Plakja e popullsisë/ Bizneset që lulëzojnë dhe ato që rrezikohen

10/03/2019 - 08:18

Në vitin 2021, Shqipëria pritet të përfshihet në një proces të shpejtë plakje pasi numri i të moshuarve mbi 65 vjeç për 100 të rritur në moshë pune do të kalojnë numrin e të rinjve nën 14 vjeç.

Përfshirja në fazën e avancuar të plakjes do të shterojë mundësitë e bizneseve që u kushtohen moshave të reja. Sipermarrjet e pajisjeve për fëmijë, si kancelaritë, lodrat, shkollat private, bizneset e teknologjisë së lartë dhe industria ushqimore e brumërave do të vihen në vështirësi. Do të lulëzojnë bizneset e logjistikës për të moshuarit, si azilet, pastrimi në shtëpi, mjekësia në shtëpi, tregtia e barnave, kujdestarë specifikë. Tendencat kanë nisur.

Me përvojë shumëvjeçare në tregtimin e artikujve për fëmijë, kryesisht lodra, zoti Dritan Çaushaj, vitet e fundit nuk po sheh rritje të xhiros. Edhe pse gama e artikujve është shtuar dhe prindërit janë më të përkushtuar ndaj logjistikës për fëmijë, diçka nuk po shkon. Pakësimi i fëmijëve të vegjël, por edhe konkurrenca nga qendrat tregtare, e kanë lënë në stanjacion biznesin shumëvjeçar, edhe pse është në një vend të lakmueshëm, përballë maternitetit të vjetër në Tiranë. Ai thotë se, në të ardhmen, do t’i duhet të përshtatet, pasi me rënien e numrit të lindjeve, shitjet nuk do të jenë si më parë.

Për shkak se struktura e popullsisë po ndryshon me shpejtësi në favor të moshave të vjetra, shumë biznese që nga prodhuesit për tregun e vendas, por sidomos sektori i shitjeve me pakicë dhe shërbimeve, duhet të zhvillojnë projeksione të reja për bizneset e tyre. Ajo që për vende të zhvilluara të Europës ka ndodhur për dekada, në Shqipëri po ndodh brenda vitit. Në vitin 2018, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2017, nga 26,0% në 25,4%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rritje nga 19,4% në 20,1% për të njëjtën periudhë.

Në vitin 2011, kur u bë censi i fundit, varësia e të rinjve ndaj popullsisë në moshë pune ishte 30% dhe për të moshuarit 17%. Përqindja e fëmijëve do të ulet më tej (në 17% në vitin 2020, gjysma e përqindjes së vitit 1989) dhe ajo e të moshuarve do të trefishohet në 15% krahasuar me vitin 1989.

Roland Hysaj, i cili drejton prej vitesh fabrikën e prodhimit të “Miell Tirana” është i shqetësuar. Pakësimi i popullsisë në moshë të re, për shkak të emigracionit, i ka ulur pritshmëritë. Ai pohon se të rinjtë janë konsumatorët kryesorë të bukës dhe brumërave. Rënia e këtij grupi konsumatorësh krijon çoroditje për industrinë e brumit në tërësi. Ndryshimet në stilin e jetesës dhe përshtatja me dietat për shkak të mbrojtjes nga sëmundjet, sidomos diabeti, ulin konsumin e brumërave në moshat e vjetra. Këto zhvillime në strukturën e popullsisë kanë nisur të ndihen, pohon Hysaj. Ai tha se kjo është një sfidë në biznesin e blojës, e cila vështirë se mund të zgjidhet.

Bizneset e artikujve shkollorë kanë nisur të ndiejnë rënien e numrit të fëmijëve. Mimoza, e cila prej vitesh shet mjete kancelarie në zonën e Selvisë, thotë se rënia e numrit të nxënësve po ndihet te shitjet. Ajo shton se në klasat fillore ka gjithnjë e më pak fëmijë. Rënia ka qenë më e ndjeshme këtë vit të ri shkollor, pohon Mimoza. Nga ana tjetër, prindërit i kanë rritur shpenzimet për fëmijët. Mimoza thotë se tashmë merr furnizime më cilësore, duke pohuar se janë rritur shitjet e stilolapsave që kushtojnë 300 lekë të reja, kurse vite më parë nuk i bënin këto lloj furnizimesh, pasi nuk kishte shitje.

