Volumi i mallrave tranzit nga/drejt Kosovës nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë 11 muajve të këtij viti është 2.4 herë më i lartë se sa në të njejtën periudhë të vitit 2018.

Që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit janë përpunuar 189,132 ton mallra gjithsej, ndërsa në janar-nëntorin e vitit të kaluar shifra arrinte në vetëm 79,916 ton.

Në fillimin e këtij viti në port janë përpunuar 33 anije me mallra tranzit gjithsej, kryesisht me mallra të tipit qymyr, hekur, llamarinë rrotativë dhe xhamave. Këto mallra më pas, të ngarkuar në kamionë i janë drejtuar qyteteve të Prishtinës, Ferizajt, Suharekës, Rahovecit, Gjilanit, etj.

Mbi 96 mijë ton mallra janë përpunuar në Terminalin e Mallrave Gjenerale të portit, ndërsa rreth 92 mijë ton të tjerë në Terminalin Lindor.

Kjo pikë doganore në Portin e Durrësit është vendosur më 15 janar të këtij viti. Mallrat që kanë destinacion tregun e Kosovës kontrollohen dhe zhdoganohen nga zyrtarë doganorë të Kosovës të vendosur në këtë port.