TIRANË – Zv/ministri i Ekonomisë dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Sokol Dervishaj, sqaroi sot në media procedurat për privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2, Ulëz dhe Shkopet, për të cilat ofertat më të larta i ofroi kompania turke “Kurum” me total, 109,5 milionë euro. 

Dervishaj tha se pas pranimit të ofertave për blerjen e HEC-eve në 21 dhjetor 2012, Komisioni pranoi ofertat afruar nga “Kurum”, që rezultuan më të larta edhe nga vlerësimet e konsulentit ndërkombëtar, IFC. 

“Nga vlerësimet e konsulentit ndërkombëtar dhe lokal, vlera e aseteve për dy HEC-et Bistrica 1 dhe 2 është përcaktuar 44.657 738 euro, për HEC-et Ulëz dhe Shkopet 31.734.626 euro, me një total 76.392.409 euro", tha Dervishaj. 

Sipas tij, nga metodologjia e kontabilitetit për vlerësimet në HEC-et Bistrica 1 dhe 2, vlera e llogaritur arrin 44. 657.783 euro dhe 31.736.626 euro për Ulzën dhe Shkopetit dhe në total, 76.392.409 euro. Dervishaj tha se dhe vlera e transaksioneve përcaktonte për HEC-et e Bistricës vlerën 29.617.500 euro dhe 48.618.000 euro për Ulzën dhe Shkopetin. 

Nisur nga fakti se Komisioni renditi të parën kompaninë "Kurum" për vlerën financiare më të lartë të ofruar, Dervishaj pohoi se "ne nuk kemi bërë asnjë shkelje ligji” dhe hodhi poshtë akuzat e ditëve të fundit të opozitës për këto privatizime. “Ky proces ka qënë transparent”, tha ai. 

Zv/ministri i Ekonomisë hodhi poshtë akuzat e opozitës, se qeveria ka përdorur dy standarde vlerësimi për privatizimin e HEC-ve, duke shkaktuar një humbje prej 125 milionë euro.