TIRANE Viti i ardhshëm nuk parashikohet të jetë i lehtë për financat shqiptare. Në një kohë që efektet e krizës po ndihen në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe për më tepër kur qeveria hoqi kufirin ligjor të borxhit publik tendenca e rritjes së këtij të fundit me ritme të shpejta duket se do të shtojë edhe më tepër barrën fiskale që do duhet të shlyejnë qytetarët shqiptarë në të ardhmen.  

Në vetëm dy javë nga heqja e kufirit, borxhi është rritur tre herë nga parashikimi dhe tendenca duket se do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, meqë 2013 do të përkojë me një vit elektoral.  

Pak ditë më parë qeveria miratoi një Akt Normativ, që e rriti borxhin publik me 7 miliardë lekë më shumë se parashikimi në buxhet. Por Akti u ndryshua sërish në minutat e fundit duke i shtuar borxhit edhe 1.2 miliardë lekë të tjera, përmes të cilave ekzekutivi do të paguajë shpërblimin e fundvitit për pensionistët. 

Për pasojë borxhi publik i vendit në fund të këtij viti shkon në 61.2% e Prodhimit Kombëtar, ndërsa në 2013 me deficitin e parashikuar në buxhet ai nuk ndalet më tek kufiri 62.6% siç pati pretenduar qeveria, por shkon në 63.2%.

Nëse edhe vitin e ardhshëm qeverisë do t’i duhet t’i vijë në ndihmë KESH-it, rritja e borxhit do të përparojë me të paktën një përqind më shumë.