Banka e Shqipërisë miratoi dje në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës raportin e stabilitetit financiar për 6 muajt e parë të vitit. Raporti vlerëson se sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm dhe me tregues pozitiv të perfomancës.

“Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. Rënia e vlerës së aktiveve në valutë të sektorit bankar për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, ndikoi në tkurrjen e lehtë të vlerës së totalit të aktiveve të sektorit për periudhën në fjalë. Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar.

Gjatë periudhës, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë nuk pati ndryshime të ndjeshme. Aftësia e sektorit bankar për të përballuar këto rreziqe, në kushtet e niveleve të larta të likuiditetit, kapitalizimit dhe përfitueshmërisë, vlerësohet e fortë”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Këshilli Mbikëqyrës miratoi edhe shitjen e bankës “Veneto” tek “Intesa Sanpaolo Albania” dhe shitjen e “NBG Albania” te Banka Amerikane e Investimeve.

“Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Intesa Sanpaolo Albania sh.a. (shoqëria përthithëse) me Veneto Banka sh.a. (shoqëria e përthithur). Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Intesa Sanpaolo Albania sh.a. do të jetë pasuese e Bankës Veneto sh.a. në Shqipëri. Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Amerikane të Investimeve sh.a. (shoqëria përthithëse) me Bankën NBG Albania sh.a. (shoqëria e përthithur). Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Amerikane e Investimeve sh.a. do të jetë pasuese e Bankës NBG Albania sh.a”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu pritet që së shpejti të qarkullojë në treg edhe kartëmonedha 10 mijë lekëshe. Këshilli Mbikëqyrës miratoi vizatimet e kartëmonedhës së re dhe elementët e sigurisë. Më herët në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të dhjetorit të vitit 2017, Banka e Shqipërisë miratoi edhe tematikën e kartëmonedhës shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10.000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT: “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës. /Panorama/