Shoqëritë e telekomunikacioneve mbeten reklamuesit më të mëdhenj në Shqipëri, të ndjekura nga bankat. Të dy këto segmente, po reduktojnë buxhetet, me tkurrjen e telekomunikacioneve që është e dukshme.

Vodafone është kompania me shpenzimet më të madha të publicitetit në vend. Në vitin 2016, buxheti i saj i marketingut ishte 980 milionë lekë (rreth 7.2 milionë euro), me një rënie të fortë prej 14.5% në raport me vitin e mëparshëm. Të dhënat e shpenzimeve të marketingut janë të raportuara në bilancin zyrtar të kompanisë. Edhe sipas hapësirës televizive, apo sipërfaqes së reklamuar në web, Vodafone dominon. Tkurrja e buxhetit të marketingut ka vijuar edhe në 2017-n, sipas monitorimeve të Idra Media.

Për Telekom Albania, shpenzimet e deklaruara të reklamave në bilanc ishin rreth 933 milionë lekë (rreth 6.8 mln euro) në 2016-n, me një rënie prej 3.6% me bazë vjetore. Në vitin 2017, tkurrja ka vijuar sipas monitorimeve.
Albtelecom ka tkurrur sërish buxhetin në 2016-n, me 7% në 481 milionë lekë (rreth 3.5 milionë dollarë), sipas deklarimeve në bilanc. Edhe në 2017, shkurtimet nuk kanë munguar.

Plus Communication kishte rreth 1.1 milionë euro shpenzime marketingu në 2016-n. Në mes të vitit 2017, kompania arriti negociatat për të shitur frekuencat te dy operatorët e mëdhenj Vodafone dhe Telekom Albania, duke dalë nga tregu.

Në total, operatorët kryesorë të telekomunikacionit kishin një buxhet marketingu prej rreth 18.5 milionë eurosh në vitin 2016, me rënie prej gati 8% në raport me një vit më parë. Në 2017-n, tkurrja vlerësohet të ketë qenë më e madhe pas daljes së Plus Communication dhe shkurtimit të buxheteve të tre operatorëve të tjerë. Rënia e buxheteve të telekomunikacioneve është ndier dukshëm në tregun e mediave, pasi ky segment përbën rreth gjysmën e tregut të reklamave në vend.

Bankat kanë deklaruar në bilancet e tyre shpenzime marketingu prej rreth 9.3 milionë eurosh, me një rënie prej 2% me bazë vjetore 2015-n (shiko tabelën: Buxhetet e marketingut të bankave). Një pjesë e vogël, rreth 15-20% u shkon televizioneve, sipas aktorëve të tregut, por edhe të dhënave të sasisë së sekondave për reklamë nga Idra Media. Pjesa më e madhe shkon për shpenzime të tjera (outdoor, shërbime të tjera marketingu).

Credins është reklamuesi kryesor nga bankat në vitin 2016, e ndjekur nga Banka Raiffeisen (shiko tabelën e buxhteve të marketingut të bankave në fund).

Reklamat, tregu nuk po arrin të ringjallet

Flet Suela Shtylla, Administratore e agjencisë McCann Tirana

“Tregu i reklamave në Shqipëri gjatë viteve të fundit ka ardhur në rënie, referuar shifrave të brendshme që ne disponojmë si agjenci.
Në një ekonomi me performancë jo të lartë, sipërmarrjet tentojnë të shkurtojnë buxhetet e tyre reklamuese, si dhe të kërkojnë marrëveshje më të favorshme, qoftë me agjencitë apo edhe drejtpërdrejt me mediat, tradicionale ose jo.

Në opinionin tim dhe të dhënave të agjencisë, televizioni rrëmben “copën më të madhe të tortës” dhe do të vazhdojë të përdoret si kanali kryesor i transmetimit të mesazheve publicitare. Ka një sjellje që ne e konstatojmë nga analizimi i të dhënave që kemi dhe ka të bëjë me faktin se kemi një rritje të lehtë të kohës mesatare ditore të shikimit të televizionit, të paktën në tre vitet e fundit, ndërsa është ulur numri i personave që e bëjnë këtë në një ditë.

Bazuar në vlerësimin tonë, buxhetet e planifikuara për reklamim në televizione gjatë 2016-s, por edhe në vitin 2017 mbeten pothuajse të pandryshuara. Dhe këtu flasim për kompanitë e mëdha që vazhdojnë të mbajnë në këmbë këtë treg, ku televizioni zë rreth 70% të totalit të buxhetit Media.

Tendencë negative në reklamim ka OOH, ai që njihet si reklamimi “jashtë shtëpisë”. Gjithnjë e më pak po preferohet nga biznesi reklamimi përmes këtij kanali dhe këtu ndikim kanë dhënë edhe ndryshimet që ka pësuar ligji në taksimin e hapësirave publike. Rritja e tarifave të reklamimit ka dhënë efekte në këtë segment të tregut.
Lajmi më i keq i takon padyshim printit. Printi pothuajse nuk është më pjesë e asaj që e konsiderojmë si media mix. E kjo do të ndikojë në mbijetesën e këtyre mediave, e cila po bëhet tejet e vështirë.

Kur vjen puna te radio, ajo vazhdon të jetë mbështetëse e fushatave televizive dhe përdorimi i saj është kryesisht sezonal.
E në fund, le të themi që është koha e reklamimit Online. Tendenca është në rritje dhe do të vazhdojë të jetë e tillë, edhe pse pesha që zë ndaj totalit është e ulët, rreth 10% e buxheteve totale Media.
Kostoja e ulët e reklamimit në krahasim me mediat tradicionale, popullsia e cila sa vjen e po “kyçet” gjithnjë e më shumë në botën e teknologjisë, e bën platformën Online gjithnjë e më shumë të kërkuar për reklamim. Tendenca do të vazhdojë e tillë.

Flet Gerti Boshnjaku, CEO i New Media Communications sh.p.k

Buxhetet po kanalizohen drejt mediave dixhitale

Shtypi i shkruar ka filluar rënien prej kohësh, gjë që duket si në tirazhet e vogla ashtu edhe në lexueshmërinë e munguar. Shtypi i shkruar është pothuajse i zëvendësuar nga media online në gjithë boten çka ka sjellë dhe reduktimin e titujve të rëndësishëm dhe transformimit të tyre për t’iu përshtatur epokës dixhitale.

Duhet të them që në Shqipëri media e shtypur ka rezistuar mjaftueshëm dhe duhet të përshtatet me ndryshimet. Reklamat do të vijnë gjithmonë në rënie në shtyp, pasi vëmendja e lexuesve dhe zakonet e konsumit të mediave kanë ndryshuar tashmë. Me evoluimin e teknologjisë dhe me ndryshimin e brezave kanë ndryshuar dhe mënyrat e konsumimit të përmbajtjes çka rrjedhimisht sjell kanalizimin e buxheteve të reklamave tek mediat e reja. Buxhetet do të kanalizohen gjithmonë e më shumë tek mediat dixhitale, madje peshën kryesore do ta zënë reklamat për pajisjet mobile sepse këto janë pajisjet nga të cilat bëhen konsumi më i madh i përmbajtjes.

/MONITOR/