Nga Mila Ballhysa

“Biznesi në Durrës është në vdekje klinike dhe ka nevojë për ndërhyrjen e qeverisë dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për të dalë nga gjendja e komës”.

Me këto fjalë e përshkruan kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Alban Isteri, situatën mjaft kritike që po kalon biznesi pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Ndërsa e gjithë vëmendja e strukturave shtetërore është përqendruar tek sigurimi i strehimit për mijëra banorë të Durrësit shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme, biznesi është lënë tërësisht në harresë këto ditë. Dëmet e pësuara janë kolosale, pasi vetëm njëri nga bizneset, kompania “Edipack” në Porto-Romano të Durrësit, me pronar Bardhyl Balteza, llogarit një dëm paraprak në rreth 3-4 milionë euro.

Sipas Isterit, deri më tani janë 20 fasoneri me rreth 150-200 punëtorë secili, që edhe sot, në ditën e 12-të pas tërmetit, nuk kanë nisur ende punën, pasi ambientet dhe makineritë janë dëmtuar.

Rreth 850 biznese të vogla janë mbyllur për shkak të dëmtimeve në godinat ku ushtronin aktivitetin, ndërkohë që janë rreth 100 biznese të mëdha që kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Ajo që është më shqetësuese këto ditë është se janë edhe një pjesë e konsiderueshme biznesesh që vazhdojnë të ofrojnë shërbime në katet e para, ndërkohë që katet e sipërme janë kthyer në të pabanueshme.

Për këtë arsye, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë, një ndër kërkesat parësore që i ka parashtruar Këshillit të Ministrave është “koordinimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Shtabit të Emergjerncave për dërgimin e grupeve të ekspertëve për verifikimin e dëmeve në objektet e biznesit dhe certifikimin e godinave  me qëllim rifillimin e punës në mënyrë sa më sigurtë për punëmarrësit”.

Isteri thotë për DurrësLajm se bizneset duan siguri për punonjësit e tyre, prandaj është i domosdoshëm çertifikimi i ambienteve ku ata ushtrojnë aktivitetin. Një pjesë e bizneseve që kanë pësuar dëmtime të shumta në godina janë duke kërkuar ambiente të reja me qira, pasi riparimi i dëmeve do të kërkojë kohë, ndërkohë që nisja e aktivitetit duhet të bëhet një orë e më parë, sepse kanë afate kontratash që duhet të respektojnë me partnerët e huaj.

Por ndërsa janë të prekur drejtpërdrejtë nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti, një pjesë e madhe e bizneseve po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore. Në ditët e panikut që mbërtheu Durrësin, ku një pjesë mjaft e madhe e popullatës u largua drejt qyteteve të tjera, por edhe gjatë kësaj jave, jo të gjithë punonjësit i janë rikthyer punës, pasi një pjese prej tyre u janë shpallur shtëpitë e pabanueshme dhe ende nuk kanë zgjidhur problemin e strehimit.

“Bizneset në jo pak raste po punojnë me 40-50% të kapacitetit të tyre dhe kjo është një kosto e shtuar për ta”, thotë kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës, i cili ngre alarmin se nëse nuk ndërhyn shteti me lehtësira fiskale, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve do të shkojnë drejt falimentimit në muajt në vijim.

Pranë Qendrës së Regjistrimit të Biznesit këto ditë ka qenë i lartë numri i subjekteve që janë paraqitur për të pezulluar aktivitetin, për shkak të dëmeve të pësuara, apo se godina ku ushtronin aktivitetin është shembur ose ka dëmtime të mëdha.

“Pezullimi i aktivitetit për bizneset e dëmtuara për sa kohë zgjat gjendja e jashtëzakonshme (edhe nëse ka detyrime tek taksat)”,– është një tjetër pikë që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës ia ka parashtruar qeverisë dhe ministrisë së Financave. Në momentin që një biznes paraqitet për të pezulluar aktivitetin, Tatimet nuk e lejojnë nëse ka detyrime të prapambetura pa paguar. Por një biznesi të dëmtuar nga tërmeti, t’i kërkosh edhe pagesën e detyrimeve është njësoj si t’i vësh lakun në fyt. Meqë i gjithë qarku i Durrësit është në situatë emergjence, Dhoma e Tregtisë kërkon shtyrjen edhe të detyrimeve të prapambetura në Tatime.