Nga të dhënat e INSTAT, shihet se volumet e tregtisë me pakicë të librave dhe artikujve shkollorë kanë rënë në 98.8% në shtator të vitit 2018 (indeksi bazë 100 në vitin 2010). Volumet e tregtimit të artikujve shkollorë ishin më të ulëta se në vitin 2010, dhe me ulje edhe me një vit më parë në shtator 2018, kur volumet e tregtimit ishin 102%.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë mund gjallërojë disa biznese të reja, që më parë nuk kanë ekzistuar. Qendrat e trajtimit për të moshuar dhe azilet kanë një perspektivë të mbarë, ndërkohë, tregtia e ilaçeve po lulëzon pasi një popullsi më e plakur konsumon më shumë medikamente.

Nga shtatori i vitit 2018, volumi i shitjeve të barnave me pakicë shënoi rritje me rreth 40% në raport me vitin 2014.
Praktikat e vendeve të tjera që kanë kaluar tranzicione të ngjashme të popullsisë kanë vërtetuar se konsumi udhëhiqet nga moshat e reja. Në kohën e “baby boom” pas Luftës së Dytë Botërore, për fëmijët 0-14 vjeç në SHBA u shpenzuan 400 miliardë dollarë më shumë se për grupmoshat e tjera. Ndryshimi i popullsisë në favor të moshave të vjetra nuk është lajm i mirë për kompanitë e teknologjisë që kanë konsumator pararojë të rinjtë.

Biznesi i organizuar ende nuk e ndien

Sjelljet konsumatore për shkak të ndryshimit të strukturës së popullsisë ende nuk kanë nisur të diktojnë trendët e biznesit.

Burimet zyrtare të Balfin Group, aktori kryesor në tregtinë më pakicë në vendin tonë, pohuan se ndryshimi i strukturës së popullsisë nuk e ka ndryshuar ende trendin e shitjeve me pakicë në asnjë nga produktet ushqimore dhe as në shitjet e veshjeve.

“Në target grupin e klientëve që në mbulojmë me markat tona, ky ndryshim i strukturës së popullsisë nuk ka dhënë ndikim negativ, përkundrazi.

Kjo sepse target i biznesit tonë është klienti femër- mashkull i moshës 30 – 55 vjeç , një klient që ka të ardhura, që kërkon më të mirat për vetën e familjen dhe që prej vitesh është mësuar të vishet mire e me stil (p.sh. një 35-vjeçar i tanishëm është një 25-vjeçari i viteve më parë që ka ndjekur trendin e modës e që kërkon përsëri të vishet sipas saj), sqaroi zyra e medias në grupin Balfin.

Bizneset për fëmijë

Ariana, e cila prej vitesh kishte një biznes që shiste rroba dhe artikuj për fëmijë në qytetin e Kukësit, tani është një shtëpiake e papunë. Biznesi i saj ndryshoi kryekëput në vitin 2015, kur më shumë se 3000 familje u larguan nga qyteti për azil ekonomik jashtë vendit. Zbrazja e menjëhershme e qytetit gati e falimentoi, por ajo e mbajti aktivitetin edhe për dy vite të tjera pavarësisht humbjeve, pasi ambientet i kishte në pronësi, nuk paguante qira.

Vitin e kaluar e mbylli përfundimisht njësinë e shitjeve pasi nuk kishte më shitje. Ajo tha se shitjet e artikujve për fëmijë kanë rënë në mënyrë drastike, pasi të rinjtë pa mbushur 18 vjeç largohen për në Angli dhe gjithnjë e më pak po krijohen familje të reja në qytet. Ka provuar të shesë rroba për të rritur, por situata nuk ka ndryshuar.

“Moshat e vjetra nuk veshin shumë rroba dhe në të shumtën e rasteve blejnë te dyqanet me rroba të përdorura”, shtoi Arjana. Bashkë me bashkëshortin, ajo ka vendosur të emigrojë në Britaninë e Madhe për t’iu bashkuar dy djemve, të cilët janë prej vitesh atje. Të gjithë bizneset që kanë target grupmoshën 0-15 vjeç, sidomos në rrethe, po shohin tkurrje të konsumit dhe perspektiva do të jetë e vështirë. Kohë më parë, tregtarët e pakicës ankoheshin se ka rënë leku, ndërsa tani se nuk ka njerëz, nuk ka blerës.

