Detajet e Paketës Fiskale për bizneset e dëmtuara

22/02/2020 - 08:29

*Zbardhen ndryshimet ligjore dhe udhëzimet që do i vijnë në ndihmë bizneseve që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Si do veprohet për të përfituar lehtësitë.

Nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar u dëmtuan rreth 800 biznese në të gjithë vendin. Numri më i lartë i bizneseve të dëmtuara ishte në qytetin e Durrësit. Asetet fizike të 343 bizneseve të prodhimit, të tregtisë, industrisë si dhe magazina u dëmtuan në këtë qytet. Pasoja patën edhe 52 hotele, bare dhe restorante në këtë qytet, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Rindërtimit.

Me qëllimi mosfrenimin e aktivitetit të bizneseve të prekura në vend, fillimisht Kuvendi miratoi në muajin dhjetor dy akte normative me fuqinë e ligjit, për tatimin mbi vlerën e shtuar, si dhe tatimin mbi të ardhurat.

Tashmë është në proces finalizimi paketa e masave lehtësuese për biznesin, si dhe udhëzimet përkatëse për të cilat do të zbatohen ndryshimet ligjore.

Në fokus të ndryshimeve është heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për materialet e ndërtimit për përdorim të brendshëm dhe ato që do të importohen, njohja e shpenzimeve në bilancet e bizneseve për dëmet materiale, mallrave, ndërtesave dhe të çdo shpenzimi të kryer për rindërtim. Udhëzimi i hartuar nga Ministria e Financave, për tatimin mbi të ardhurat përcakton rastet e njohjes si shpenzime të zbritshme te biznesi i dëmtuar, si dhe procedurat për zbatimin e tij.

Udhëzimi tjetër i hartuar nga Ministria e Financave është për tatimin e thjeshtuar të fitimit te biznesi i vogël, detajon rastet kur kësaj kategorie i njihen, si shpenzime të brendshme. Ndryshimet në legjislacion, sipas Ministrisë së Financave kanë parashikuar edhe përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë të investimeve për rindërtimin. Ky vendim i hartuar pritet të miratohet nga qeveria.

Në paketën e biznesit, Ministria e Financave shprehet se plani i masave i mundëson biznesit të dëmtuar të shtyjë në kohë afatin e pagesës së detyrimeve, por fillimisht duhet të paguajë 20 për qind të tyre. Për shkak të situatës së krijuar, sipas Financave, do t’i hiqet çdo gjobë për deklarimet e vonuara, si dhe do të shtyhen kontrollet e planifikuara në bizneset e dëmtuara.

Si do të njihen shpenzimet e zbritshme

Udhëzimi i miratuar nga Ministria e Financave, i jep zgjidhje një nga kërkesave më shumë të artikuluara nga biznesi, për njohjen e dëmeve nga tërmeti, pasi do të njihet si shpenzim i zbritshëm vlera kontabël e mallrave dhe aktiveve të dëmtuara.

Në udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 “Për Tatimin mbi të ardhurat”, në fund të pikës 3.5, shtohen paragrafet me këtë përmbajtje: ”Njihen si shpenzime të zbritshme edhe (i) vlera kontabël e mallrave dhe (ii) vlera kontabël e mbetur e aktiveve që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”

Po çfarë dokumentesh duhet të paraqesë biznesi për të përfituar nga kjo masë? Udhëzimi përcakton se biznesi duhet të paraqesë pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve, listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara dhe të shkatërruara. Në listë duhet të përfshihet në mënyrë të detajuar sasia për çdo lloj aktivi të dëmtuar; faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara. Administratës tatimore biznesi do t’i dorëzojë edhe raportin e hartuar nga institucionet vlerësuese për shkatërrimin e aktiveve afatgjatë, pra të tokës, ndërtesave dhe makinerive.

