Thatësira ka prekur sërish sektorin e energjisë në vend. Kompania e shpërndarjes së energjisë ka nisur importet, ndërsa prodhimi i energjisë nga Korporata Elektroenergjetike plotëson vetëm gjysmën e nevojës për konsum vendas.

Sipas të dhënave zyrtare, rezerva energjetike në kaskadën e Drinit është rreth 450 gigavat, ndërsa prurjet në hidrocentrale janë 35% më të ulta se mesatarja shumëvjeçare e muajit Nëntor.

Nga 186 m3/s që janë prurjet mesatare në këtë periudhë, ditën e sotme ato kanë arritur 30 m3/s, 6 herë më pak.

Për 9 muaj rresht, KESH arriti të plotësojë të gjithë nevojat për furnizim të energjisë së vendit, por mungesa e reshjeve për një periudhë gati gjysmë vjeçare kanë bërë që dhe prodhimi i hidrocentraleve të përgjysmohet.

KESH thotë se furnizimi i vendit me energji elektrike është i garantuar dhe se janë marrë masat nga të gjitha kompanitë e tregut për të plotësuar nevojat me energji të konsumatorëve.

Dy ditë më parë OSHEE bleu 7 milionë Euro energji elektrike, ndërsa niveli në hidrocentralin e Fierzës ka rënë me rreth 25 metra, që prej muajit qershor. /tvKlan/