Numri i fëmijëve 0-14 vjeç ka rënë me 10% nga viti 2015 në vitin 2018, ose mbi 55 mijë fëmijë më pak dhe nga viti 2011 janë 133 mijë fëmijë më pak. Me rënien e lindshmërisë vit pas viti, numri i fëmijëve në fund të vitit 2030 do të jetë edhe më i ulët, për shkak se norma ka rënë përtej parashikimeve. Pritshmëria është se të gjitha bizneset që mbështesin fëmijët me logjistikë dhe shërbime do të përballen me rënie. Bizneset private të arsimit si çerdhet, kopshtet dhe shollat kanë pësuar rënie drastike të numrit të nxënësve.

Vështirësitë do të rriten në vitet e ardhshme. Të gjitha bizneset që synojnë grupmoshat e reja do të përballen me një krizë konsumi në afat jo shumë të gjatë, shenjat e para janë shfaqur. Bizneset për fëmijët po hasin vështirësi në qytetet e Vlorës, Korçës, Gjirokastrës, pasi numri i lindjeve po bie me shpejtësi dhe janë edhe më të prekura nga eksodi i popullsisë. Dy kopshte private në rrugën “5 Maji” në Tiranë u mbyllën këtë vit për shkak se nuk plotësuan numrin e fëmijëve. Konkurrenca në rritje dhe rënia e numrit të fëmijëve i vuri në vështirësi zonjat, të cilat kishin njësitë e edukimit të parashkollorit prej 20 vitesh.

Bizneset e brumërave, në rënie

Bizneset e prodhimit të brumërave, kryesisht ato të prodhimit të bukës, po vuajnë pasojat e plakjes së popullsisë, ndryshimin e stilit të jetesës dhe fokusimin te dietat. Një nga biznesmenët më të mëdhenj të sektorit, administrator i fabrikës së “Miell Tirana”, e pohoi këtë fakt, por tha se vit pas viti, fabrikat po ulin kapacitetet e prodhimit për shkak të rënies së konsumit. Ndërsa njësitë e shitjes me pakicë të bukës pohojnë se, kërkesa po ulet gjithnjë e më shumë.

Furrat po përshtaten me kërkesën, duke zhvendosur prodhimin në njësi më të vogla. Bukët 1 kilogramëshe po zëvendësohen me simite të vogla dhe bukë 300 gramëshe. Për të ruajtur xhirot, ato po diversifikojnë prodhimet në shumëllojshmëri buke, me përbërës që u përshtaten kërkesave që po diktohen nga plakja e popullsisë. E njëjta tendencë vijon të thellohet edhe në vendet e zhvilluara. Komisioni Europian publikoi vitin e kaluar projeksionet e reja për bujqësinë dhe lajmëroi prodhuesit e drithërave e sidomos grurit, se konsumi i këtij produkti do të ulet gjatë dekadës në fundit, të paktën deri në vitin 2030.

Dëmtohen shitjet e teknologjisë

Plakja e popullsisë e bën një vend më pak atraktiv në përdorimin e teknologjisë së re. Dihet tashmë se çdo risi teknologjike përthithet më shpejt nga të rinjtë dhe për pasojë, kompanitë e teknologjisë dhe TIK kanë si konsumator kryesor moshat e reja. Rënia e popullsisë në këtë grupmoshë e vë në vështirësi perspektivën e kompanive TIK në Shqipëri.

Të rinjtë janë të prirë të bëjnë më shumë blerje dhe i shpenzojnë të ardhurat për risitë më të fundit. Nëse 20-vjeçarët përpiqen të ndjekin ritmet e telefonave të rinj Samsung dhe iPhone, personat mbi 50 vjeç nuk i kanë këto synime.