Biznesi i vogël, përfitimet

Një numër i lartë kërkesash për hyrjen në fuqi të njohjes së shpenzimeve të zbritshme, erdhi edhe nga biznesi i vogël. Udhëzimi i ndryshuar i Ministrisë së Financave për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin te biznesi i vogël njeh si shpenzime të zbritshme, vlerën kontabël të mallrave dhe të aktiveve, pra pronës dhe ndërtesës që janë dëmtuar.

Edhe biznesi i vogël për të përfituar nga kjo masë lehtësuese, duhet të paraqesë në administratën tatimore, një listë të detajuar me përshkrimin e mallrave dhe aktive që janë dëmtuar dhe shkatërruar. Faturat e blerjes së mallit të dëmtuar apo shkatërruar, si dhe të ndërtesës. Për dokumentacionin e ndërtesës, biznesi duhet të paraqesë kontratën e qirasë, apo të pronësisë. Përveç këtyre biznesi duhet të dorëzojë edhe raportin nga institucionet për dëmin e ndërtesës ku operon.

Hiqet TVSH për mallrat dhe shërbimet në zonat ku do të ndërtohet

Udhëzimi përcakton se përjashtimi nga pagesat e TVSH-së, për zonat ku do të rindërtohet do të jetë për mallrat dhe shërbimet. Përfitues direkt të kësaj mase do të jenë ndërtuesit. Pra nëse një objekt apo infrastrukturë do të rindërtohet nga donatorët, kompania ndërtuese që do të kryejë procesin e rindërtimit nuk do të paguajë TVSH-në për mallrat e ndërtimit dhe shërbimet, duke përfshirë edhe importin.

“Furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja janë: furnizimi i procesit të ndërtimit që realizohet nga ndërtuesit subjekte të rindërtimit; furnizimi i shërbimeve dhe mallrave për procesin e ndërtimit i kryer direkt për ndërtuesit; importimi i mallrave, për procesin e ndërtimit, i kryer direkt nga ndërtuesit subjekte të rindërtimit, brenda programit dhe përgjatë periudhës së rindërtimit, për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e rindërtimit”, përcaktohet në vendimin e qeverisë.

Subjektet të cilat janë kategorizuar, zbatues të programit të rindërtimit, për të mospaguar TVSH-në, duhet të lidhin një marrëveshje kuadër me njësinë zbatuese të ngarkuar nga Qeveria për administrimin e fondeve të alokuara nga “Fondi i Rindërtimit”. Marrëveshja duhet të lidhet edhe nga donatorët, për rastet kur donacionet apo grand-et e tyre nuk janë pjesë e fondit të rindërtimit sipas ligjit të buxhetit”, thuhet në draft.

Por ndërtuesit që do të përjashtohen nga TVSH-ja do të pajisen me autorizim nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Ndërtuesit për t’u paraqitur me këtë autorizim, duhet të paraqesin në administratën tatimore një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it; “Marrëveshjen kuadër” që kanë lidhur me “Njësinë zbatuese”; “Marrëveshjen e bashkëpunimit” ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe donatorit, në rastet kur ndërtuesi është përcaktuar nga donatori që ka marrë përsipër procesin e ndërtimit. Preventivin e punimeve, si dhe kopjen e lejes së ndërtimit të miratuar nga organet kompetente.

Dokumentacioni i paraqitur nga ndërtuesi do të shqyrtohet brenda 5 ditëve, dhe nëse nuk konstatohen mangësi ndërtuesi pajiset me autorizimin për të mos paguar TVSH.

Heqja e TVSH për importin

E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për importin e materialeve dhe pajisjeve të ndërtimit. Organizatat bamirëse dhe filantropike, që do të importojnë, pajisen me autorizim nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Për marrjen e këtij autorizimi, duhet të dorëzojnë kërkesën me shkrim, ku të jetë evidentuar NIPT/NUIS. Dokumentin e lëshuar nga institucioni kompetent ku provohet/vërtetohet se materialet, pajisjet, ndërtesat e parafabrikuara, sipas zërave dhe sasive përkatëse, janë të destinuara për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Kërkesa do të shqyrtohet brenda 5 ditëve, në mënyrë që të përfitohet autorizimi për heqjen e TVSh-së në import.

