Instituti i Statistikave raportoi se në vitin 2018 indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale ka pësuar rritje. Referuar publikimit të dedikuar për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve Bujqësore INSTAT nënvizon se për vitin e shkuar ky indeks arriti në 101,2, nga 99,2 që ishte në 2017-n. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore në vitin 2018 shënoi një rritje me 2,03 %, krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2018, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore shënoi rritje me 3,5 % dhe indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale shënoi rritje me 0,2 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndryshimet vjetore të çmimeve sipas grupeve kryesore:

Rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar çmimet e grupit “Bimë industriale” me 9,52 %, pasuar nga çmimet e grupit “Perime” me 8,92 %, çmimet e grupit “Mish peshë e gjallë” janë rritur me 1,04 % dhe çmimet e grupit “Drufrutorët” me 0,21 %.

Çmimet e grupit “Bimë foragjere” kanë shënuar rënien më të madhe me 6,43 %, pasuar nga çmimet e grupit “Patate” që kanë shënuar rënie me 3,61 %, grupi i “Drithërave” rënie me 0,84 % dhe çmimet e grupit “Qumësht dhe produkte të tjera blegtorale” kanë shënuar rënie me 0,44 %, vlerëson INSTAT.

Një situatë problematike lidhur me çmimet e perimeve është vërejtur herë pas herë viteve të fundit, ku në disa raste çmimet kanë arritur në ekstreme. Arsyet që janë dhënë herë pas here kanë qenë të lidhura me dëmtimet si pasojë e kushteve të motit në të mbjella, planifikimi i gabuar ku në njërin vit mbillet dukshëm një kulturë dhe në vitin tjetër për shkak të mos shitjes braktiset totalisht apo sjellje brenda tregut. /Monitor