Makinat në Shqipëri me moshë mesatare 20-vjeçare, sa dyfishi i Europës

Postuar: 10/12/2017 - 10:45

Parku i automjeteve në Shqipëri ka një moshë rreth 20-vjeçare, nga 10.2 që është mosha mesatare në Bashkimin Europian. Si ndikon kjo në mjedis? Propozimet për të nxitur hyrjen e makinave të reja në vend dhe planet e Ministrisë së Mjedisit për të reduktuar ndotjen. Si do ndalohet importi i automjeteve nën standardin Euro 5…

Të shqetësuara për ndikimin negativ në mjedis, India, Franca, Britania dhe Norvegjia, kanë vendosur objektiva që maksimumi deri në vitin 2040 të ndalojnë shitjen e makinave me naftë dhe benzinë në favor të automjeteve më të pastra. Të paktën 10 shtete të tjera kanë vendosur objektiva për makinat elektrike.

Shqipëria, ashtu si në shumë fusha të tjera, duket vite dritë larg kësaj mënyre të menduari e të vepruari. Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), parku i automjeteve në Shqipëri ka një moshë rreth 20-vjeçare, nga 10.2 që është mosha mesatare në Bashkimin Europian.
Në total, sipas të dhënave të përpunuara nga ACA, në Shqipëri janë të regjistruara rreth 435 mijë autovetura. 87% e mjeteve të regjistruara janë të standardit Euro 1, 2 dhe 3, me vit prodhimi deri në 2005-n. Me standardin Euro 5 dhe 6 ka vetëm 14 mijë mjete të regjistruara apo 3.3% të totalit.

Të dhënat e ACA tregojnë se shqiptarët nuk po e rinovojnë parkun e mjeteve. 80% e mjeteve të regjistruara në vitin 2015 kishin një vit prodhimi deri në vitin 2005 dhe standard deri në Euro 3.

Që pas gushtit 2011, kur u hoqën detyrimet doganore për makinat e vjetra, u shënua rritje e ndjeshme e importit të tyre. Në 6 vjet (2011-2016) u importuan 261 mijë mjete të përdorura (që kulmuan në 2013-n me 64 mijë) dhe 10 mijë të reja, duke përkeqësuar dukshëm moshën e parkut të automjeteve në vend.

Shqipëria u bë koshi i plehrave të Europës”, thotë Gentian Bushati, menaxher i përgjithshëm i Porsche Albania. “Makinat që importoheshin e hidheshin në treg ishin, në masën 75% të tyre, mbi 15-vjeçare e kjo përbënte dhe përbën një problem në cilësinë e këtyre makinave dhe më alarmantja, ndotja që ato krijojnë”. “Rritja e importeve ka sjellë vjetërsimin e stokut të makinave që janë në Shqipëri”, pohoi Sokol Kodra, drejtor i Auto Star Albania Sh.A, distributori ekskluziv i Mercedes-Benz në Shqipëri.

“Ky proces apo ky ligj në fuqi ka ndikuar negativisht tek çdo koncesionar i autorizuar, pasi ka krijuar një lulëzim të biznesit të mjeteve të përdorura me apo pa licencë dhe duke iu referuar statistikave, ju bëj me dije që mjetet e reja zënë vetëm 3-4% të mjeteve të targuara të 2-3 viteve të fundit”, shton Reinaldo Krisafi, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar i Renault.

Eridon Lameborshi, Drejtor i Automobile Club Albania, pohon se Shqipëria importon mjete dhe karburant dhe nuk ka asnjë kufizim për sa u përket emetimeve ndotëse ose moshës së mjeteve të përdorura të importuara. Ndryshe ndodh në shtetet e tjera në zhvillim. Lameborshi sjell shembullin e Bosnjë-Hercegovinës, e cila nuk e lejon importin për mjete mbi 12 vjet, apo dhe Serbinë, që kërkon standardin Euro 5. Për mjetet e reja nga 01.04.2011, taksat janë shumë të ulëta për mjetet e importuara Euro 4 dhe Euro 5 dhe ka ligj që specifikon standardet e ndotjes për mjetet e përdorura.

Edhe Eno Zeneli, menaxher në Automaster, përfaqësues i FCA me markat Fiat, Jeep e Alfa Romeo pohon se informaliteti në tregun e automjeteve është mjaft i lartë, ndërsa Shqipëria është bërë koshi i plehrave të Europës.

Informalitet i lartë

Lameborshi thotë se, fatkeqësisht, të gjithë mjetet e përdorura të importuara përbëjnë një treg (nëse mund të quhet i tillë) tërësisht informal. Kjo për disa arsye:

-Pothuajse asnjë prej tregtarëve nuk është i regjistruar në organet tatimore.
-Pothuajse asnjë prej tregtarëve nuk ofron garanci për mjetin që shet.
-Pothuajse asnjë prej tregtarëve nuk operon përmes bankave në kryerjen e transaksioneve.
-Pothuajse në të gjithë rastet nuk deklarohet vlera e vërtetë e mjetit, por një vlerë shumë më e ulët se ajo reale, duke shmangur tatimin real, sidomos ato mbi 10 vjet.
-Blerësi nuk ka mundësi të njihet asnjëherë me historikun e mjeteve.
-Mjetet, në shumë raste, kanë qenë të përfshira në aksidente dhe kjo nuk i bëhet e ditur blerësit.
-40% e mjeteve në Europë kanë odometër (tregues të kilometrave të kryer) të manipuluar, në Shqipëri kjo shifër është shumë herë më e lartë.

Sipas një analize financiare të kryer nga ACA, ndërsa numri i makinave të reja të importuara në vitin 2016 është vetëm 4% e totalit, TVSH e paguar prej tyre zë 26% të totalit. Konkretisht, TVSH-ja e paguar nga një automjet i ri është mesatarisht 7,200 euro, nga 780 euro që është TVSH-ja e paguar mesatarisht nga një automjet i përdorur./Monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

62% e shqiptareve deklaruan në Anketën e Cilësisë së Jetës, të realizuar nga Komisioni Europian, se nuk arrijnë që të përballojnë blerjen

Gjatë vitit të kaluar janë vërë prurje të mëdha cash-i në llogaritë e bizneseve në banka nga persona të tjerë, të cilat nuk kanë mundur t

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rikujton të gjithë tatimpaguesit e biznesit të vogël, se sot është afati i fundit për deklarimin dhe

Në raport me të ardhurat, sot është më e lirë të blesh një shtëpi në Amsterdam, Berlin, Stokholm, Bruksel, Athinë, sesa në Tiranë.

   Hetimi tatimor po vijon me kontrolle dhe verifikimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike në sektorin e turizmit dhe në të g

   Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror po ushtron kontrolle të detajuara ndaj subjekteve, që kanë veprimtari ekonomike në zonat tu

Banorët e Shqipërisë mendojnë se kanë më shumëmundësi që tëbien në varfëri në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, ndërkohë qëndihen e

Në hotelet që mbyllën në Ksamil dhe në Potam, tatimorët nuk gjetën as kupona, as fatura të shërbimeve, madje as nuk ishin regjistruar si

Administrata tatimore ka nisur publikimin e një liste me emrat e bizneseve që nuk lëshojnë kuponin tatimor.

Mbyllet përfundimisht sigurimi i fondeve për projektin e rindërtimit të hekurudhës Tiranë-Durrës, me degëzim drejt Rinasit.