Ritmet e rritjes ekonomike janë ngadalësuar ndjeshëm në 6 muajt e parë të vitit, një tendencë e pritshme kjo, teksa vitin e kaluar gati gjysma e rritjes erdhi nga eksporti i energjisë. Ky eksport u favorizua nga moti me reshje dhe u llogarit tërësisht si vlerë e shtuar duke fryrë shifrat. Për gjithë 2018-n, rritja e ekonomisë ishte 4.06% më e larta e dekadës së fundit.

Por, thatësira e këtij viti ka shfryrë shifrat e vjetshme. INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e dytë, rritja ekonomike ishte 2.31%, nga 2.21% që ishte në tremujorin e parë.

Efekt negativ ka dhënë dhe mbyllja e aktivitetit të lojërave të fatit. Të 14 kompanitë e licencuara për këtë aktivitete qarkullonin rreth 150 milionë euro në vit dhe kjo vlerë është “zhdukur” nga llogaritjet e produktit të brendshëm bruto.

Efektin më pozitiv në rritje e kanë dhënë shërbimet, që ndikuan në 0.71% të rritjes, e nxitur dhe nga turizmi, me hyrjet e të huajve që kanë shënuar një nivel rekord këtë vit. Sektorët e tjerë që ndikuan janë: Administrimi Publik, Arsim dhe Shëndetësi me 0.42%, Bujqësia, Pyjet dhe peshkimi me  0.41%

Ndërsa ndikimin negativ e dhanë sektorët e ekonomisë si Argëtimi, me -0.48%, të ndikuar nga mbyllja e lojërave të fatit, Industria nxjerrëse, përpunuese; Energjia elektrike, ujë me një ndikim negativ prej 0.23%, ndikuar nga rënia e prodhimit të Energjisë dhe degët e ndërtimit me -0.15%, e ndikuar kryesisht nga TAP.

Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shfaqen si më poshtë:

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 1,78 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 1,89 %. Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë Energjia dhe Industria e Prodhimit të produkteve metalike, të cilat kanë shënuar një rënie përkatësisht me 27,54 % dhe 4,79 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati rënie me 1,75 %, i ndikuar kryesisht nga kompanitë e lidhura me projektin TAP.

Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 4,75 %, i ndikuar kryesisht nga Tregtia me shumicë, e cila shënoi rritje me 6,37 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 10,73 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 13,92 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 8,01 %.

Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 2,32 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pësoi rritje 4,05 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 19,35 %. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 4,15 %. /MONITOR