Monedha e përbashkët prej ditësh është në tendencë rënëse në tregun e brendshëm, ndërsa gjatë ditës së sotme ka zbritur në nivelin më të ulët të këtij viti.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 122.92 lekë, nga 123.01 të premten e javës së kaluar. Ky është niveli më i ulët euros i këtij viti dhe në kuota të ngjashme me fundin e vitit të kaluar përpara festave të fundvitit.

Euro ka qenë e nënçuar në tregun vendas, ndonëse në bursat ndërkombëtare ajo është në rritje që prej muajit prill, duke u këmbyer me 1.22 dollarë, niveli më i lartë që nga shkurti.

Aktorët e tregut pohojnë se rënia e monedhës së përbashkët në tregun vendas lidhet me faktorë të brendshëm, si oferta e lartë për euro dhe kërkesa e ulët për to. Ata pohojnë se euro pothuajse nuk tërhiqet fare. Ndërsa oferta vjen nga një gjallërim i turizmit në vend, por burimi më i lartë vijojnë të mbeten kanalet informale.

Në rënie në tregun e brendshëm ishte dhe dollari, që ka rënë me ritme më të larta sesa në bursa. Një dollar u këmbye gjatë ditës së sotme me 101.1 lekë, nga 101.89 lekë të premten e javës së kaluar, duke u këmbyer në nivelet më të ulëta që nga fillimi i janarit të këtij viti.

Në bursat ndërkombëtare, euro ka qenë e qëndrueshme, pasi të dhënat treguan për një përmirësim të besimit të biznesit gjerman, ekonomia më e madhe e Europës. Ndërsa javën e kaluar, dollari ra në nivelin më të ulët që nga mesi i 2018-s, për shkak të dhënave më të dobëta sesa priteshin për ecurinë e tregut të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Monitor