Duke filluar nga dita e hënë, i gjithë rrjeti i dy bankave italiane, Popolare Vicenza e Veneto Banca (klientë, depozita, letra me vlerë,…) do të transferohen formalisht tek Intesa Sanpaolo, duke siguruar në këtë mënyrë vazhdimësi të plotë të të gjithë marrëdhënieve të klientëve.

Il Sole 24 Ore bën të ditur se të dielën paradite, Intesa Sanpaolo i ka dhënë mandatin CEO-s, Carlo Messina, për të mbyllur blerjen e dy ish bankave popullore të rajonit të Veneto.

Po të dielën pasdite, Këshilli Italian i Ministrave ka miratuar dekretin, sipas të cilës banka do të marrë nga shteti 5.2 miliardë euro: 4.8 miliardë euro do të shërbejnë për të ruajtur normën e kapitalit bazë të Intesa Sanpaolo (12,8%) dhe 400 milionë euro për garanci. Kryeministri Italian Paolo Gentiloni, në një konferencë për shtyp ka bërë publik dekretin, i cili i hap rrugë likuidimit të Popolare di Vicenza e Veneto banca dhe kalimin e pjesëve të mira te Banka Intesa.

Kriza e bankave të rajonit të Veneto daton para krizës ekonomike dhe “ka arritur nivele që panë të nevojshme një paketë shpëtimi për të shmangur rreziqet e një dështimi të çrregullt”, shpjegoi Gentiloni. Nga sistemi ynë bankar, “Intesa San Paolo Group, i cili po merr këto banka veneciane, është një nga asetet më të  vlefshme “, tha Kryeministri.

CEO i Intesa Sanpaolo, Carlo Messina komentoi se  “Ndërhyrja jonë do të konsistojë në sigurimin e më shumë se 50 miliardë euro kursime që i janë besuar dy bankave dhe të kujdesemi për 2 milionë klientë, nga të cilët 200.000 sipërmarrje që veprojnë në zonat më dinamike të vendit”. Ndër të tjera -tha Messina- integrimi i dy bankave dhe i personelit përkatës do të kryhet jo përmes pushimeve, po përmes largimeve vullnetare.

E ardhmja e bankave Veneto kishte qenë në diskutim dy vitet e fundit, teksa rregullatorët e ECB-së kishin zbuluar një gropë nëkapital si rrjedhojë e rritjes së kredive të këqija.

Në Shqipëri

Intesa San Paolo dhe Veneto Banka kanë të dyja filiale në Shqipëri. Banka e Shqipërisë pritet të qartësojë nëse e njëjta gjë do të ndodhë dhe me filialet e dy bankave përkatësë në vend, pra nëse Intesa do të përthithë Veneto-n në të njëjtën mënyrë si në Itali.

Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund të vitit 2016 totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliardë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, apo rreth 11% të totalit të sistemit. Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditet e 12-a, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.

Nëse do të bëhej bashkimi, Intesa do të ngjitej sërish në bankën e tretë më të madhe në vend, sipas aktiveve, me rreth 12.6% të totalit.

Sipas ligjeve shqiptare, të gjitha bankat me kapital të huaj konsiderohen filial dhe veprojnë të pavarura nga mëmat, duke iu bindur ligjeve të Bankës së Shqipërisë.

/Monitor/