Nga kjo e martë Banka Qëndrore Europiane ka nxjerrë në qarkullim prerjet e reja të monedhës euro. Kartëmonedhat e reja 100 dhe 200 euro tashmë kanë një siguri maksimale për të mos u falsifikuar dhe janë më praktike edhe në përdorim. Dy prerjet e reja janë në përmasa më të vogla krahasuar me modelet e vjetra të të njëjtit lloj.

Banka Qëndrore Europiane ka vendosur që gjatësia dhe gjerësia e kartëmonedhave të jenë të njëjta si ajo prej 50 eurosh. Modelet e reja kanë kaluar provën e ujit, të lavatrices dhe hekurosjes duke treguar se në asnjërën prej rasteve nuk mund të dëmtohen. Kartëmonedhat kanë një holografi speciale me simbolin e euros që nën efektin e dritës ndryshon ngjyrën nga jeshile smeraldi në blu të thellë. Në këtë mënyrë, sipas ekspertëve, është e pamundur ndërhyrja e falsifikatorëve.

Sipas Bankës Qëndrore Europiane, pavarësisht futjes në përdorim të transaksioneve dixhitale, risitë në kartëmonedha kanë shumë rëndësi.  Në fakt statistikat europiane tregojnë se krahasuar me pritjet numri i kartëmonedhave shtohet cdo vit me 4%. vetëm prerja prej 100 eurosh është kartëmonedha e dytë më e përdorur. Në fund të muajit qershor të 2018-ës ishin në qarkullim sipas BQE 2,7 miliardë prerje, apo 200 milionë më shumë se prerja më e përdorshme prej 10 eurosh.