Euro nuk ndal rritjen, arrin nivelin më të lartë që nga fundi i prillit

11/06/2018 - 12:42

Monedha e përbashkët e ka nisur këtë javë me rritje në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 128.34 lekë, me një rritje prej 0.76 lekë në raport me fundin e javës së kaluar.

Nga data 6 qershor, kur Banka e Shqipërisë njoftoi planin e saj për të ndërhyrë në tregun valutor me synim ndalimin e rënies së mëtejshme të euros, monedha e përbashkët është rritur me 4.17 lekë, duke arritur në nivelin më të lartë që nga fundi i muajit prill.

Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg, pasi euro ra me shpejtësi në maj dhe qershor, duke zbritur më 5 qershor në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vjet. Banka tha se kjo rënie ishte e papritur dhe kishte shkuar përtej parashikimeve, duke u ndikuar dhe nga efekti psikologjik i pritshmërive për një rënie të mëtejshme.

Pas ndërhyrjes së bankës, faktori psikologjik u kthye në drejtim të kundërt. Individët nxituan të blinin valutë, në pritje të rritjeje të mëtejshme të euros dhe kjo ndikoi në forcimin e shpejtë të monedhës së përbashkët, raporton “Monitor”.

Luhatjet e mëdha kanë bërë që agjencitë e këmbimit valutor të rrisin marzhin e tregtimit në blerje dhe shitje, nga 0.5 lekë, në gati 2 lekë. Një euro mund ta blesh sot mesatarisht në agjencitë valutore me 129.3-130.3 lekë.

Për shkak të kësaj situate, ekspertët e tregut pohojnë se është e vështirë të bëhen parashikime për ecurinë në muajt në vijim, ndonëse tradicionalisht vera është një periudhë kur valutat dobësohen, për shkak të efekteve sezonale nga remitancat dhe prurjet e turistëve, që këtë vit pritet të arrijnë në nivel rekord.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracionin e lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.

Arsimi merr për familjet e reja  çerekun e shpenzimeve, madje më shumë  se për t’u ushqyer dhe strehuar.

Monedha e përbashkët europiane ka shënuar ditën e shtatë radhazi me rënie në tregun vendas.

Gjatë ditës së sotme u prezantua Studimi i Realizueshmërisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pograd

Veprimtaria ekonomike shënoi rritje në pothuajse të gjitha zonat turistike në vend.

Shpenzimet e familjeve shqiptare u rriten me ritme më të shpejta se të ardhurat na pjesën e parë të vitit 2018.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar pas kërkesës së opozitës për ta përjashtuar atë nga Delegacioni Parlamentar i S

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbylli zbatimin e planit sektorial të turizmit.

Këshilli Kombëtar i Territorit kaloi të mërkurën e kësaj jave plot 29 vendime të lidhura me investime të ndryshme të institucioneve publi