07/02/2013 - 18:38
TIRANE- Çdo grua shtëpiake do të përfshihet në skemën e sigurimeve. Në vend ka një numër të konsiderueshëm femra të papuna, por për të përfituar këtë librezë të posaçme duhet të jenë të regjistruara në zyrat e punësimit.
Identifikimi i tyre si të papuna bëhet nga pushteti vendor, ndërsa ISKSH ka lehtësuar të gjitha burokracitë procedurariale për të marrë këtë librezë. Të papunat përfitojnë barna të rimbursueshme nga lista e ilaceve me rimbursim, ndërsa si procedurë gratë shtëpiake duhet të marrin patjetër vertetim në zyrat e punës.
Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, u shpreh se në listën e barnave me rimbursim janë shtuar 19 barna të reja, duke e çuar në 426 numrin e barnave të listës së rimbursueshme për vitin 2013.
Drejtoresha Hana sqaron qytetarët se norma e kontributit ka mbetur e pandryshuar, është 3.4% dhe vijon të jetë kështu edhe në ligjin e ri, ku gjysma paguhet nga punëdhënësi dhe gjysma nga punëmarrësi.
ISKSH bën të ditur se i qëndron skemës së kontributive, e cila është një skemë funksionale në vendet e Bashkimit Europian, pasi dihet saktësisht financimi që shkon për shëndetësinë. Shpenzimet për kategoritë në nevojë, mbulohen nga Qeveria e cila paguan 76% të fondeve totale dhe vetëm 24% vijnë nga kontributet në buxhetin e ISKSH-së.
/portali DurresLajm/