Kryetari i Konfindustria, Gjergj Buxhuku kërkoi seriozitet për të përballuar situatën që po kalon sot vendi. Në një lidhje telefonike me News 24, ai tha se qeveria duhet të veprojë menjëherë me anë të paketave për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë.

Madje sipas tij, vendi pritet të ketë pasoja ekonomike edhe më të madha se ato të tërmetit, nga situata e krijuar me koronavirusin.

“Duhet të jemi shumë seriozë për situatën që po kalojmë dhe për atë që do vijë. Pasojat e tërmetit janë të vogla në krahasim me ato që do kemi nga bllokimi total që po i ndodh ekonomisë së vendit. Konfindustria e ka bërë paralajmërimin e saj, ne mendojmë që është e detyrueshme të shikohet një plan masash shtrenguese në mënyrë përpjestimore me rrezikun. Bizneset që janë në vende ku s’ka shenja epidemie të lejohen të punojnë në kushte normale”, tha ai.

Edhe Buxhuku, ashtu siç propozoi Partia Demokratike ishte për anulimin e disa koncesioneve në shëndetësi.

“Në radhë të parë janë absurd disa koncesione në mjekësi. Është absurd të vazhdohet me check up, në kushtet kur kemi këtë emergjencë, kërkohet ndërhyrje në buxhet”, vijoi ai.