Borxhi i jashtëm i vendit shënoi rritjen më të fortë vjetore të tre dekadave të fundit si rrjedhojë e plotësimit të nevojave për financime që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2029 dhe kriza e pandemisë e vitit 2020.

Kjo rritje e çoi totalin e detyrimeve të huaja në 7.7 miliardë lekë me një rritje 16% në raport me vitin 2019, sipas Ministrisë së Financave. Rritja në këtë masë u shkaktua nga emetimi i një eurobondi të ri 650 milionë euro dhe disbursimit të kuotave në FMN prej më shumë se 170 milionë eurosh.

Siç shihet edhe nga tabela e mëposhtme 835 milionë euro ose 78% e kësaj shume shkoi si mbështetje për buxhetin. Pas buxhetit, sektori i energjetikës u financua me 106 milionë euro, të cilat ishin financim i huaj me borxh. Sektori i transportit u financua me 71 milionë euro, ujësjellësit me 38 milionë euro, shëndetësia me 8 milionë euro ishin sektorët që u financuan më së shumti me borxh të huaj më 2020.

Rritja e borxhit publik në këto përmasa po ushtron presion mbi shpenzimet buxhetore për shërbimin e borxhit. Stoku i borxhit publik arriti mbi 1,2 trilionë lekë në fund të vitit 2020 dhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto shënoi 77.8%. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, gjatë vitit 2020, shtesa mbi stokun e borxhit ishte mbi 111,7 miliardë lekë ose 908 milionë euro, si rrjedhojë e ngjarjeve të pazakonta që lidhen me tërmetin dhe pandeminë.

Referuar parashikimeve të Ministrisë së Financave në skenarin bazë sipas të cilave normat e interesit gjatë periudhës afatmesme do të qëndrojnë në nivele të krahasueshme me normat aktuale dhe stoku i borxhit në terma bruto do të shoqërohet me rritje në përputhje me nevojat fiskale, rezulton se kostot e borxhit shtetëror në vlerë absolute mund të shkojnë deri në rreth 50 miliardë lekë në fund të vitit 2023. Kostot e borxhit në terma relative ndaj PBB-së dhe ndaj të ardhurave në buxhet pritet të rriten.

Gjatë pesë viteve të fundit huamarrja e huaj ka mbuluar mesatarisht rreth 17% të nevojave të përgjithshme të qeverisë për hua. Burimet kryesore të financimit mbeten burimet shumëpalëshe dhe ato dypalëshe, të cilat kryesisht janë përdorur për të financuar projektet prioritare, si edhe politikat zhvillimore dhe reformat e ndërmarra nga qeveria. Këto burime kanë pasur ndikim të rëndësishëm kryesisht në aspektin e optimizimit të kostove të borxhit dhe sigurimit të valutës së nevojshme për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë. Por gjatë vitit 2020, tendenca ndryshoi, pasi financimet e jashtme plotësuan mbi 80 % të nevojave të borxhit të ri më 2020.

Portofoli i borxhit të jashtëm, pavarësisht diversifikimit të viteve të fundit dominohet në mbi 70% nga monedha Euro, duke e bërë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit EUR/LEK. /Monitor