Numri i të punësuarve sipas Rajoneve nxjerr në pah situatën e trishtë ku në 9 qarqe të vendit punësimi në bujqësi zë 60-86 për qind të totalit të punësimit.

INSTAT ka publikuar të dhëna mbi tregun e punës sipas rajoneve në vitin 2017, duke referuar dy burime. Për të punësuarit në bujqësi janë përdorur të dhëna nga anketa e forcës së punës dhe për të punësuarit në sektorin privat të dhënat administrative.

Burimet administrative sigurojnë të dhëna për numrin e të punësuarve në ndërmarrjet, të cilat deklarojnë tatimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa Anketa e Forcave të Punës (AFP), e cila është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve dhe siguron informacion gjithëpërfshirës mbi situatën e tregut të punës në nivel kombëtar.

Pas azhurnimit të te dhënave nga dy burime u gjet se në Qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Elbasanit punësimit në bujqësi është zë mbi 80 për qind të totalit në këto qarqe, me respektivisht, 86.1%, 84.4% dhe 83.5%.

Gjithashtu përqindje të larta të punësimit në bujqësi ka edhe Fieri me 76.2% të totalit, Korça me 74.4 për qind të totalit, Berati me 73.6% të totalit, Lezha me 65 %, Gjirokastra me 63.4 dhe Shkodra me 62.9 për qind të totali të punësimit.

Vetëm në Tiranë punësimi dominohet nga sektori privat, pasi të punësuarit në bujqësi zënë  6.5% të totalit, e më pas në Durrës me vetëm 25% dhe në Vlorë me 30.6% të totalit.

Krahasuar me vitin 2016, punësimi në sektorin privat jobujqësor, gjatë vitit 2017, shfaq një tendencë rritjeje me 15,16 %. Gjatë viteve 2016-2017, qarku Tiranë ka rritjen më të madhe të të punësuarve në sektorin privat jobujqësor (17,7 %), ndërsa qarku i Vlorës ka rritjen më të vogël (6,6 %).

Të rinjtë e moshës 15-24 vjeç, gjatë vitit 2017, përbëjnë 10,3 % të punëkërkuesve të papunë të regjistruar gjithsej. Përqindja që zënë të rinjtë në numrin gjithsej të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në çdo qark është më e lartë në qarkun e Kukësit (mesatarisht 18,1 %) dhe më e ulët në qarkun e Beratit (mesatarisht 6,2 %).

Në qarkun e Lezhës, përqindja e të rinjve ndaj numrit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar gjithsej në këtë qark ka një tendencë në rënie, nga 18,6 % në vitin 2016 në 7,2 % në vitin 2017, ndërsa në qarkun Shkodrës ka një tendencë në rritje, nga 9,5 % në vitin 2016 në 12,9 % në vitin 2017.

Në periudhën 2016-2017, mesatarisht 54,5 % e punëkërkuesve të papunë të regjistruar janë me arsim 8/9 vjeçar, 28 % janë me arsim të mesëm të përgjithshëm, 10,9 % janë me arsim të mesëm profesional dhe 6,6 % janë me arsim të lartë.

Gjatë vitit 2017, në qarkun e Elbasanit, punëkërkuesit e papunë të regjistruar me arsim 8/9 vjeçar, përbëjnë 63,2 % të të papunëve. Punëkërkuesit e papunë të regjistruar me arsim të lartë zënë përqindjen më të ulët në qarkun e Beratit prej 3,3 % e të papunëve të regjistruar në këtë qark dhe përqindjen më të lartë në qarkun e Kukësit prej 8,8 % e të papunëve të regjistruar në këtë qark. Në periudhën 2016-2017, përqindja e punëkërkuesve të papunë me arsim të mesëm të përgjithshëm është më e lartë se përqindja për personat me arsim të mesëm profesional në të gjitha qarqet.

Mesatarisht, gjatë viteve 2016-2017, në rang vendi, 54,6 % e punëkërkuesve të papunë të regjistruar janë afatgjatë (prej 12 muajsh e më shumë). Gjatë vitit 2017, peshën më të vogël në grupin e të papunëve afatgjatë, e zë qarku Gjirokastër (3,5 %) dhe peshën më të madhe e zënë qarqet Elbasan (18,8 %), Fier (16,5 %) dhe Tiranë (11,6 %). Nga viti 2016 në vitin 2017, numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është rritur me 1,02 %. Gjatë vitit 2017, qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (22,3 %) dhe qarku i Durrësit ka numrin më të vogël të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (1,3 %).

Burimi: Monitor