Flet Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera

Lera: Shlyerja e detyrimit tatimor do të jetë me këste deri në 2 vjet

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera shprehet se administrata tatimore do të fokusojë asistencën në mbështetje të biznesit. Lera tha se fillimisht do të shtyhen deri në dy vjet shlyerja e detyrimeve për bizneset e dëmtuara.

Bëhet fjalë për ato biznese, të cilët për shkak të situatës e kanë të pamundur të kryejnë pagesat e detyrimeve. “Biznesi do të shlyejë 20 për qind të detyrimeve, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet me këste, me afat deri në dy vjet.” Sipas drejtorit të përgjithshëm të politikave fiskale prioritet mbetet kthimi në normalitet i aktivitetit tregtar në zonat e prekura.

Qeveria ka përgatitur një sërë ndryshimesh të fiskale në favor të biznesit për rimëkëmbjen e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Çfarë synojnë këto ligje?

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit nuk kanë qenë të vogla, pasi kanë ndikuar si në jetën e qytetarëve ashtu edhe të biznesit. Për biznesin synohet rikthimi i tij në normalitet, sidomos te zonat turistike, pasi pasojat më të rënda ishin në bregdet. Rikthimi i normalitetit të veprimtarisë së biznesit konsiderohet i rëndësishëm, pasi gjenerimi i të ardhurave dhe lëvizja e aktivitetit financiar do të reduktojë pasoja. Pra kjo është më e rëndësishmja sesa ajo e heqjes së taksave në mbështetje të biznesit.

Në pikëpamje më të gjerë është ndërmarrë një proces i tërë ligjor, duke nisur që nga ndryshimet ligjore dhe aktet nënligjore në mbështetje të mbështetje të procesit të rindërtimit. Ashtu siç jeni në dijeni është miratuar ligji i rindërtimit, dhe një paketë e plotë ligjore, e cila mbështetet rindërtimin.

Në mënyrë që të reduktohen kostot e rindërtimit ne kemi parashikuar përjashtimin nga të gjitha taksat për ndikimin e këtij procesi. Qëllimi është që me paratë në dispozicion nga qeveria dhe donatorët të ndërtohen sa më shumë sipërfaqe në metër katror banimi dhe më pas të investohet për zhvillimin e këtyre zonave.

Konkretisht cilat janë lehtësitë fiskale që do të zbatohen?

Për këtë arsye janë përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar çdo imput që do të hyjë në procesin e rindërtimit. Janë përjashtuar nga taksat doganore çdo material ndërtimi apo i gatshëm, të cilat importohen nga organizatat bamirëse apo strukturat e shtetit shqiptar në mënyrë që të lehtësohen kostot e ndërtimit.

Janë përjashtuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, si riparimet, ndërtimet, riparimet që do të kryhen si nga individët ashtu edhe nga biznesi për procesin e rindërtimit të lagjeve të reja. Po ashtu për biznesin, Ministria e Financave ka orientuar administratën fiskale që brenda kuadrit ligjor, të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për të lehtësuar veprimtarinë dhe për të mbështetur biznesin.

Ku do të fokusohet asistenca e administratës tatimore në mbështetje të bizneseve të dëmtuara?

Bizneset e dëmtuara nga tërmeti janë evidentuar nga administrata tatimore sipas kategorive, dhe shumë prej tyre e kanë të nevojshme dhënien e menjëhershme të ndihmës. E tillë është industria fason, për të cilën janë marrë masat që rimbursimi i TVSH-së të kryhet menjëherë, me qëllim moskrijimin e detyrimeve.

