen zinxhirëve të prodhimit dhe tregtimit, ashtu edhe zbutjen e pandemisë në treguesit e papunësisë afatgjatë dhe në brezin e ri.

Në terma më konkretë:

Politika fiskale duhet të ketë rolin primar në adresimin e sfidës, nëpërmjet kompensimit të pjesshëm financiar të familjeve dhe shtresave në nevojë, nëpërmjet marrjes së masave për përmirësimin e likuiditetit të biznesit, si dhe shfrytëzimit të hapësirave të kuadrit tatimor për ofrimin e lehtësive të përkohshme të bizneseve. Deri më tani, qeveria shqiptare ka adresuar në mënyrë të arsyeshme secilën prej këtyre objektivave. Sikundër e kemi thënë, kjo ndërhyrje fiskale nënkupton një rritje të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, por ky është një aksion i nevojshëm për ruajtjen e ekuilibrave të përgjithshme monetare dhe financiare të vendit.

 Politika monetare ka marrë dhe do të vazhdojë të ruajë një natyrë stimuluese, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe të shërbimit të borxhit dhe nxitjen e kërkesës agregate. Nga ana tjetër, rregullimi dhe mbikëqyrja e sektorit bankar do të kujdesen për lehtësimin e kushteve të kreditimit, pa paragjykuar në asnjë moment qëndrueshmërinë e sektorit bankar, si në nivel sektorial ashtu dhe në nivel të individual. Nisur nga roli strategjik që ka sektori bankar në zhvillimin afatgjatë të vendit, si dhe nga funksioni i tij si ruajtës i kursimeve të familjeve shqiptare, stabiliteti bankar është një parakusht i panegociueshëm i çdo veprimi të Bankës së Shqipërisë.

Së fundi, sektori privat duhet të tregohet më i kujdesshëm në administrimin e flukseve financiare, më fleksibël në aspektin operacional, si në drejtim të modifikimit të modeleve të biznesit ashtu dhe në drejtim të adoptimit të teknologjisë së informacionit, dhe më bashkëpunues e solidar në të gjithë partnerët që kanë në zinxhirin e prodhimit dhe tregtimit.

Orientimi i reagimit publik dhe privat në këto prioritete, si dhe vëmendja e fleksibiliteti për të ndërmarrë masat e duhura në kohën e duhur, janë një premisë e rëndësishme për përballimin me sukses të sfidës. /MONITOR

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Më 17 shkurt të vitit 2020, në Konferencën e Donatorëve, e cila u mbajt në Bruksel për të mbledhur financime për rindërtimin e pasojave t

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha një konferencë për mediat se pandemia e koronavirusit goditi rëndë ekonominë shqiptare

Monedha e gjelbër ka shënuar një tjetër rënie në tregun e brendshëm edhe gjatë ditës së sotme, ndryshe nga euro që ka ndalur nënçmimin.

Ndonëse në këtë periudhë pakkush mund të mendojë të bëjë investime, apo të realizojë blerje të mëdha, normat e interesit janë më të favor

Kushdo që kërkon të vazhdojë arsimin e lartë, apo të mësojë për një profesion të caktuar, në finale ka si qëllim të arrijë të paguhet sa

Orientimi i burimeve drejt prodhimit të maskave i mundësoi kompanisë së prodhimit të tekstileve, SAM, jo vetëm të kompensonte rënien e po

Nga Paketa financiare 2, rreth 82% e përfituesve janë paguar me bonusin 40 mijë lekë, sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë të F

Pas disa problemeve gjatë dy ditëve të fundit që ngadalësoi procedurat e dorëzimit online në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), pasdite

Çmimet e banesave në Durrës mbeten relativisht në të njëjtat nivele si para tërmetit, megjithëse qyteti bregdetar pësoi një goditje të fo

Nga 1 maji më 14 korrik, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 54% me bazë vjetore.