FMN mban të pandryshuar parashikimin e ekonomisë shqiptare për 2018-n

18/04/2018 - 07:45

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e Pasqyrës Ekonomike Globale të prillit, të sapopublikuar, ka vendosur që të mbajë të pandryshuar pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2018, prej 3.7%. Më herët, në raportin e tetorit të vitit të kaluar, FMN e kishte ulur pritshmërinë për performancën e Shqipërisë me 0.2 pikë përqindje në 3.7%, shifër që e mbajti të pandryshuar dhe në rishikimin e prillit.

Ndërkohë FMN ka rritur vlerësimin për rritjen e vendit në 2017-n, nga 3.7% në 3.9%, në krahasim me Raportin e tetorit, në linjë dhe me të dhënat e fundit të INSTAT, që vlerësoi se ekonomia vendase u zgjerua me 3.84% në vitin 2017.

Për periudhën afatmesme, FMN pret që rritja të përshpejtohet lehtë, duke arritur në 3.8% në 2019-n dhe do të vazhdojë të luhahtet rreth 4% deri në vitin 2023.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, që pritet të zgjerohet me 4%, Shqipëria do të ketë normën më të lartë të rritjes. Më pas renditen Bosnjë dhe Hercegovina me 3.2%, Maqedonia me 3%, Mali i Zi me 2.4%, Serbia me 3.5%.

Inflacioni pritet të përshpejtohet këtë vit, në 2.8%, nga 1.9% në vitin 2017, duke iu afruar objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet në 6.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 7.2% në 2017-n, duke mbetur gjithsesi më i larti në Europën në Zhvillim, me përjashtim të Malit të Zi.

Ngadalësimi në 2018-n nga përfundimi i projekteve të mëdha
Të gjitha institucionet ndërkombëtare presin që ekonomia shqiptare të ngadalësohet në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke e lidhur me mbarimin e projekteve të mëdha, si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet që po ndërtohen mbi lumin Devoll.

“Ritmet e rritjes pritet të ngadalësohen në vitin 2018 për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha energjetike të financuara nga Investimet e Huaja Direkte”, tha Banka Botërore në prezantimine Raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor pak ditë më parë. Në vijim, Shqipëria pritet të rritet me 3.6-3.5%, nga gati 4% që arriti zgjerimi në vitin 2017.

“Rritja ekonomike në Shqipëri është e fortë, 3.9% në 2017-n dhe 3.7% në 2018-n, nga më të lartat në rajon. Inflacioni është i ulët, eksportet të forta, rezervat të kënaqshme”, ka pohuar përfaqësuesja e misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar gjatë misionit të parë i FMN-së për Monitorimin e post-programit. Por, ajo ka paralajmëruar se nuk është koha për vetëkënaqje se rritja mund të mos zgjasë. Tregu ndërkombëtar mund të ngadalësohet në afat të mesëm. Në tregun e brendshëm ka borxh të lartë, NPL të larta dhe mjedis të vështirë për biznes, vuri në dukje misioni i FMN-së, duke këshilluar vijimësinë e konsolidimit fiskal.

Sipas FMN, rritja ekonomike do të jetë më ulët vitin që vjen, pasi nuk do jenë më projektet e mëdha energjetike, teksa në tregun ndërkombëtar situata nuk është më aq pozitive.

Ekonomia globale
FMN vlerëson në raportin e saj se në vitin 2017 investimet globale dhe tregtia vazhduan të mbajnë peshën e rritjes. Niveli 3.8 për qind i rritjes ekonomike globale në 2017 ishte më i shpejti që nga viti 2011. Me kushtet financiare mbështetëse rritja globale pritet që të prekë 3.9 për qind si në vitin 2018 ashtu edhe në 2019. Ekonomitë e avancuara do të rriten më shpejt se potenciali i këtij viti, ekonomitë e zonës euro pritet që të tkurrin zgjerimin e kapacitetit e ndikuar nga politika monetare akomoduese dhe politika fiskale zgjeruese do të çojë ekonominë e Shteteve të Bashkuara mbi punësimin e plotë.

Rritja agregate në ekonomitë në zhvillim pritet që të vijojë qëndrueshmërinë e mëtejshme me një rritje më të fortë në Azi dhe Europë dhe një rritje më modeste të eksporteve pas tre viteve performancë të dobët. Rritja globale parashikohet që të zbutet përtej disa viteve. Sapo të mbyllet hendeku i prodhimit shumica e ekonomive të zhvilluara pritet që të kthehen në nivelet e tyre potenciale të rritjes poshtë mesatares së parakrizës që do të ndikohet nga popullsia në plakje dhe prodhimi i dobët. Rritja e SHBA do të ngadalësohet nën potencial ndërkohë që ndikimi zgjerues i politikave fiskale të fundit do të kthehet në të kundërt. Rritja prioritet të mbetet nën mesatare në disa tregje dhe ekonomi në zhvillim, përfshirë eksportet e disa mallrave që vazhdojnë të përballen me nevoja për konsolidim themelor fiskal.

/Monitor/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Mjekët stomatologë janë me pakicë në Shqipëri në raport me vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Çdo avion që do të niset nga aeroporti i Rinasit do të paguajë 227.82 euro si tarifë ndaj shtetit shqiptar.

Monedha e përbashkët ka shënuar sërish rritje ditët e fundit, duke rikuperuar pas rënies që shënoi në pjesën e parë të javës së kaluar.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sqaruar se i vetmi mesazh që ai ka marrë nga qytetarët shqiptarë, mesazh të cilën e përmendi dhe Edi Ram

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve tregtare mund të dëmtojë rritjen ekonomike globale.

Eksportet arritën në 310 miliardë lekë për vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT, duke arritur në një nivel rekord, me një rritje prej 1

Kompania e Shpërndarjes së Energjisë ka ndryshuar skemat e aktmarrëveshjeve për abonentët që janë debitorë.

Sektorët që sigurojnë punësim masiv si bujqësia, fasoni, turizmi kanë dhënë alarmin për mungesën e fuqisë punëtore, duke ulur pretendimet

Drejtoria Rajonale Tatimore Durrës zhvilloi një takim informues për prezantimin e ndryshimeve të legjislacionit tatimor, me hyrjen në fuq

Rritet numri i bizneseve të vogla, që po regjistrohen në skemën e TVSH-së.