Vlera e overdrafteve të tërhequra nga individëve në banka ka pësuar rënie, pasi ekonomia u prek nga kriza e Covid-19.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të korrikut vlera e paradhënieve bankare të përdorura nga individët ishte 7.32 miliardë lekë ose rreth 59 milionë euro. Vlera e overdrafteve ka rënë me 6% krahasuar me një vit më parë dhe me 8.9% që nga fundi i muajit mars. Rënia më e fortë e vlerës së overdrafteve të shfrytëzuara nga individët ka ardhur gjatë muajit prill, që shënoi ndoshta edhe muajin me ndikimin më të fortë të pandemisë në shoqërinë dhe në ekonominë shqiptare.

Paradhënia bankare për individët është zakonisht një produkt i lidhur me llogaritë e pagamarrësve ose ato të kartave të kreditit, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore.

Rënia e overdrafteve pas muajit prill mund të interpretohet si pasojë e mbylljes së ekonomisë dhe uljes së shpenzimeve konsumatore. Pas kalimit të pagave të muajit prill, tërheqjet e reja nga overdraftet duket të kenë qenë ndjeshëm më të ulëta.

Një studim nga specialistë të Bankës së Shqipërisë arriti në konkluzionin se pasiguria e përcjellë nga kriza i shtyu shqiptarët të rrisnin kursimet. Kjo provohet jo vetëm nga rritja e depozitave bankare, por pjesërisht edhe nga ulja me rreth 700 milionë e shumës së tërhequr nga overdaftet gjatë muajit prill.

Kjo tendencë është konfirmuar edhe gjatë muajve në vazhdim, kur rritja e overdrafteve ka qenë mjaft e kufizuar. Nga prilli deri në korrik, vlera e përdorur e overdrafteve është rritur me vetëm 45 milionë lekë. Duke qenë se overdrafti është një instrument i lidhur me llogarinë e pagës, një ndikim në uljen e vlerës mund të ketë pasur edhe rritja e papunësisë ose politikat më konservatore të ndjekura nga bankat për overdraftet e maturuara.

Një tendencë e ngjashme vërehet edhe me kredinë konsumatore. Për periudhën mars-korrik, portofoli i kredisë konsumatore ka rënë gjithashtu me rreth 600 milionë lekë. Kjo është një rënie e konsiderueshme, po të kemi parasysh shtyrjen e pagesës së kësteve, që e ka ngadalësuar ndjeshëm amortizimin normal të portofolit. /Monitor