Për qëllim zbatimin në mënyrë korrekte të ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Rpublikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore në fuqi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se subjektet duhet të kenë të qartë dallimin midis furnizimit të mallrave dhe furnizimit të shërbimeve për zbatimin e dispozitave në lidhje:

  • Vendin e furnizimit (vendi i tatimit);

  • Kërkueshmërinë;

  • Momentin e lëshimit të faturës;

  • Shkallën e TVSH-së ose përjashtimin;

  • Regjimet e ndryshme tatimore.

Ligji i mësipërm i përcakton transaksionet si:

  • të tatueshme  nga  natyra  dhe  këto  janë  pikërisht  furnizimet  e  mallrave  dhe shërbimeve të tatueshme, përveç kur bëjnë pjesë në transaksionet e përjashtuara;

  • të tatueshme, kur ligji i përcakton si të tilla.

DPT thekson se , Transaksionet, të cilat janë të patatueshme për nga natyra, trajtohen si transaksione të tatueshme kundrejt pagesës, sepse nëse nuk tatohen ato shkaktojnë shtrembërim të konkurrencës.

Shembull:

Një person i tatueshëm, super-market, furnizon mallra ushqimore. Në fund të vitit u shpërndan dhurata punonjësve të supermarketit nga një shportë mallrash me vlerë 7,000 lekë për festat e fundvitit. Personi i tatueshëm kryen furnizime të tatueshme sipas natyrës pasi ai furnizon mallra ushqimorë të tatueshëm me TVSH. Ndërkohë mallrat që shpërndan si dhuratë për punonjësit, edhe pse nuk janë shitur, për qëllime të TVSH-së ligji i konsideron si furnizim kundrejt pagesës dhe si të tilla konsiderohen transaksione të tatueshme.

Raste të veçanta furnizimesh

Ka raste kur një transaksion paraqet një karakter të përzier, malli dhe shërbimi. Furnizime të tilla të përziera klasifikohen si më poshtë:

  • Furnizimi i shërbimeve i përfshirë në furnizimin e mallrave është furnizim malli.

  • Furnizimi i mallrave, i përfshirë në furnizimin e shërbimeve, është furnizim shërbimi.

  • Furnizimi i shërbimeve, i përfshirë në importin e mallrave, është pjesë e importit të mallrave.

Shembuj të aktiviteteve që paraqesin karakter të përzier:

  • Punimet e instalimit lidhen në të njëjtën kohë me furnizimin e materialeve dhe me shërbimin për vendosjen e tyre;

  • Shërbimi që merr pacienti në spital kur shkon për t’u diagnostikuar është shërbim për realizimin e të cilit përdoren edhe materiale apo mallra spitalore, por ajo që është vendimtare në këtë rast, është konsulta, vizita e mjekut, trajtimi i pacientit, si një furnizim shërbimi pasi ky është edhe qëllimi i hospitalizimit;

  • Tirazhi i fotografive që konsiston thjesht në printimin e skedarëve që i dorëzohen klientit duke bërë ndoshta edhe ndonjë përmirësim të standardizuar (dimensionet, kontrolli i  cilësisë),  konsiderohet si furnizim malli, ndryshe nga fotografitë  që bëhen nga një profesionist i fushës, të cilat karakterizojnë punën e fotografit për të zgjedhur modelin, sugjeruar pozicionin, etj., dhe jo thjesht nga printimi i fotove;

  • Do të konsiderohen si furnizime malli rastet e prodhimit dhe shitjes në një numër të madh kopjesh të artikujve tregtarë si kartolinat e ndryshme, portretet e artistëve apo të personaliteteve, etj;

  • Furnizimi i standart-software, të cilët prodhohen në seri, është furnizim malli ndërkohë që furnizimi i software-ve të ndërtuar dhe konceptuar (përshtatur) sipas nevojave specifike dhe kërkesës së klientit është furnizim shërbimi.