Kreu i komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj është treguar kritik ndaj buxhetit të vitit 2020, i cili u prezantua nga ministrja e Financave, Anila Denaj.

"Kam bërë një kërkesë dhe do ua dërgoj me shkrim, se cilat janë politikat e reja sociale për vitin 2020. Nga gjykimi im nuk keni asnjë politikë fiskale për vitin e ardhshëm. Nuk keni rritje pagash. Nuk keni parashikuar përsëri bonusin për pensionistët", tha Ahmetaj ndërsa kërkoi nga ministrja Denaj të thotë se cilat janë politikat e reja që nisin në vitin 2020.

"Investimet publike për vitin 2020 janë në rënie krahasuar me 2018. Pse i parashikoni investimet publike në reduktim kur nevoja për investime është e lartë," tha ndër të tjera Ahmetaj, ndërsa theksoi se ky buxhet i sjellë nga ministria e Financave nuk e ka një titull.

"Rishikoni rritjen ekonomike të vitit 2019, pasi duhet që rritja ekonomike e 6 mujorit të parë të jetë 5% që viti të mbyllet në nivelin e 3 deri në 3.5%. Ministria e Infrastrukturës duhet të paguajë 6.2 miliardë lekë detyrime të prapambetura që ka. Unaza e Tiranës merr pjesën më të madhe të buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe pjesa tjetër infrastrukturore nuk merr asgjë." vijoi më tej Ahmetaj.