Frika nga Covid-19/ Shqiptarët shtojnë kursimet, rriten me 291 mln euro nga fillimi i pandemisë, rekordi i 9 viteve

30/10/2020 - 07:35

Depozitat bankare shënuan një tjetër rritje të ndjeshme për muajin shtator, duke vijuar një tendencë të qëndrueshme kursimi, që është konstatuar që pas fillimit të pandemisë së Covid-19. E ardhmja e pasigurt po nxit kursimtarët të lënë para mënjanë për kohë të vështira.

Që nga fundi i muajit shkurt, stoku i depozitave në vend është rritur me 36 miliardë lekë, ose 291 milionë euro (+3.5%).

Rritja është shumë më e fortë, nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur nga shkurti 2019 deri në shtator 2019, kursimet ishin rritur me vetëm 6.5 miliardë lekë, ose gati 6 herë më pak. Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, kjo është rritja më e lartë për periudhën kohe në referencë, që nga viti 2011 (shiko grafikun e parë). Që prej vitit 2013, rritja e depozitave në sistem ishte ngadalësuar ndjeshëm, si rrjedhojë e uljes së normave të interesit (nga politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë), që i mbajti depozituesit larg bankave.

Duke iu referuar studimeve të ngjashme, një sjellje e tillë konsumatore e individëve për të rritur kursimet në kohën e Covid-19 vërehet në shumicën e vendeve të Rajonit dhe të Bashkimit Europian. Në vendet e BE-së, rritja e kursimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 ishte më e larta në 20 vitet e fundit.

Studimet për situata të tilla në të shkuarën sugjerojnë se në kohëra krizash ekonomike, fatkeqësish natyrore apo epidemish, mund të priten ndryshime strukturore në sjelljen e ekonomive familjare. Efekti i pasigurisë për të ardhmen mund të mbizotërojë atë të rënies së të ardhurave në ecurinë e pritshme të kursimeve; kjo nënkupton se individët mund priren edhe më shumë drejt kursimit, duke ulur më tej konsumin.

Duke llogaritur edhe depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë, totali i depozitave bankare në Shqipëri arriti në rreth 1.25 trilionë lekë ose rreth 10 miliardë euro. Depozitat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të Bankës së Shqipërisë janë ato me maturim mbi dy vjet, si edhe depozitat e qeverisë qendrore.

Në tremujorin e tretë të vitit rritja e totalit të depozitave është rreth 19 miliardë lekë, ndërsa depozitat që përfshihen në paranë e gjerë janë rritur me rreth 22 miliardë lekë. Kjo mund të tregojë se një pjesë e depozitave afatgjata janë zhvendosur në depozita pa afat apo afatshkurtra, çka konfirmon sërish tendencën drejt formave më likuide të kursimit.

Rritja e depozitave në shtator

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator, totali i depozitave të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë arriti në 1 trilionë e 78 miliardë lekë ose rreth 8.7 miliardë euro. Depozitat regjistruan një rritje të mëtejshme prej 8.2 miliardë lekësh (rreth 65 mln euro) krahasuar me gushtin; me bazë vjetore krahasimi, depozitat shënuan një rritje prej 66 miliardë lekësh ose rreth 6.5%.

Gjatë shtatorit, depozitat u rritën pothuajse në masë të barabartë si në lekë, ashtu edhe në valutë, me një shtesë prej afërsisht përkaësisht 4 miliardë lekësh tek të dy grupet.

Depozitat në valutë huaj dhe kryesisht në euro vazhdojnë të dominojnë, me rreth 54% të totalit.

Edhe për shtatorin rritja erdhi kryesisht tek llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, në dëshmi të faktit se shqiptarët përgjithësisht preferojnë t’i mbajnë fondet e tyre në formë likuide dhe të mund t’i tërheqin në çdo kohë. Kjo zgjedhje lidhet si me normat e ulëta të interesit për depozitat me afat, ashtu edhe me pasigurinë që ka përcjellë kriza në radhët e familjeve dhe bizneseve shqiptare./Monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Depozitat kanë vijuar tendencën e rritjes së qëndrueshme edhe në tetor, ndonëse në ritme më të ulëta në krahasim me dy muajt e mëparshëm,

Bizneset e vogla nuk po arrijnë të mbijetojnë në një treg ku konkurrenca sa vjen e po shtohet nga zinxhirët e mëdhenj të tregtimit dhe ku

Në gati tre muaj që pjesa më e madhe e popullatës u ngujua në shtëpi, për shkak të karantinës së fortë për të frenuar përhapjen e Covid-1

Shqiptarët janë populli më kursimtar në Ballkanin Perëndimor.

Pandemia e koronavirusit do të ketë pasoja më të qëndrueshme në sjelljen e konsumatorit, të cilat do të ngadalësojnë më tej shërimin, par

Sistemet publike të shëndetësisë në të gjithë botën janë vënë në presionin e shpenzimeve të larta për përballimin e emergjencës që ka kri

Shqipëria u rendit e katërta në Europë për Rritjen e Përgjithshme të Çmimeve në muajin tetor sipas metodologjisë së Eurostat.

Importet e barnave shënuan një rritje të ndjeshme në muajin tetor, duke arritur një rekord historik, me përjashtim të një muaji në vitin

Liderët e Ballkanit Perëndimor mbajtën angazhimin për të lehtësuar tregtinë ndërmjet tyre deri në vitin 2024 në samitin që u mbajt në Sof

Puna nga shtëpia, që nisi si një opsion i detyruar nga karantina, tani është kthyer në një normalitet për disa kompani dhe profesione