A duhet hequr TVSH-ja

13/11/2011 - 00:00

Diskutimi që ka zënë më shumë vend në media gjatë muajit të fundit ka të bëjë padyshim me projektligjin e TVSH-së.

Partia Socialiste ka dërguar në Kuvend draftin për heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për qumështin, bukën dhe ilaçet si dhe ka sugjeruar uljen e TVSH-së për disa produkte të tjera konsumi në mënyrë që të lehtësohet në një farë mënyre jetesa për shtresat e varfëra. Ndër të tjera në draftin e hartuar nga PS-ja theksohet se edhe ilaçet duhet të përjashtohen nga taksa e TVSH-së. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, deklaron se: "Heqja plotësisht e TVSH-së për ilaçet është pjesë e kësaj nisme të parë, që ne do të ndërmarrim në parlament për të përmirësuar jetën e njerëzve. Të gjithë i paguajnë sot shtetit një taksë indirekte, TVSH-në, në masën 20% të gjithçkaje që blejnë. Edhe të çmimit të bukës, edhe të qumështit, edhe të vezëve. Të çdo ushqimi. Pesha specifike që zënë sot taksat konsumatore, TVSH-ja dhe akciza, në çmimin e produkteve ushqimore bazë, është 28%. E kemi premtuar këtë në Paktin Qytetar që në muajin maj, kemi fituar zgjedhjet edhe për këto premtime në të gjithë Shqipërinë që paguan taksa, dhe do të luftojmë në parlament që ky çlirim i rëndësishëm i barrës së taksave mbi familjet shqiptare, të ndodhë pa pritur që të vijmë ne në  qeveri". Sipas ekspertëve të opozitës ushqimet duhet të përjashtohen nga taksa e TVSH-së, ndërsa theksojnë se për miellin, bukën, vezën e qumështin TVSH-ja duhet të jetë zero.Kryesisht për shkak të krizës ekonomike dhe financiare që ka mbërthyer prej kohësh ekonominë globale, çmimet ndërkombëtare, sidomos të produkteve bazë, gjatë këtyre pesë viteve të fundit janë dy ose trefishuar. Kështu vetëm disa nga zërat bazë për të përballuar jetesën e përditshme janë rritur si më poshtë: 

• Energjia elektrike është rritur 62 %;

• Barnat janë rritur 43 %;

• Shërbimi shëndetësor është rritur 50 %;

• Mielli, Buka, Sheqeri, Vaji, Orizi janë rritur mesatarisht me 52%.

Gjatë gjithë kësaj periudhe konsumatori shqiptar, ka vazhduar të paguajë këto rritje çmimesh bashkë me TVSH-në, në masën 20%.

PS-ja nënvizoi se qëllimi kryesor i këtij projektligji është për të lehtësuar përballimin e jetesës së shqiptarëve, nëpërmjet lehtësimit të barrës fiskale dhe ndikimit direkt te çmimi i këtyre produkteve.

Nga ana praktike, opozita vlerëson se përshkallëzimi i TVSH-së me 0, 10 dhe 20%, teknikisht nuk duhet të sjellë probleme në zbatim, pasi vendosja e kasave fiskale duhej tashmë të kishte ulur në mënyrë të dukshme evazionin fiskal në të gjitha hallkat. Nevojat për mallrat e shportës si: vaj, sheqer, oriz plotësohen të gjitha nga importi dhe përgjysmimi i TVSH-së për këto mallra do të sillte një efekt në buxhetin e shtetit jo më të madh se 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 mld lekë.

Në këtë pikë, PS vlerëson se efektet financiare pasojë e kësaj nisme ligjore mund të përballohen nga të ardhurat e siguruara nga dhënia e licencës së II 3G një kompanie të telefonisë mobile, por edhe nga përmirësimi i administrimit fiskal e veçanërisht uljes së evazionit fiskal.

Gjithsesi kjo nismë nuk u prit mirë nga mazhoranca.

Fillimisht qenë ekspertët që u shprehën. Kështu eksperti i maxhorancës për politikat fiskale, Florion Mima mbron tezën se ulja e taksave të konsumit nuk lehtëson të varfërit, por një tjetër shtresë. “Ata që fitojnë më së shumti nga përshkallëzimi janë shtresat e pasura, pasi janë ato që konsumojnë më shumë produktet ushqimore për të cilat flasim”,- tha Mima. Sipas tij kjo nismë nuk do të sillte një ulje të çmimeve në treg dhe se përshkallëzimi i TVSH-së do të rriste evazionin fiskal duke i shkaktuar dëme shtetit. Një tjetër argument i ish-zëvendës ministrit të financave, që kundërshton uljen e taksave, ka të bëjë me atë se si tregu e përcjell lehtësimin e barrës tek konsumatorët.

“Tregtarët kanë fiksuar çmime të larta dhe nuk e përcjellin uljen e barrës fiskale. Do të duhet kohë që tregu shqiptar të operojë me norma pak më të larta sesa fitimet e bankave”,- deklaron ai.

“Si rrjedhojë, –thotë Mima,- mund të gjenden hapësira ndihmëse në rast se rishikohet kufiri i pataksueshëm mbi të ardhurat”. Qëndrimin zyrtar të maxhorancës për të mos e miratuar draftin e propozuar nga opozita e ka shprehur kryeministri Sali Berisha në një nga mbledhjet e qeverisë. Berisha mori për herë të parë në shqyrtim projektligjin e Partisë Socialiste për heqjen  e TVSH-së për një sërë produktesh ushqimore, me qëllim uljen e çmimit për familjet e varfëra. “Kjo, – tha kryeministri, – nuk mund të zbatohet pasi do të cënonte prodhuesit vendas”. “Megjithatë, – tha ai, – reformat fiskale do të vazhdojnë, por jo në drejtimin që propozon opozita”.