Së dyti, janë orientuar drejtoritë rajonale që të shtyhen pagesat e tatimeve, pra kjo nëse ka kërkesa nga bizneset e dëmtuara të shtyhen tatimet. Drejtoritë tatimore do të shfrytëzojnë hapësirat ligjore për shtyrjen e pagesave të tatimeve deri në dy vjet. Pra këtyre bizneseve nuk do t’u aplikohen penalitete. Mes biznesit dhe administratës tatimore do të lidhet një marrëveshje për shlyerjen e detyrimit tatimor me këste deri në 2 vjet. Fillimisht këto biznese do të paguajnë 20 për qind të detyrimit tatimor, ndërsa 80 për qind e detyrimit shtyhet në kohë për një periudhë 2 vjeçare.

Së treti, nuk është periudha për ngacmuar bizneset apo për të kontrolluar dhe audituar veprimtarinë e tyre.

Së katërti, është plotësuar baza ligjore për njohjen e çdo shpenzimi të humbur që është kryer për eliminimin e pasojave të tërmetit, si shpenzimet e prishjes së godinave, vlera e mbetur e amortizuar apo çdo proces tjetër që është e lidhur me procesin e rindërtimit.

Paketa e masave, ja si do të zbatohet

Sa do njihen shpenzime të zbritshme

Njihen si shpenzime të zbritshme edhe (i) vlera kontabël e mallrave dhe (ii) vlera kontabël e mbetur e aktiveve që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore

Si përfitohet kjo masë

Biznesi duhet të paraqesë pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve:

-Listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara dhe të shkatërruara.

-Sasia për çdo lloj aktivi të dëmtuar; faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara.

-Raportin e hartuar nga institucionet vlerësuese për shkatërrimin e tokës, ndërtesave dhe makinerive.

Shpenzimet e zbritshme te biznesi i vogël

Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin te biznesi i vogël do të njihen si shpenzime të zbritshme, vlera kontabël e mallrave dhe të aktiveve, pra pronës dhe ndërtesës që janë dëmtuar.

Si përfitohet kjo masë

Biznesi i vogël duhet të paraqesë pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve:

-Listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara dhe të shkatërruara.

-Sasia për çdo lloj aktivi të dëmtuar; faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara.

-Raportin e hartuar nga institucionet vlerësuese për shkatërrimin e tokës, ndërtesave dhe makinerive

Heqja e TVSH do të aplikohet

-Te furnizimi i procesit të ndërtimit që realizohet nga ndërtuesit subjekte të rindërtimit, brenda programit dhe përgjatë periudhës së rindërtimit, për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e rindërtimit.

-Te furnizimi i shërbimeve dhe mallrave për procesin e ndërtimit i kryer direkt për ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, brenda programit dhe përgjatë periudhës së rindërtimit, për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e rindërtimit.

-Te importimi i mallrave, për procesin e ndërtimit, i kryer direkt nga ndërtuesit subjekte të rindërtimit, brenda programit dhe përgjatë periudhës së rindërtimit, për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e rindërtimit.

Marrë nga "Monitor"

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm

Administrata Tatimore sjell në vëmendje te të gjithë tatimpaguesve se afatet e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore nuk kane ndr

“Pagën e luftës” e kërkojnë edhe më shumë se 1 mijë tregtarë të tregjeve industriale në Durrës, të cilët kanë pezulluar aktivitetin prej

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës së bashku me Dhomat e Tregtisë dhe shoqatat e tjera të Sipërmarrjeve Private, me ide të kryetarit

Banka e Shqipërisë u ka nisur bankave një udhëzim me 7 hapa se si do të kryhet procesi i ristrukturimit të kredisë.

Pas uljes së normës bazë të interesit në 0,5% dhe heqjes së kufizimeve për likuiditet, Banka e Shqipërisë lajmëron se do të aplikohet pol

16 mijë biznese të vogla rezultojnë të jenë me qira dhe do të përfitojnë nga shtyrja për muajt që janë të mbyllur nga kjo pagesë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është mbledhur sot për të diskutuar disa masa që priten të merren për shkak të situatës ekonom

Nga sot 1 prill, ka nisur aplikimi i subjekteve të vogla, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, për të përfituar pagën minimale, apo të a

Monedha e përbashkët e ka nisur javën me një tjetër mbiçmim të fortë ndaj lekut.