Në një kohë kur shumë biznese kanë ndërprerë aktivitetin që nga data 26 nëntor, kjo mund të shoqërohet edhe me një kosto të rëndë sociale. Deri më tani, bizneset në Durrës kanë deklaruar se do t’i paguajnë punëtorët edhe gjatë kësaj periudhe pauze, por kjo do ta rëndojë edhe më shumë portofolin e tyre. Një fenomen tjetër shqetësues është fakti se edhe para tërmetit të 26 nëntorit, bizneset në Durrës ndjenin mungesën e fuqisë punëtore. Kjo pritet të thellohet edhe më tej në muajt në vazhdim, pasi një pjesë e fuqisë punëtore, të mbetur pa shtëpi pas tërmetit do të tentojë emigrimin. Nga ana tjetër, një pjesë e punonjësve të dëmtuar nga tërmeti i kanë kërkuar punëdhënësve të tyre paradhënie, për riparimin e dëmeve apo për të marrë shtëpi me qira.

“Të njihen si shpenzime të gjitha donancionet që subjektet u japin OJF-ve të ndryshme apo punonjësve të tyre (jo vetëm ato që bëhen te portal e-albania)”. Kjo është një tjetër kërkesë që sipas Dhomës së Tregtisë duhet të marrë vëmendjen e qeverisë, pasi ka shumë biznese në Durrës që duan të kontribuojnë për riparimin apo rindërtimin e shtëpive të punëtorëve të tyre. Deri më tani, qeveria Rama ka deklaruar se do të njohë si shpenzime të biznesit vetëm donacionet që do të bëhen nëpërmjet portalit shtetëror e-albania.

Në një kohë kur situata është mjaft kritike, Dhoma e Tregtisë Durrës kërkon nga qeveria “lobimin nëpërmjet Bankës së Shqipërisë për pezullimin e pagesave të kësteve të kredive për një periudhë një vjeçare”. Duke iu referuar shembullit të ndjekur nga vendi fqinjë, Itali, në rastin e tërmetit në Aquila, në vitin 2009, apo në Amatrice në vitin 2016, Dhoma e Tregtisë i kërkon qeverisë Rama ndërhyrjen për derdhjen e vlerës së TVSH-së në llogaritë e bizneseve dhe lehtësira fiskale që nënkuptojnë 3 vite pezullim taksash etj.

Nëse biznesi falimenton, kostoja sociale e pas tërmetit thellohet edhe më shumë sepse qindra familje mund të mbeten pa burimin e të ardhurave. Mbyllja e bizneseve të vogla familjare nënkupton dhjetëra e qindra të vetpunësuar që kthehen automatikisht në të papunë, duke rënduar edhe më shumë jo vetëm gjendjen sociale, por edhe atë psikologjike të shumë familjeve që tërmeti i 26 nëntorit u zeroi gjithçka për të cilën kishin punuar një jetë të tërë.

Kërkesat e Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, drejtuar Këshillit të Ministrave:

*Koordinimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Shtabit Të Emergjerncave për dëgimin e grupeve të ekspertëve për verifikimin e dëmeve në objektet e biznesit dhe certifikimin e godinave  me qëllim rifillimin e punës në mënyrë sa më sigurtë për punëmarrësit.
*Lehtësira fiskale për bizneset në Qarkun Durrës, duke i pezulluar të gjitha detyrimet fiskale për një periudhe 3-vjeçare, sipas modelit të Italisë, Greqisë, Turqisë ( tatim fitimi, sigurime shoqerore, TVSH, taksa vendore etj).
*Rimbursimin e TVSH për ndërtuesit dhe fasonistët
*Lobimin nëpërmjet Bankës Së Shqipërisë për pezullimin e pagesave të kësteve të kredive pë një periudhë një vjeçare.
*Lobimin nëpërmejt Autoritetit të Mbikqyrjes Financire AMF për lëvrimin sa më shpejt të fondeve të biznese të siguruara.
*Pezullimi i aktivitetit për bizneset e dëmtuara për sa kohë zgjat gjendja e jashtëzakonshme ( edhe nëse ka detyrime tek taksat)
*Të njihen si shpenzime të gjitha donancionet që subjektet u japin OJF-ve të ndryshme apo punonjësve të tyre ( jo vetëm ato që bëhen te portal e-albania).
*Organizimi i një Forumi të hapur biznesi ku të jenë të ftuar përfaqësues të institucioneve qëndrore  e lokale si dhe bizneset e Qarkut Durrës.