Përsa i përket prodhimit vendas, ai kurrsesi nuk ndihmohet duke ngarkuar me taksa qytetarët e këtij vendi. Ndihma ndaj tyre jepet duke strukturuar e integruar tregjet e mallrave bujqësore, duke nxitur zgjerimin e fermave dhe ekonominë e shkallës, duke ndërmjetësuar midis prodhuesve vendas dhe tregtarëve, duke integruar tregjet vendase me ato rajonale, etj, por jo nëpërmjet rritjes së taksave ndaj qytetarit. Për më tepër nuk ka asnjë lidhje mes tatimit të mbledhur nga taksimi i prodhimit vendas me ndihmën financiare, që u jepet prodhuesve, pra të ardhurat nga këto taksa nuk destinohen për prodhuesit vendas.

Nga ana tjetër argumentimi i Mimës që heqja apo reduktimi i TVSH-së do të favorizonte jo të varfërit, por një shtresë tjetër nuk është bindës. Bëhet fjalë për produkte bazë të konsumit të përditshëm, për të cilat të gjithë njerëzit kanë nevoja jetike pak a shumë të barabarta dhe për të cilat një individ me të ardhura mesatare sot shpenzon rreth 50% të buxhetit familjar.

Arsyeja më e rëndësishme që qeveria nuk është dakort me këtë draft është se TVSH-ja përbën pjesën kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku taksat e drejtpërdrejta si tatimi mbi te ardhurat, fitimet dhe pasuritë janë burimi kryesor i të ardhurave të buxhetit, në ekonomitë në zhvillim këto të ardhura përballohen nga tatimet e tërthorta: TVSH-ja dhe akciza. Tatimet indirekte kanë një sërë avantazhesh si lehtësia në grumbullim dhe janë të maskuara brenda çmimit të një malli apo shërbimi. Sigurisht kalimi nga tatimi i tërthortë në atë të drejtpërdrejtë është një proçes ndryshimi strukturor që do të kërkojë një kohë relativisht të gjatë. Aktualisht në Shqipëri, ku njerëzit nuk janë pronarë legjitimë të pasurive të tyre për shkak të mungesës së dokumenteve të pronësisë, kjo kufizon aftësinë e shtetit për të nxjerrë të ardhura nga ky lloj taksimi.

Për këtë arsye, një prekje e TVSH-së do të konsiderohej një sakrificë nga çdo qeveri që do të ishte në pushtet, për shkak se është një e ardhur e garantuar që vilet në doganë, në rastin e importeve. Një fakt i tillë pasqyrohet edhe nga të dhënat e doganave. Sheqeri është një ndër mallrat që klasifikohet në listën e produkteve më shumë të importuara në vend. Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raportojnë se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, arka e shtetit ka mbledhur rreth 900 milionë lekë nga taksat e vjelura prej sheqerit të importuar. Të ardhurat nga sheqeri renditen në vendin e nëntë për nga volumi i të ardhurave pas mallrave të akcizës dhe makinave. Vaji gjithashtu renditet në vendet e para për nga volumi i të ardhurave në buxhetin e shtetit. Të dhënat tregojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë 2010 vendi ka mbledhur rreth 680 milionë lekë të ardhura vetëm nga importi i vajit.

Gjithsesi pyetjet që mbeten janë po të njëjtat:

A është i mjaftueshëm ky propozim apo duhej shoqëruar me propozime të tjera konkrete për arritjen e qëllimit të tij? A është realisht e mundur heqja apo reduktimi i TVSH-së në kushtet tona dhe nëse po, kur do të fillojë konsumatori të ndjejë efektet reale të kësaj politike? A duhet riparë taksimi i familjeve të varfra? A mund të kryhen politika të tjera mbështetëse që mund të lehtësojnë jetën e shqiptarëve, siç është rritja e pragut përjashtues (propozohet kufiri i 30.000 lekëve). A nuk është më e drejtë që të taksohet më shumë pasuria se sa konsumi? A nuk është më mirë që të paguhet sipas mundësive (siç është taksa e mirëqënies në shumë vende të botës)?

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Një ndryshim ligjor që ka hyrë në fuqi së fundmi u kërkon bizneseve të deklarojnë në zyrat rajonale tatimore të gjitha llogaritë bankare

Kategoritë e punonjësve për efekt të deklarimit, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore Tatimpaguesit, persona juridikë

"Që nga fillimi i këtij viti në Terminalin e Kontejnerëve në portin e Durrësit janë përpunuar 97,565 mijë kontejnerë TEU (njësi konte

Edhe për vitin 2018, importet e akulloreve kanë shënuar sërish rritje.

Monedha e Eurozonës është shfaqur e qëndrueshme këtë të martë, duke mbetur në kuotën e 121.2 lekëve sikurse dje.

Monedha e përbashkët i është rikthyer ciklit rënës në tregun e brendshëm.

Shqipëria me të 3 rajonet e saj (veri, qendër, jug) renditet më e varfra në Europë sipas një krahasimi që bëri Eurostat për të ardhurat p

Banka e Shqipërisë ka prezantuar sot serinë më të re të kartëmonedhave shqiptare.

Ministrja e Financave, Anila Denaj ndan lajmin se papunësia në vend është ulur në 11.5%, bazuar kjo në anketat tremujore të forcave të pu

Librat dhe pajisjet shkollore janë bërë më të shtrenjta këtë vit.