Importet e mallrave të akcizës janë rigjallëruar gjatë muajit mars duke arritur nivelet e parakrizës.

Rritje më të lartë shënuan importet e karburanteve të cilat arritën rekorde historike gjatë gjithë periudhës së krizës deri në fund të marsit. Ndërsa nga mallrat e tjera të akcizës janë rikuperuar importet e birrës dhe kafesë në muajin mars, ndërsa cigaret kanë vijuar uljen gjatë tre muajve të parë të vitit 2021.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në muajin mars, importet e karburanteve arritën në 46,6 mijë tonë me një rritje 56% në raport me marsin e vitit 2020 dhe me një rritje 36% në raport me marsin e vitit 2019. Rritja është evidente për të gjithë tremujorin 2021 me 9% më shumë se viti i kaluar, ku pavarësisht krizës pandemike importet e naftës vitin e kaluar ishin në rekorde, prej 126 mijë ton (shih grafikun: Importet e karburanteve, janar-mars).

Karburantet janë ndër kontributorët më të mëdhenj të të ardhurave buxhetore sidomos në arkëtimet doganore nëpërmjet pagesës së akcizës, TVSH-së dhe taksave doganore. Rritja e sasive të zhdoganuara të naftës ishte arsyeja kryesore e rritjes së të ardhurave doganore gjatë muajit mars.

Burimet nga tregu pohuan se importet e larta të naftës po zëvendësojnë prodhimin e munguar të rafinerisë së ARMO-s.

Burimet shpjeguan se konsumi nuk ka ndryshuar e për rrjedhojë importet nuk po udhëhiqen nga ky tregues, por po korrektojnë prodhimin e munguar. Por të dhënat historike nga Ministria e Financave tregojnë se importet nuk ishin kaq të larta edhe në vitet e tjera kur ARMO nuk ka qenë në punë.

Gjatë dy muajve të parë të vitit 2021 importet e naftës ishin 79,361 tonë me një ulje 9% në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë, por ato panë një rritje të pazakontë në mars, duke e çuar sasinë e importuar gjatë tremujorit në nivelin më të lartë historik që nga viti 1991.

Importet e naftës ishin më të lartat e shënuara ndonjëherë, në një kohë që investimet në projektet e mëdha të investimeve, TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë përfunduar, teksa kriza pandemike e goditi konsumin si rrjedhojë e rënies së lëvizjeve.

Importet e birrës gjithashtu panë një rritje vjetore jo të zakonte në muajin mars me rreth 84%, teksa me tremujor treguesi ishte me rënie vjetore të lehtë. Edhe importet e kafesë shënuan rritje me 27% në mars dhe me një rritje më të butë për tremujorin e parë.

Importet e cigareve nuk ndoqën të njëjtin trend duke pësuar ulje edhe gjatë muajit mars me rreth 25%, ndërsa për tremujorin ulja ishte 9%. /Monitor