Gati fillimi i punimeve. Përplasje Bizhga-Metalla për motopeshkatoret

Bashkia e Durrësit ka humbur gjyqin e shkallës së parë për portin e ri të peshkimit. Burime zyrtare nga Bashkia e Durrësit bëjnë të ditur se  verdikti i gjykatës së shkallës së parë ka hedhur poshtë padinë e bërë nga bashkia e Durrësit për paligjshmërinë e vendimit për realizimin e këtij porti në zonën e miratuar nga Këshilli i Qarkut.

Gjykata i ka konsideruar të rregullta procedurat për ndërtimin e këtij porti në krahun perëndimor të portit të Durrësit, në një kohë që pritet që nga bashkia e qytetit bregdetar kjo çështje të ndiqet dhe në shkallët e tjera të gjyqësorit. Në padinë e ngritur nga pushteti lokal ndaj shtetit shqiptar konsiderohen të paligjshme procedurat për ndërtimin e këtij porti, ku anashkalohet bashkia e Durrësit përmes një vendimi të Këshillit të Qarkut.

Devijimi i rrugës që parashikohej që të kalonte në qytet në drejtim të portit, shmangu institucionin e Bashkisë si palë në procedurat për miratimin e vendit të ngritjes së këtij porti. Ndër pretendimet e bashkisë së Durrësit në lidhje me ndërtimin e portit të peshkimit në një zonë tjetër të qytetit bregdetar dhe jo pranë shëtitores “Taulantia” ishte dhe fakti se në planin e ri rregullues, që pritet të miratohet, kjo zonë konsiderohet elitare dhe ndërtimi i një porti peshkimi do të rriste ndotjet në qytet si dhe do të rriste trafikun.

Po kështu nga bashkia pretendohet se ndërtimi i portit në këtë vend rrit ndjeshëm ndotjet në zonën A të qytetit, që është dhe zonë turistike. Në fakt, prej vitesh kanë vijuar përplasjet dhe mosmarrëveshjet mes Bashkisë së Durrësit nga njwra anë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Transporteve nga ana tjetër në lidhje me vendin e ndërtimit të portit të ri të peshkimit.

Pavarësisht nga pretendimet e Bashkisë së Durrësit për paligjshmërinë e vendimit, gjykata e shkallës së parë i ka hedhur poshtë këto pretendime, në një kohë që sot ka nisur ndërtimi i portit të ri të peshkimit. Aq shumë u zgjat odisea e ndërtimit të këtij porti, sa u rrezikuan seriozisht fondet për ndërtimin e tij, të akorduara nga Banka Islamike.

Ndërtimi i portit të peshkimit do të realizohet me financimin e Bankës Islamike me një fond prej 16.8 milionë dollarësh, të ndarë në dy lote dhe do të përfundojë brenda një periudhe 20-mujore. Investimi parashikon ngritjen e një barriere me gurë prej 800 metra linearë përballë murit perëndimor të portit në krahun e shëtitores “Taulantia”, nga vendi ku ndodhet kapiteneria deri në godinën e stacionit meteorologjik.

Sipas projektit, brenda basenit ujor prej 8 hektarësh që do të krijohet mes dy mureve, do të ndërtohen tre pontile (ura) me gjerësi 4 metra dhe me gjatësi 84 metra secila. Ndërtimi i portit të ri do të mundësojë ankorimin e 130 motopeshkatoreve njëherësh, si dhe punësimin e afro 750 personave në këtë sektor.

Godinat e administratës do të ngrihen në një territor tokësor prej 2.2 ha, ku do të ndërtohen gjithashtu edhe magazinat frigoriferike për tregtimin e peshkut me shumicë si dhe dispeçeria e sektorit të peshkimit.