Borxhet e fshehura, faturat stok të arbitrazhit arrijnë 108 mln euro

21/10/2019 - 08:21

Buxheti i shtetit është vënë në presione të shumëfishta prej detyrimeve të prapambetura, teksa një stok faturash prej 108 milionë eurosh që rrjedhin nga vendimet e arbitrazhit presin për t'u shlyer, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Detyrimet prej 108 milionë eurosh rrjedhin nga gjashtë vendime të gjykatave ndërkombëtare, por 91 për qind e këtij detyrimi, në shumën prej 99 milionë euro, janë borxhi ndaj çështjes “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”. Ky vendim u dha nga gjykata ndërkombëtar për zgjidhjen së Mosmarrëveshjeve të Investimeve. Kjo çështje është fituar nga sipërmarrësi Francesco Becchetti  për ndërprerjen e investimeve që ka bërë shteti shqiptar në HEC Kalivaçi, televizionin Agon dhe në një impiant të trajtimit të mbetjeve.

Ndërsa rreth 10 milionë euro të tjera janë detyrime që rrjedhin nga arbitrazhi ndërkombëtar kryesisht për kompanitë që kanë kryer punime në ndërtimin e rrugës, Tiranë-Elbasan. Qeveria shqiptare duhet të paguajë rreth 3.5 milionë euro ndaj kompanisë SAFA shpk për punimet në rrugën e re Tiranë -Elbasan, në të cilën janë përfshirë edhe interesat dhe kostot administrative të arbitrazhit.

Një shumë tjetër prej 4.5 milionë eurosh duhet të shlyhet për kompaninë “J&P Avax”. Kjo kompani ishte pjesë e konsorciumit për koncesionin e rrugës së Kombit që fillimisht u shpall fitues në vitin 2017, por që u shfuqizua më pas me një vendim të Komisionit të prokurimeve publike.

350 mijë euro do të paguhen për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit ndaj kompanisë MHM në lidhje me kontratën për Rrjetin e ujësjellës kanalizime të Tiranës.

Ministria e Financave duhet të paguajë gjithashtu edhe 770 mijë euro si kosto fillestare për çështjen Valeria Italia kundër Ministrisë së Bujqësisë. Kompania italiane ka kërkuar dëmshpërblim për një investim në ngritjen e një ferme për prodhim perimesh.

Raporti i KLSH: detyrimet e prapambetura arrijnë në 610 milionë euro

Në raportin e kontrollit të buxhetit faktit 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar se detyrimet e llogaritura në total arrijnë në 60 miliardë lekë, ose 4 herë më të larta sesa ato që raportohen nga Ministria e Financave. Ky detyrim ndahet si më poshtë:

-Detyrimet për Rimbursimin e TVSH-së raportohen zero nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), ndërsa sipas KLSH-së ato janë 20.7 miliardë lekë. KLSH konstaton se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit. Në këto kushte, nga evidencat e mbledhura, në vlerësimin e KLSH detyrimet e prapambetura vlerësohen të jenë të paktën 20 miliardë lekë në fund të vitit 2018 (pa përfshirë rimbursimin e TVSH dhe detyrimet e prapambetura të FSDKSH). Për më tepër dhe si trajtuar më lart, vlera e detyrimit për TVSH të rimbusueshme rezulton të jetë në shumën 20.7 miliardë lekë në fund të vitit 2018 dhe ajo në FSDKSH rezulton të jetë në shumën 1.2 miliardë lekë.

-Detyrime për projekte investimesh, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera janë 15.5 miliardë lekë sipas Ministrisë së Financave dhe 21.2 miliardë lekë, sipas KLSH.

-Rimbursimi i tepricës kreditore të tatimit të fitimit ka krijuar një detyrim prej 15.2 miliardë lekësh, sipas KLSH, ndërsa Ministria e Financave e raporton zero.

– Detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare janë 3.2 miliardë lekë, sipas KLSH dhe zero sipas MFE

KLSH, në këtë tabelë, nuk ka përfshirë detyrimet kontigjente për vendime gjyqësore ndërkombëtare në proces të cilat nga auditimi në Avokaturën e Shtetit vlerësohen se mund të jenë deri në shumën 15.18 miliardë lekë, ku më kryesorja i përket çështjes Becchetti. Nëse do të shtonim dhe këtë zë, detyrimet totale mund të arrijnë deri në 75.5 miliardë lekë (610 milionë euro), duke ia kaluar nivelit të detyrimeve të prapambetura që qeveria e re socialiste gjeti në vitin 2013, të cilat arritën në 72 miliardë lekë.

KLSH thekson se niveli i detyrimeve të prapambetura është rikthyer në problematik. Si theksuar në VKM nr. 50, datë 05.02.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, të ndryshuar, “paaftësia për të paguar detyrimet e saj financiare, brenda një kohe të shpejtë pasi ato bëhen të kërkueshme, dhe si pasojë dhe akumulimi i një mase të madhe të detyrimeve financiare të prapambetura i shkakton dëm ekonomisë. Ndikimet përfshijnë ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e papunësisë, për sa kohë bizneset e varura nga kontratat qeveritare pushojnë ose shtyjnë aktivitetin e tyre si rezultat i vonesave në pagesa ose vështirësive në mundësinë e kredive nga bankat tregtare”. 

Burimi: Monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Edhe gati 3 dekada pas kalimit në ekonominë e tregut, shqiptarët, që jetojnë në një vend të bekuar nga zoti, me bukuri të shumta e pasuri

Instituti i Sigurimeve Shoqërorë parashikon se në tre vitet e ardhshme 2020-2022 numri i pensionistëve që shtohen në skemën e sigurimeve

Ministria e Financave parashikon të grumbullojë 474 miliardë lekë gjatë këtij viti, nga 486 miliardë lekë që raportohen ne buxhetin e ndr

Shqiptarët kanë 9.15 miliardë euro borxh, rriten pagesat për shërbimin e borxhit.

INSTAT-i (Instituti shqiptar i Statistikave) ka botuar më 31 tetor 2019 anketën e turizmit “Pushime dhe udhëtime”, 2018.

Pavarësisht gropës së krijuar në buxhet me mospagesën e detyrimeve të sigurimeve shoqërore nga institucionet publike nuk ka pasur bllokim

Shpërblimi i bebes që jepet nga Ministria e Brendshme në momentin kur prindi regjistron fëmijën në zyrat e gjendjes civile, prej vitesh v

Banka Botërore ‘nxin’ Shqipërinë sa i takon lehtësisë së të bërit biznes.

Deri në qershor të këtij viti qeveria kishte ende rreth 293 milionë lekë apo rreth 2.3 milionë euro detyrime të pashlyera në zërin e shpë