Banka e Shqipërisë do të hedhë në qarkullim brenda gjysmës së parë të këtij viti kartëmonedhën e re të prerjes 10 000 lekë.

Në raportimin vjetor për Kuvendin e Shqipërisë, banka qendrore bën të ditur se po vazhdon procesin e rinovimit dhe përmirësimit të cilësisë së kartëmonedhave. Në këtë proces, risia kryesore është padyshim hedhja për herë të parë në qarkullim e prerjes 10 000 Lekë. Kjo është prerja më e madhe e parasë e përdorur ndonjëherë për monedhën shqiptare.

Banka e Shqipërisë e pati shpallur vendimin për të hedhur në qarkullim një prerje të tillë vitin e kaluar, ndërsa në informacionin e fundit zyrtar bën të ditur se kjo kartëmonedhë është prodhuar dhe pritet ardhja e saj në Shqipëri, së bashku edhe me serinë e re të prerjes 1000 Lekë. Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk i ka bërë ende publikë elementët vizualë që do të jenë pjesë e kësaj prerjeje. Paralelisht, banka qendrore ka përfunduar procedurat e tenderimit dhe BSH-ja është në fazën e nënshkrimit të kontratave me kompanitë fituese për prodhimin e kartëmonedhave të prerjeve 500 lekë dhe 2000 lekë, të cilat mendohen të hidhen në qarkullim në fund të vitit 2021.

Në fund të vitit 2020, numri i kartëmonedhave në qarkullim ishte rreth 156 milionë, për një vlerë totale afërsisht 350 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2019, numri i kartëmonedhave në qarkullim është rritur me rreth 10.3%, ndërsa vlera e kartëmonedhave është rritur me pothuajse 15%. Struktura e parasë në qarkullim kryesohet nga kartëmonedhat me vlerë nominale 5000 Lekë dhe 2000 Lekë, që përbëjnë secila rreth 26% të totalit, të ndjekura nga prerja 1000 Lekë, me rreth 24% të numrit të përgjithshëm të tyre.

Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë nisi përmirësimin e serive të kartëmonedhave, me qëllim forcimin e elementeve të sigurisë dhe dizajnit, praktikë e zakonshme për bankat qendrore, që përgjithësisht zbatohet çdo 15 deri në 20 vjet. Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2000 Lekë janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996. Ndërkohë, në vitin 2008, serisë iu shtua kartëmonedha 2000 Lekë.

Banka e Shqipërisë argumenton se në këto 20 vite kanë ndodhur ndryshime të vazhdueshme në teknologji, si për sa i përket elementeve të sigurisë që mund të dallohen nga publiku i gjerë pa përdorimin e makinerive të posaçme, ashtu edhe për sa i përket atyre që njihen nga makineritë e përpunimit dhe numërimit të kartëmonedhave. /Monitor