Paga mesatare në ekonomi shënoi ulje në tremujorin e tretë të vitit 2018 në raport me tremujorin e dytë. INSTAT raportoi se paga mesatare në ekonomi në gjatë korrik -shtator ishte 50,105 lekë nga 50,392 lekë që ishte në tremujorin e dytë duke shënuar rënie me 0.7 për qind.

Ekonomia e vendit është rritur mbi 4 për qind përgjatë dy tremujorëve të parë të vitit, por siç duket pagat nuk kanë mundur të ndjekin këtë ritëm. Përllogaritjet e INSTAT në lidhje me pagat mesatare në vend i referohen listëpagesave në tatime si për punonjësit në sektorin privat dhe ata në sektorin shtetëror.

Sakaq dhënave më të fundit tregojnë se papunësia  ka rënë me tej gjatë tremujorit të tretë të vitit, duke shkuar në 12.2 për qind nga 12.4 për qind që ishte në tremujorin e dytë.

Punësimi në Shqipëri po përmirësohet, por vendet e reja të punës janë me produktivitet të ulët. Banka e Botërore zhvilloi një anketë për shpërndarjen e vendeve të reja të punës në periudhën 2014-2016 dhe gjeti se rritja e punësimit ishte e shoqëruar me një ofertë punë që kërkon kualifikim shumë të ulët.

Me fjalë të tjera, megjithëse u krijuan vende të reja pune (punësimi u rrit me 11 për qind në periudhë, ose 114,000 vende pune), këto punë të reja ishin, mesatarisht, më pak produktive sesa vendet ekzistuese të punës. Për pasoje Shqipëria ka nivelin e pagave më të ultin në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërmjet viteve 2015 dhe 2016, rritja e punësimit ishte më e madhe në prodhim me (27 %), ndjekur nga bujqësia (18 %), tregtia (19 %), shërbimet e biznesit (14 %), TIK (10%) dhe turizmi (7%).

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka vlerësuar së fundmi se pagat në Shqipëri duhet të jenë të paktën 500 dollarë në muaj në mënyrë që të frenohet emigracioni.

“Studimet tregojnë se përmirësimi i klimës së biznesit dhe cilësia e shërbimeve publike mund të ulin në mënyrë të konsiderueshme dëshirën e njerëzve për të emigruar. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe rritja e pagave më shumë se 500 dollarë në muaj në një vend si Shqipëria do të ndikonin në frenimin e flukseve të emigracionit”, shkruan BERZH në Raportin e Tranzicionit 2019. /Monitor