Përjashtimi nga TVSH dhe taksa e infrastrukturës për rindërtimin pas tërmetit, miratohen më në fund udhëzimet

24/02/2020 - 22:29

Është miratuar në Fletoren Zyrtare udhëzimi “Për  procedurat  për  lëshimin  e  autorizimit,  për  subjektet  e  rindërtimit dhe  për  përjashtimin  nga  tatimi  mbi  vlerën  e  shtuar  të  furnizimit  të mallrave e shërbimeve, për qëllime të procesit  të  rindërtimit”. Në një tjetër udhëzim përcaktohen kushtet, rregullat dhe dokumentet që shoqërojnë kërkesën për dhënien e lejes së ndërtimit për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtimeve të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore, për përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Miratimi i tyre i jep rrugë zbatimit të vendimit të qeverisë për përjashtimin nga TVSH-ja dhe taksës së infrastrukturës në procesin e rindërtimit pas tërmetit, që po pengonte fondacionet në projektet e tyre të rindërtimit.

Përjashtimi nga TVSH

Udhëzimi përcakton përjashtimi nga TVSH-ja të furnizimit të procesit të ndërtimit, i kryer nga subjekte të autorizuara të rindërtimit, dhe i furnizimit të mallrave e shërbimeve që përdoren prej tyre vetëm për qëllime të rindërtimit.

Përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), brenda programit dhe përgjatë periudhës së rindërtimit për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, sipas përcaktimeve në legjislacionin e rindërtimit:

a) furnizimi i procesit të ndërtimit, që realizohet nga ndërtuesit, subjekte të rindërtimit;

b) furnizimi i shërbimeve dhe mallrave për procesin e ndërtimit, i kryer direkt për ndërtuesit, subjekte të rindërtimit;

c) importimi i mallrave për procesin e ndërtimit, i kryer direkt nga ndërtuesit, subjekte të rindërtimit.

Procesi i rindërtimit dhe programet e tij, për të cilat zbatohen përjashtimet nga TVSH-ja Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 97/2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, programet e rindërtimit, për të cilat do të aplikohet përjashtimi nga TVSH-ja janë:

a) Programi i ndërtimit të objekteve në zonat e reja apo në të njëjtin truall, që përfshin:

ndërtimin e objekteve të reja dhe të infrastrukturës publike nga autoritetet shtetërore;

ndërtimin e objekteve të reja dhe të infrastrukturës publike nga donatorët;

iii. rindërtimin e ndërtesave të shembura nga fatkeqësia natyrore në të njëjtin truall.

b) Programi i ndërtimit të infrastrukturës publike, kur nuk është pjesë e programeve të tjera të parashikuara në ligj, dhe të infrastrukturës kritike, me anë të të cilit, me financim nga fondi i rindërtimit apo nga donatorët, ndërtohen ose rikonstruktohen objekte të infrastrukturës publike dhe kritike nga njësitë zbatuese.

Subjektet e rindërtimit të autorizuara për përjashtimin nga TVSH-ja

Përjashtohen nga TVSH-ja:

a) ndërtuesit/kontraktorët, subjekte të rindërtimit, të cilët u nënshtrohen dispozitave të ligjit për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, të ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë dhe përcaktimeve të këtij vendimi;

b) ndërtuesit/kontraktorët, subjekte të rindërtimit, të cilët duhet të kenë lidhur një marrëveshje kuadër me njësinë zbatuese, të ngarkuar nga Këshilli i Ministrave për administrimin e fondeve të shpërndara nga fondi i rindërtimit dhe që përdoren bazuar në procedurat e ligjit për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, në lidhje me prokurimin publik për rindërtimin;

c) ndërtuesit/kontraktorët, subjekte të rindërtimit, të përcaktuar nga donatorët, për rastet kur donacionet/grandet e tyre nuk janë pjesë e fondit të rindërtimit sipas ligjit të buxhetit.

Procedura për lëshimin e autorizimit për ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, dhe mënyra e zbatimit të përjashtimit Për qëllime të zbatimit të përjashtimeve të mësipërme, ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, duhet të jenë të autorizuar nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, për t’u pajisur me autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja, paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dokumentacionin e mëposhtëm:

a) kërkesën me shkrim, së cilës i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it;

b) marrëveshjen kuadër, që kanë lidhur me njësinë zbatuese për secilën procedurë prokurimi

publik të programit të rindërtimit, sipas parashikimeve në ligjin e fushës;

c) marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe donatorit, në rastet kur ndërtuesi, subjekt i rindërtimit, është përcaktuar nga donatori që ka marrë përsipër procesin e ndërtimit, në përputhje me programin e rindërtimit;

Përjashtimi nga taksa e infrastrukturës

Ky projektvendim ka për qëllim përcaktimin e kushteve, rregullave dhe dokumenteve që shoqërojnë kërkesën për dhënien e lejes së ndërtimit për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtimeve të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore, për përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Për të përfituar përjashtimin nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë, sipas pikës 9, të nenit 27, të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, për investimet që shërbejnë për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtimeve për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore, së bashku me dokumentacionin përkatës që shoqëron kërkesën për dhënien e lejes së ndërtimit, investitori duhet të paraqesë edhe dokumentet, si më poshtë vijon:

a) aktin që vërteton dëmtimin e ndërtesës për shkak të fatkeqësisë natyrore;

b) dokumentin që përcakton shkallën e dëmtimit të ndërtesës, vlerën në lekë të dëmtimit, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, si dhe nivelin e ndërhyrjes që nevojitet në ndërtesën e dëmtuar.

Dokumentet e mësipërme lëshohen nga autoriteti përkatës, të përcaktuara sipas procedurave të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore”, që bëjnë vlerësimin e dëmeve në rastin e fatkeqësisë natyrore.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore verifikojnë dokumentet e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, dhe, në rast të plotësimit të tyre, aplikojnë përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi. /monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm

Administrata Tatimore sjell në vëmendje te të gjithë tatimpaguesve se afatet e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore nuk kane ndr

“Pagën e luftës” e kërkojnë edhe më shumë se 1 mijë tregtarë të tregjeve industriale në Durrës, të cilët kanë pezulluar aktivitetin prej

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës së bashku me Dhomat e Tregtisë dhe shoqatat e tjera të Sipërmarrjeve Private, me ide të kryetarit

Banka e Shqipërisë u ka nisur bankave një udhëzim me 7 hapa se si do të kryhet procesi i ristrukturimit të kredisë.

Pas uljes së normës bazë të interesit në 0,5% dhe heqjes së kufizimeve për likuiditet, Banka e Shqipërisë lajmëron se do të aplikohet pol

16 mijë biznese të vogla rezultojnë të jenë me qira dhe do të përfitojnë nga shtyrja për muajt që janë të mbyllur nga kjo pagesë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është mbledhur sot për të diskutuar disa masa që priten të merren për shkak të situatës ekonom

Nga sot 1 prill, ka nisur aplikimi i subjekteve të vogla, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, për të përfituar pagën minimale, apo të a

Monedha e përbashkët e ka nisur javën me një tjetër mbiçmim të fortë ndaj lekut.