Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vendosi që të shfuqizonte vendimin e janarit të këtij viti kur i dha mundësinë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) të faturonin deri në qershor konsumatorët me vlerë referuese dhe matjet në terren të bëheshin çdo dy muaj.

Kjo do të thoshte që konsumatorëve nuk mund t’ju kontrollohej fizikisht matësi për shkak të situatës së pandemisë dhe fatura e tyre mujore do të kishte të njëjtën shumë që kishte pasur në muajin e njëjtë të një viti më parë. Për shembull janari i këtij viti të faturohej njëlloj sa janari i vitit të shkuar e kështu me radhë.

Në muajin mars FSHU dhe OSSH njoftuan tek Enti se gjatë muajit të parë të zbatimit të vendimit të ERE nr.24/2021, për shkak të pamundësive teknike dhe kohës, ka mundur të faturojë me vlera referuese zëvendësuese vetëm një pjesë të klientëve, përkatësisht 200.000 të tillë.

I njëjti vendim i ERE sqaron se pas kërkesës për informacion që ju drejtua operatorëve në fund të prillit të dyja kompanitë dhanë detaje mbi ecurinë e procesit të faturimit me vlerë referuese si dhe ankesat që janë paraqitur nga konsumatorët lidhur me këtë situatë.

Kështu shoqëria OSSH sh.a., përmes shkresës nr. 305/6 prot., të datës 28.04.2021 ka bërë me dije se, gjatë muajit Shkurt janë faturuar me vlerë referuese zëvendësuese 175.517 klientë ose 14% e bazës totale të klientëve. Gjatë ciklit të leximit të muajit mars 2021 ishin planifikuar të faturoheshin me vlera referuese zëvendësuese 216,844 konsumatorë. Shoqëria OSSH sh.a., gjithashtu në shkresën sipërcituar shprehet se: “e ka të pamundur faturimin total të numrit të klientëve me vlerë referuese, numër i cili parashikohej të ishte i ndarë në 50% sipas klientëve në çdo muaj, siç parashikuar në pikën 2.1, të vendimit nr. 24/2021”.

Shoqëria FSHU sh.a. nga ana tjetër, përmes shkresës nr.3156/1 prot., datë 30.03.2021, protokolluar me nr.305/3, datë 01.04.2021, ka bërë me dije se gjatë muajit Janar 2021 janë regjistruar 303 ankesa në total për faturimin me vlerë referuese zëvendësuese, ndërkohë që për muajin Shkurt 2021 është regjistruar vetëm 1 ankesë.

Pavarësisht se ka një rënie të ankesave dhe funksionimit të matjes me vlerë referuese ERE ka nënvizuar se shifrat e infektimit në ulje nga njëra anë dhe ecuria e vaksinimit nga ana tjetër janë dy tregues për uljen e rrezikut për punonjësit e terrenit (faturistët) e në këto kushte ska më kuptim që të vijojë matja me vlera referuese. Ndaj Enti ka shfuqizuar vendimin e fundit të janarit duke i hapur kështu rrugë faturimit normal çdo muaj me vlerën reale që regjistrojnë matësit. /Monitor