Ndryshimi i strukturës së popullsisë në favor të moshave të vjetra do të vështirësojë edhe shitjen e pajisjeve elektroshtëpiake, me funksione të avancuara teknologjike. Një popullsi më e plakur nuk është në gjendje të zhvillojë biznese me bazë teknologjinë. Zhvillimi po orientohet nga teknologjia, por një vend si Shqipëria, ku popullsia është në rënie dhe në plakje, nuk krijon një mjedis të përshtatshëm bizneset e TIK.

Lulëzon tregtia e barnave

Volumet e tregtimit të barnave janë rritur me 40% në pesë vitet e fundit sipas të dhënave të INSTAT mbi tregtinë me pakicë.

Popullsia e vendit, me të dhëna zyrtare (INSTAT) në vitin 2019 është 325 mijë banorë më pak se në vitin 2008, por përdorimi i produkteve farmaceutike gjatë kësaj periudhe është rritur me 1.2 herë, kurse tregu i farmaceutikës është zgjeruar me 2.2 herë në vlerë. Plakja e popullsisë, rritja e sëmundshmërisë, jetëgjatësia dhe vëmendja më e madhe ndaj kujdesit shëndetësor kanë rritur shitjet. Administratorja e një prej distributorëve më të mëdhenj farmaceutikë në vend thotë se, plakja e popullsisë rrit konsumin e ilaçeve.

Shtimi i numrit të të moshuarve, shpjegojnë farmacistët, rrit sasisë e konsumit të ilaçeve për tensionin, zemrën, Parkinsonin, etj. Moshat e thyera vuajnë më shumë se nga një sëmundje kronike në shumë raste, ndaj dhe janë kontingjenti më i madh i blerjes së medikamenteve.

Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 133 mijë më shumë se në vitin 2011. Një popullsi më e plakur rrit barrën e sëmundshmërisë dhe për rrjedhojë, edhe shitjen e medikamenteve.

Ndaj biznesi i farmacive duket se do të përjetojë rritje nga ndryshimi i strukturës së popullsisë. Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (hipertensioni, neoplazma, diabeti etj.), sipas gjetjeve të anketës së përbashkët të Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT për “Demografinë dhe Shëndetin”, të zhvilluar në vitin 2018 te 15800 persona.

Studimi i thelluar mbi gjendjen shëndetësore të popullatës gjeti se sëmundshmëria në vendin tonë është e nëndiagnostikuar sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe depresionin. Prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit në vend është duke u rritur. Në vitin 2017, ato ishin përgjegjëse për 70% të vdekjeve në vend sipas të dhënave zyrtare, ndërsa në vitin 2008, këto sëmundje ishin përgjegjëse për 52% të jetëve të humbura.

Trendi i hipertensionit në Shqipëri është përkeqësuar për meshkujt dhe femrat në 10 vitet e fundit. Sipas anketës së vitit 2018, prevalenca e hipertensionit është 24.3% për femrat kundrejt 20% më 2008, për meshkujt është rritur me rreth 10 pikë përqindje në raport me vitin 2008. Qarku i Fierit ka numrin më të madh të meshkujve me hipertension. /Monitor

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Në një deklaratë për mediat, investitorët e huaj që operojnë në Shqipëri kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare që të gjejnë një zgj

Në 10 të punësuar në Shqipëri, gati gjashtë prej tyre janë të vetëpunësuar ose punojnë në biznesin e familjes.

Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, me anë të një shkrimi të publikuar në rrjetet sociale, tregon sesi sipas tij, kostoja e rrugës Mil

Monedha e përbashkët nuk po ndal rënien në tregun vendas.

Taksa e ndërtesës e cila vitin e shkuar iu nënshtrua reformimit në metodologji duke pasur si bazë vlerën e truallit dhe sipërfaqen e ndër

Ndonëse zyrtarisht të varfër, shqiptarët arrijnë të kursejnë, duke lënë mënjanë kënaqësitë e jetës, duke pasur ndihmën e të afërmeve emig

Në pesë muajt e parë të vitit, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i është dashur të zhvillojë disa dhjetëra procedura prok

Administrata Tatimore njofton se çmon shumë të rëndësishëm komunikimin informues dhe ndërgjegjësues me opionin publik dhe komunitetin e t

Shpenzimet që i duhen një familjeje mesatare në muaj për të kryer një jetë dinjitoze, janë gati 50% më të larta sesa të ardhurat që ata m