A e përballon ekonomia shqiptare një karantinë të dytë

05/07/2020 - 09:10

Ekuacioni me shumë të panjohura i Covid-19 është larg zgjidhjes. Kur u duk se po i vinte fundi, u shtuan ndryshoret, duke e komplikuar më tej atë. Pas një karantine të vendosur me shpejtësi dhe me rreptësi në vend, infeksioni që ka bërë lëmsh mbarë botën, u duk se u vu në kontroll. Shqipëria arriti të kalonte fazën e parë të pandemisë, me një numër shumë të ulët vdekjesh në raport me popullsinë.

Por, hapja e qershorit, po aq e shpejtë sa mbyllja, tregoi se situata nuk ishte aq e lehtë. Numri i të infektuarve u rrit me shpejtësi dhe fatkeqësisht, edhe jetët e humbura po ashtu, teksa virusi tinëzar, i kombinuar me virozat e stinës, tregoi se mund të ishte sërish i rrezikshëm. Përvoja tregoi se do të duhet të kalojmë të paktën dhe një cikël tjetër 10-javor, që e shtyn pandeminë me frekuencë të lartë deri nga mesi i gushtit.

Në valën e parë të koronavirusit, Shqipëria, ashtu si pjesa më e madhe e vendeve të botës, zgjodhi si ilaç karantinimin e popullsisë dhe bashkë me të, edhe të ekonomisë. E pasigurt nëse sistemi shëndetësor do ta përballonte ngarkesën dhe përballë një virusi tërësisht të panjohur, kjo ishte zgjidhja më e mirë në ato momente, ku çdo jetë njerëzore u konsiderua më e vlefshme se kosto të tjera të rikuperueshme.

Karantinimi i popullsisë shkaktoi një kolaps ekonomik në mbarë botën në vetëm pak muaj. Ekonomia globale pritet të tkurret me gati 5% këtë vit, sipas parashikimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, nga 3% që ishte pritshmëria në prill, kur pandemia sapo kishte nisur. Për disa shtete të goditura rëndë, si p.sh., Italia, tkurrja pritet deri në -12.7%.

Shqipëria nuk i ka shpëtuar kësaj tendence, ku tkurrja pritet midis -5 deri në -9%, më e larta në rajon, për shkak të varësisë nga turizmi dhe modelit ekonomik të bazuar te bizneset e vogla, tregtia e shërbimet. Nga ana tjetër, me borxhin e lartë dhe të ardhurat e ulëta, financat kishin pak hapësirë fiskale për të mbështetur bizneset (sipas FMN-së, mbështetja direkte ishte më pak se 1% e PBB-së, më e ulëta në rajon).

Gjithsesi, në një sinjal pozitiv, pas karantinimit, ekonomia kishte filluar të merrte pak frymë. Eksportuesit e mëdhenj të naftës e çelikut sinjalizuan se po kthehen gradualisht drejt niveleve të parakrizës. Sektori i tekstileve e këpucëve, eksportuesi kryesor dhe një prej punëdhënësve më të mëdhenj në vend, po përshtatet gradualisht drejt normalitetit të ri, duke prodhuar maska, apo veshje të tjera mbrojtëse.

Në maj, për herë të parë pas dy muajsh me shkurtime masive personeli, rimarrjet në punë ishin më të larta sesa largimet. Më e vështirë duket situata për turizmin. Shtyrja e vazhdueshme e hapjes së kufijve dhe pasiguritë e shtuara pas një vale të re infektimesh në shumë vende, e bëjnë pak të mundur që ky sektor të rikuperojë këtë vit.

Ndonëse situata e koronavirusit është përkeqësuar dy javët e fundit, hapja ka vijuar dhe qeveria nuk duket se ka në konsideratë një mbyllje të dytë, e vetëdijshme se ekonomia nuk do të arrijë ta përballojë atë. Me situatën aktuale, financat presin që të ardhurat të bien me 15% me bazë vjetore në 2020-n, ndërkohë që shpenzimet do të vijojnë të larta, si rrjedhojë e mbështetjes për pandeminë, nevojës për të hedhur likuiditet në ekonomi dhe rindërtimit pas tërmetit.

Një tkurrje prej 15% e të ardhurave, do të thotë 550 milionë euro më pak të hyra në buxhet. Nëse shpenzimet do të vijojnë sipas planit, atëherë deficiti (diferenca mes asaj që shteti mbledh nga taksat e bizneseve e individëve dhe shpenzimeve që duhet të kryejë) pritet që të arrijë në gati 800 milionë euro.

Eurobondi dhe huamarrja e brendshme mund të mundësojnë gjetjen e të ardhurave për të kryer shpenzimet e planifikuara dhe të domosdoshme për të nxitur ekonominë, ndonëse kjo do të arrihet në kurriz të rritjes së borxhit publik në të ardhmen, që pritet të shkojë në gati 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). I gjithë ky skenar është parashikuar në rast se ekonomia vijon e çalë pa ndërprerje të mëtejshme. Me kaq. Buxheti është në limitet e tejskajshme të tij. Një mbyllje tjetër do të ishte katastrofike për ekonominë.

Ndaj, vendi duket se do të duhet të bashkëjetojë me infeksionin të paktën edhe disa muaj. Teksa qeverisë i kanë mbaruar municionet, ndërgjegjja qytetare për zbatimin e rregullave dhe kujdesi i të gjithëve, mbeten për momentin ilaçi më i mirë për të shpëtuar jetët dhe ekonominë./ monitor.al

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Anketimi me sipërmarrjet nxjerr në pah pasojat e rënda të pandemisë të shkaktuar te sipërmarrjet.

Ekonomia ka hyrë në një fazë kritike.

Shqipëria brenda këtij viti do të bëjë transparente llogaritë bankare për të paktën 82 vende të botës të cilat kanë rënë dakord të shkëmb

Në rrugët kryesore të Tiranës, ku më parë vitrinat e dyqaneve ishin të mbushura me mallra të reja, tani shihen shpesh të afishuar lajmëri

Pandemia e koronavirusit ka hapur një gropë të madhe në ekonominë shqiptare ku për vitin 2020 rrezikohet që humbja të shkojë në 1.8 milia

Më 17 shkurt të vitit 2020, në Konferencën e Donatorëve, e cila u mbajt në Bruksel për të mbledhur financime për rindërtimin e pasojave t

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha një konferencë për mediat se pandemia e koronavirusit goditi rëndë ekonominë shqiptare

Monedha e gjelbër ka shënuar një tjetër rënie në tregun e brendshëm edhe gjatë ditës së sotme, ndryshe nga euro që ka ndalur nënçmimin.

Ndonëse në këtë periudhë pakkush mund të mendojë të bëjë investime, apo të realizojë blerje të mëdha, normat e interesit janë më të favor

Kushdo që kërkon të vazhdojë arsimin e lartë, apo të mësojë për një profesion të caktuar, në finale ka si qëllim të arrijë të paguhet sa